Hovenier me deklaratë të fortë: Armët që u përdorën në Banjskë zakonisht ofrohen nga strukturat shtetërore

Aktuale

Hovenier me deklaratë të fortë: Armët që u përdorën në Banjskë zakonisht ofrohen nga strukturat shtetërore

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 19:39
Jeff Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier ka thënë se armët që janë përdorur në sulmin terrorist në fshatin Banjskë në veri të Kosovës nuk janë armë që sigurohen në tregje lokale. Ai ka thënë se armët e tilla sigurohen me struktura, dhe ka theksuar se kjo zakonisht bëhet me nga strukturat shtetërore.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Hovenier i pyetur lidhur me sulmin terrorist në Bansjkë ka thënë se “ka disa gjëra që i dimë” dhe ka theksuar se ky sulm nuk ishte spontan.

Ai ka thënë se grupi kishte qasje në armë të sofistikuara që nuk mund të blihen në tregun lokal dhe se për këtë gjë duhet strukturë. Ai ka thënë se për këtë zakonisht duhet “strukturë shtetërore që ua ofron”.

“Së pari mendoj se është e rëndësishme të flasim për atë që dimë dhe atë që ende po përpiqemi të kuptojmë. Dhe ka disa gjëra që ne i dimë. Siç më cituat më parë e dimë se ky grup individësh nuk ishte spontan. Këta individë, të gjithë serbë etnikë me sa dimë, kishin qasje dhe posedonin armë të sofistikuara që nuk mund t’i blini në tregun lokal. Ju duhet një lloj strukture, zakonisht strukturë shtetërore që ua ofron. Ne e dimë se pjesa më e madhe e materialit që ata lanë pas, ishte me origjinë serbe. E dimë se një individ, z. Milan Radoiçiç, i cili ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe, bëri një deklaratë publike përmes avokatit të tij duke marrë përsipër përgjegjësinë, duke thënë se ai kishte organizuar sulmin dhe kishte marrë pjesë në të. Këto janë gjërat që ne i dimë tani dhe po përpiqemi të kuptojmë më shumë. Ne e dimë se kjo nuk mund të ndodhte vetëm spontanisht. Pra, siç e kam thënë edhe më parë, pas kësaj kishte struktura ose organizata. Ajo që ne ende po përpiqemi të kuptojmë është saktësisht se si funksionoi.”, tha Hovenier për Zërin e Amerikës.

I pyetur nëse Serbia qëndron pas sulmit bazuar në faktin që Radoiçiq mori përgjegjësinë për ngjarjen, ai tha se ka shumë njerëz që e thonë këtë, por gjithashtu ka theksuar se po punohet shumë për të kuptuar saktësisht çfarë ka ndodhur.

“Ka shumë njerëz që e thonë këtë. Kam dëgjuar shumë zyrtarë në qeverinë e Kosovës ta thonë këtë në veçanti. Ne duam të jemi shumë të kujdesshëm përpara se të bëjmë përcaktimet përfundimtare të asaj që ne e quajmë atribuim, për t’u siguruar që e kemi kuptuar saktësisht. Por, siç thashë, ne po e marrim këtë shumë seriozisht dhe po punojmë me miqtë tanë në qeverinë e Kosovës dhe gjetkë për ta kuptuar më mirë këtë.”, tha Hovenier.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat