Tri vrasje të grave për dhjetë muaj, flasin ekspertët e sigurisë dhe psikologët

Aktuale

Tri vrasje të grave për dhjetë muaj, flasin ekspertët e sigurisë dhe psikologët

Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 10:33
Foto ilustrim

Përdorimi i alkoolit, substancave narkotike, papunësi e gjendja ekonomike e ulët po konsiderohet nga njohësit e çështjeve sociale si faktorët që brenda një familje të shkaktohet dhunë. Sipas tyre këto raste duhet që të trajtohen me seriozitet nga institucionet dhe ndaj dhunuesve të jepen dënimet maksimale sipas legjislacionit e sidomos për rastet recidiviste.

Ata janë shprehur të shqetësuar se në vend trajtimi si viktimave e po ashtu edhe ndaj dhunuesve nuk është i duhur. Ata kanë thënë se viktimat qëndrojnë në strehimore për një afat jashtëzakonisht të shkurtër kohorë dhe jo në përputhshmëri me standardet dhe procedurat e veprimit. Sa i përket atyre që kanë shkaktuar dhunë, pra që janë përdorues të narkotikëve, ata kanë thënë se në Kosovë nuk ka institucione që merren me trajtimin e tyre.

Ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku, tha se sipas statistikave në Kosovë për çdo vit ka rritje për 20 për qind të rasteve të dhunës në familje.

Ai tha se Ministria përmes ndryshimeve të Kodit Penal ka ashpërsuar dënimet, mirëpo sipas tij, kjo ka ndikuar pak e për këtë ai thotë se mungon edhe vetëdijesimi.

“Rastet e dhunës pothuaj se stilistikisht për çdo vit rriten rreth 20 për qind nga viti në vit që është alarmante. Ministria përmes ligjeve edhe ndryshimet e fundit në kodin penal të cila janë bërë i ka ashpërsuar masat jashtëzakonisht shumë për kryerësit e veprave. Mirëpo kjo po ndikon shumë pak, tash a mund të themi që kemi një vetëdijesim të ulët të popullatës apo kemi dënime jo të ashpra, karshi të këtyre rasteve mbetët të shihet në vitet në vijim. Mirëpo unë mendojë që këto raste duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh dhe kryesit e dhunës të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin maksimal i cili parashihet me legjislacion, sidomos kur kemi të bëjmë me rastet recidiviste sepse rastet recidiviste janë ato të cilat po shkaktojnë probleme ma të mëdha”, tha ai.

Mujku tha se përdorimi i alkoolit, përdorimi i substancave narkotike duke përfshirë edhe krizën ekonomike e papunësinë janë shkaqet që janë duke ndikuar që në një familje të shkaktohet dhuna. Ai ka theksuar se trajtimi për viktimat e dhunës në familje nuk është në nivelin e duhur si dhe për kryesit e veprave ai ka thënë se nuk kanë ndonjë trajtim adekuat.

Shumica e dhunuesve qëndrojnë jashtë ligjeve nuk e dinë se çka thotë ligji mirëpo duhet të studiojmë faktorët. Tash kohët e fundit po i shohim se përdorimi i alkoolit, sidomos përdorimi i substancave narkotike duke përfshirë edhe krizën ekonomike, papunësinë të gjitha këto ndikojnë që brenda një familje të fillon si shkas që të ndodh një shkak, dhe pas shkakut e kemi shkakun dhe pas shkakut e kemi edhe pasojën, prandaj kemi edhe raste të shumta. Trajtimi nuk është në nivelin ma të mirë kisha më thënë që edhe viktimat të cilat qëndrojnë në strehimore qëndrojnë për një afat të jashtëzakonisht të shkurtër kohorë jo në përputhshmëri me standardet dhe procedurat e veprimit, sepse ne e dimë që duhet një kohë shumë me e gjatë që të trajtohen viktimat. Pastaj kryesit e veprave nuk kanë ndonjë trajtim adekuat dhe kohët e fundit është miratua një protokoll mirëpo trajtimi i tyre duhet të krijojë edhe profesionist të fushës të cilët do duhet të dinë si të trajtojnë të gjithë ushtruesit e dhunës në familje dhe kjo do të merr një kohë shumë të gjatë”, tha ai.

Neuropsikiatri Sami Rexhepi tha se problem është që një numër i dhunës në familje shkaktohet nga personat që abuzojnë me substanca narkotike, sipas tij, kjo dhunë nuk mund të ndalet përderisa nuk merret hapa për trajtimin e tyre.

“Dhuna në në familje, prej diku 380 raste që i kam me aktvendimeve të gjykatës me aktvendime këtu, një numër shumë i madh është i personave të cilët abuzojnë me substanca narkotike. Në momente kur ata mbesin pa substanca narkotike, me të cilat abuzojnë mbesin pa pare atëherë janë të dhunshëm tek anëtaret e familjes, dhe kjo dhunë nuk mundet me u ndal derisa nuk merret një hapë për trajtimin e tyre”, tha ai, raporton EO.

Ai tha se në Kosovë nuk ka institucione që merren me trajtimin e personave që abuzojnë me substanca narkotike, duke shtuar se në Klinikën e Psikiatrisë ka kapacitete shumë të vogla për trajtim, sepse për persona me varshmëri kërkohet vite rehabilitim e risocializim.

Ne nuk kemi institucione në Kosovë të cilat merren me trajtimin. E kemi pas së fundi repartin e sëmundjeve të varshmërisë, në Klinikën e Psikiatrisë i cili ka kapacitete shumë të vogla, i cili mundet me u marr me një detopsikim, por trajtimi i një personi me varshmëri kërkon vite, rehabilitim e risocializim ne nuk kemi institucione të tilla këtu. Po e marrim dhunën në familje apo dhunën ndaj gruas nuk mundet me u arsyetuar se dikush i ka pas tri katër urdhërua dhe prapë ka arritur deri tek sulmi. Këto janë ato probleme të cilat unë po them se duhet secili duhet të ndalemi dhe të shohim se çka po bëjmë ne”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat