Marrëveshja ushtarake Kosovë-Turqi bën jehonë të madhe në Serbi dhe rajon

Aktuale

Marrëveshja ushtarake Kosovë-Turqi bën jehonë të madhe në Serbi dhe rajon

Më: 29 janar 2024 Në ora: 18:53
Ejup Maqedonci në Turqi

Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshjen ushtarake kornizë, me qëllim të bashkëpunimit për shërbimin e personelit ushtarak, shkollimit, trajnimeve, investimeve më mbrojtje e trajtim shëndetësor.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se krahas lidhjes kulturore, Kosova e Turqia kanë bashkëpunim të ngushtë ushtarak, me qëllim “që së bashku t’i kontribuojmë ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë”.

“Me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, me pritje ceremoniale filluam takimin i cili përfundoi me një të arritur shumë të rëndësishme të përbashkët, nënshkruam marrëveshjen ushtarake kornizë për të thelluar bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime. Shkëmbimi i personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimi në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turqi ishin disa nga çështjet të cilat i diskutuam, e që përmes marrëveshjes së nënshkruar i hapim rrugë procesit për realizimin e tyre”, ka shkruar ministri.

Kjo vizitë ka bërë jehonë në mediat serbe.

Edhe mediat pro-pushtetit, siç është agjencia e lajmeve Tanjug me pak rreshta ka raportuar për këtë marrëveshje, mirëpo në vend të Kosovës dhe Turqisë, dy shteteve u është referuar me Prishtina dhe Ankaraja.

Në anën tjetër, mediat më pak të kapura nga propaganda e pushtetit serb kanë raportuar me korrektësi, duke e cituar ministrin Maqedonci.

Po ashtu edhe mediat tjera të rajonit, si ato boshnjake dhe kroate kanë raportuar për marrëveshjen ushtarake Kosovë-Turqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat