Nipi i Nënës Pashke e quan gjest të ulët hedhjen e gurit të saj në mbeturina

Aktuale

Nipi i Nënës Pashke e quan gjest të ulët hedhjen e gurit të saj në mbeturina

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 20:38
Guri i Nënës Pashkë

Liridon Marku, nipi i Nënës Pashke, flet pas rastit kur guri i nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të djemve të saj të vrarë e të djegur nga kriminelët serbë, u hodh në mbeturina.

Lidhur me këtë, Marku, thotë se reagimi i organeve shtetërore ka qenë i menjëhershëm.

“Ka qenë i menjëhershëm reagimi i organeve shtetërore si i Policisë së Kosovës, Ministrisë, Komuna, ku e kanë bërë tërheqjen e tij nga mbeturinat dhe e kanë dërguar në Kompleksin Memorial në Meje. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës kjo është një zgjidhje e përkohshme derisa të bëhet një zgjidhje e përhershme për atë guri”, tha ai.

Marku thotë se ende nuk është vendosur se cili do të jetë stacioni i fundit se ku do të vendoset guri.

“Nuk ka vendim se cili do të jetë stacioni i fundit i atij guri. Ne kemi thënë se guri e ka vendin aty, por tash do të vendos shteti se ku do ta vendosin. Ne familjarët nuk kemi ndonjë kërkesë specifike se ku me u vendos ai guri”, tha Marku.

Nipi i Nënës Pashke thotë se pronari i tokës në të cilën për 16 vjet ka qëndruar aty guri ka bërë kërkesë në tri vitet e fundit që ai të tërhiqet.

Në tri vitet e fundit ai ka bërë kërkesë që me u largu guri, kinse ne po dëshirojmë që me ndërtu një kishë aty, po dëshirojmë me bë varre të katolikëve aty. Por është një gjë e pavërtetë, sepse kisha është 300 metra më larg, por se nga kush është i frymëzuar zotëri Bala mund të tregoi ai vetë, kush e ka shtyrë që e ka marrë një vendim të tillë”, tha ai.

Hedhjen e gurit në mbeturina, Marku e quan gjest të ulët.

“Duke e parë reagimin e qytetarëve, që ka qenë shumë i madh, për familjen është shumë më e rëndë, por jemi përmbajt me kërkesën e babës, jemi përmbajt e gjithë familja që mos të ketë as një ekses më të voglin. Gjesti i sotëm ka qenë gjest i ulët që e ka bërë, mbetet në ndërgjegjen e tyre”, shtoi ai.

Komuna e Gjakovës, pas hedhjes së këtij guri në mbeturina ka vendosur që ai të dërgohet Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës.

Më 27 prill 1999, forcat e Serbisë Nënës Pashke ia rrëmbyen, vranë dhe zhdukën me forcë dy djemtë. Gjovalini dhe Milani nga Korenica e Gjakovës, u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë. Më 24 maj 2003 u bë rivarrimi i tyre, ku tri ditë më vonë, nëna Pashke dogji veten me benzinë, për t’i dhënë fund jetës së saj dhe dhembjes për të bijtë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat