Kurti për vrasjen e Liridona Ademajt: Zyrtarët publikë duhet të jenë shembull pozitiv në shoqëri, jo kriminelë a mujsharë

Aktuale

Kurti për vrasjen e Liridona Ademajt: Zyrtarët publikë duhet të jenë shembull pozitiv në shoqëri, jo kriminelë a mujsharë

Nga: M.L. Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 17:30
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar dënim maksimal për urdhërdhënësin, dorasin e bashkëpunëtorin në vrasjen e 30 vjeçares Liridona Ademaj.

Nëpërmjet një postimi në Facbook, Kurti shkruan se arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton dhe barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.

Kurti theksoi po ashtu, se qytetarët e Kosovës presin nga zyrtarët publikë që punojnë në institucione të jenë shembull pozitivë e progresivë në shoqëri, me sjelljet e tyre ndaj familjarëve.

Postimi i plotë:

Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua.

Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë.

Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.

Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin.

Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi.

Për të parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend.

Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu.

E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje, e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat