Kurti lajmërohet nga Ankaraja, jep detaje për takimin me Erdogan-in - ja për çka biseduan

Aktuale

Kurti lajmërohet nga Ankaraja, jep detaje për takimin me Erdogan-in - ja për çka biseduan

Më: 31 maj 2024 Në ora: 14:09 Përditësuar në ora: 17:05 më 31.05.2024
Albin Kurti dhe Recep Tayyip Erdogan

Takimi Erdogan-Kurti, presidenca turke zbardh detaje të reja

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka diskutuar të premten për lidhjet dypalëshe dhe çështje të tjera me kryeministrin Albin Kurti në kompleksin presidencial në Ankara, tha Drejtoria e Komunikimeve të Turqisë.

Në pritjen e cila zgjati 1 orë e 50 minuta, ishin të pranishëm edhe nënpresidenti Cevdet Yilmaz dhe ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yashar Gyler.

Siç njofton zyra për informim e Presidencës turke tha se gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet Turqi-Kosovë, konflikti Izrael-Hamas, si dhe problemet rajonale dhe globale.

“Gjatë takimit, presidenti Erdogan theksoi rëndësinë e rritjes së vëllimit tregtar mes Turqisë dhe Kosovës, me synimin që të kalojë 1 miliard dollarë, e cila aktualisht është në rreth 750 milionë dollarë. Ai gjithashtu theksoi potencialin për rritje shtesë në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes”, u tha në njoftim.

Presidenti turk shprehu përkushtimin e Turqisë për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në të gjitha fushat.

“Ai po ashtu përmendi se Kosova pritet të ndërmarrë veprime, veçanërisht në fushën e kundër-terrorizmit. Ai vuri në dukje se zbutja e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një zhvillim pozitiv, por është thelbësore të shihet përparim i prekshëm në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, u tha më tej në komunikatë.

Temë diskutimi ishte edhe lufta Izrael-Hamas. Me këtë rast, Presidenti Erdogan theksoi nevojën urgjente “për të trajtuar dhunën e vazhdueshme në Gaza, duke bërë thirrje për rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Izraelit, mbështetje për zgjidhjen me dy shtete dhe ndihmë aktive për Palestinën”. 

Kurti deklarohet pas takimit me Erdoganin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në profilin e tij në “X” pas takimit që ka pasur me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se me presidentin turk kanë folur për raportet mes dy shteteve dhe për mundësitë e reja sa i përket bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e mbrojtjes.

Kurti ka bërë të ditur se të hënën më 3 qershor do të mbahet edhe forumi i bizneseve turke dhe kosovare, që do të jetë një shans për të thelluar lidhjet dhe për të rritur investimet.

“Diskutuam marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik dhe të mbrojtjes.

Të hënën do të mbahet forumi i parë ekonomik për bizneset nga Kosova dhe Turqia, duke ofruar një shans për thellimin e lidhjeve dhe nxitjen e investimeve.”, ka shkruar Kurti.

Kurti takohet me Erdogan

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi ka udhëtuar mbrëmë drejt Turqisë.

Në kryeqytetin e Turqisë, në Ankara, ai është mirëpritur nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Kurti do të takohet edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.

Qëndrimin në Turqi, kryeministri Kurti do ta vijojë në Stamboll, ku do të marrë pjesë në forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat