​Dita e çlirimit të Deçanit përmbyllet me festivalin “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

Aktuale

​Dita e çlirimit të Deçanit përmbyllet me festivalin “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

Më: 15 qershor 2024 Në ora: 19:09
Pamje nga vendi i ngjarjes

Komuna e Deçanit ka përmbyllur me Festivalin gjithëkombëtar të folklorit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen” aktivitetet e shumta me rastin e shënimit të 25-vjetorit të çlirimit.

Kryetari Bashkim Ramosaj ka falënderuar ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, njëherësh kreun e AAK-së Ramush Haradinaj për rolin e tij në luftën për çlirimin e Kosovës. Ai njëherësh i ka bërë thirrje nivelit qendror të punojë më shumë për forcimin e shtet-ndërtimit të vendit.

Ramosaj: Të punohet më shumë për shtetin tonë

“Në historinë e një populli ka etapa që ka njerëz që e shkruajnë këtë histori. Unë i jam mirënjohës dhe brezi i ri do të jetë mirënjohës, sepse dikush e shkruan dhe dikush do ta lexojë mirë këtë histori. Komandant (Ramush Haradinajt) faleminderit që e ke mbyllur kapitullin e çlirimit të këtij kombi...Sot jemi në një libër krejt tjetër që është i shtet-ndërtimit dhe brenda këtij qyteti të shtet-ndërtimit është edhe kultura jonë, folklori dhe tradita jonë, arti, sporti edhe shkenca. Uroj që njerëzit që po përfaqësojnë këtë shtet të bëjnë më shumë për këtë shtetin, prej gjendjes sonë ekonomike e sociale e deri te vlerat akademike”, ka thënë Ramosaj.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili ka përkujtuar këngëtarët e njohur të folklorit shqiptar, të cilët me këngët e tyre ndikuan në frymëzimin e brezave në luftën për liri.

Haradinaj: Arritëm me sukses të kryejmë misionin tonë të lirisë

“Demush Shaqa dhe Dervish Neziri kanë qenë prindërit tanë ose lodrat tona. Ne si fëmijë jemi rritur me ta, me zërin e tyre të mrekullueshëm, me porositë e këngëve të tyre që kanë depërtuar në zemrat dhe ndjenjat tona të të gjithë brezave. Edhe pse tash i kam disa vjet, edhe sot i ndjej ata zëra të mrekullueshëm, pra ata artistë tanë, të cilët kanë meritën e vet më të madhe që shumë prej nesh u primë luftëtarëve të UÇK-së, arritëm me sukses të kryejmë misionin tonë të lirisë”, ka thënë Haradinaj.

Aktivitetet për nder të 16 Qershorit, datë kjo ku përkujtohet hyrja e trupave të UÇK-së në Deçanin e lirë dhe nderohen heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit nga kjo komunë, kanë nisur me ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar në qendër të qytetit, për të vazhduar me mbjelljen e “Pemës së lirisë.”

Kuvendi Komunal i Deçanit në një seancë solemne ka nderuar me çmimin “Qytetar nderi” Mentor Petrelën, njëri ndër 100 kirurgët më të mirë në botë.

Aktivitetet kanë vazhduar me homazhe te shtatoret e dëshmorëve dhe heronjve të Deçanit, si dhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.

Manifestimi i madh festiv me moton “25 vjet liri” është mbajtur në hapësirat e Qendrës Rinore në Podin e Gështenjave, me këngëtarët Melinda Ademi, Gold Ag, Lumbardh Salihu, Lek Komoni, Lorent Mataj, Luiz Ejlli e Loni Haklaj, për të vazhduar në mbrëmje me festivalin madhështor “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat