Haradinaj para Gjykatës: Vendimi për ndarjen “53 milionëshit” ishte i drejtë

Aktuale

Haradinaj para Gjykatës: Vendimi për ndarjen “53 milionëshit” ishte i drejtë

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 11:30
Ramush Haradinaj

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në cilësinë e dëshmitarit tha se bazuar në procedurat e vendimmarrjes së brendshme për mbylljen e projektit, e konsideron të drejtë vendimin për zgjidhjen e çështjes me “Bechtel-Enkan”.

“Po, bazuar në procedurat e vendimmarrjes së brendshme për mbylljen e projektit që ka qenë në tavolinë. Arsyeja është se projekti në fjalë, në gjendjen e atëhershme nuk mund të vazhdonte pa e definu konkluzionin për obligimin financiar”, tha Haradinaj duke u përgjigjur në pyetjen e të akuzuarit Eset Berisha lidhur me atë se a konsideron se ka qenë vendimi i drejtë për zgjidhjen e çështjes me “Bechtel-Enkan”.

Ndërsa, i pyetur se a ndjehet i lajthitur apo mashtruar nga ministri Pal Lekaj, Haradinaj tha se Kryetari i Qeverisë merr vendime në bazë të ngritjes së çështjes nëpër etapat e veta.

“E nderuar gjykatëse të nderuar gjykatës të trupit gjykes, kryetari i Qeverisë merr vendime në bazë të ngritjes së çështjes nëpër etapat e veta”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se vendimmarrjen e ka vetëm përfaqësuesi i vendimit, ministri ose zëvendësiminstri.

“Vendimmarrjen e ka vetëm përfaqësuesi i vendimit. Ministri ose i delegumi nga ministri në këtë rast zëvendësministri. Të drejtën e ndihmesës për ekspertizë vijnë zakonisht nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë, këshilltarët profesionistë ose ata të lidhur me temën që ka qenë në praktikë për me pas më shumë njerëz. Pra, të gjithë ata janë ata që kanë qenë në atë kohë”, shtoi ai.

Ndërsa, kur u pyet se a konsideron që ka pasur të gjitha materialet mbështetëse të nevojshme për marrjen e vendimit nga Qeveria për aprovimin e kërkesës së Bechtel-Enkas, kjo pyetje u kundërshtua nga prokurori Atdhe Dema.

Prokurori tha se kundërshtimi bazohet në mënyrën e parashtrimit të pyetjes, sepse dëshmitari nuk mund të pyetet se a konsideron se ka pranuar dokumente të mjaftueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat