Reagon profesori: SHBA-të me NATO-n çliruan Kosovën, por do të mbahen mend edhe për këto gjëra!

Aktuale

Reagon profesori: SHBA-të me NATO-n çliruan Kosovën, por do të mbahen mend edhe për këto gjëra!

Nga: A.SH Më: 8 gusht 2024 Në ora: 08:01
Foto ilustrim

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Matthew Miller, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara me vendimet e pa bashkërenduara të qeverisë së Kosovës dhe i bëri thirrje asaj t’i rikthehet bashkëpunimit me aleatët kryesorë perëndimorë.

Pas kësaj deklarate ka reaguar profesori Enver Bytyçi.

Ai ka thënë se SHBA ishte ajo e cila së bashku me NATO-n çliruan Kosovën dhe ndihmuan në procese për ndërtim dhe zhvillim, punuan edhe për njohjen e Kosovës.

Por, profesori ka edhe disa “kritika”, për SHBA-të, sidomos në kohën e Obamës, për të cilin thotë se në kohën e tij bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë nga teknike u kthyen në politike, gjë me të cilat po merret ende Kosova.

Postimi i plotë:

Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, kritikoi qëndrimin e qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit dhe u shpreh se "Kosova rrezikon t'i humbasë shanset e krijuara me mbështetjen e SHBA-ve"! Dua të ndalem pak këtu.

SHBA-të së bashku me NATO-n janë ata që e çliruan Kosovën nga sundimi dhe kolonizimii Serbisë dhe krijuan shansin e krijimit të shtetit të pavarur. SHBA-të, përkatësisht presidenti George W. Bush, janë ato që shpallën pavarësinë e Kosovës tetë muaj para se deklarata e pavarësisë të lexohej në Kuvendin e saj. SHBA-të janë ato që në vitet e para pas pavarësisë mbështetën dhe punuan për njohjen e Kosovës nga shumë vende të botës. SHBA-të, përkatësisht presidenti Trump, ishte ai që i kërkoi Izraelit ta njohë shtetin e Kosovës. SHBA-të mbështetën Kosovën në pranimin në disa organizata ndërkombëtare. Për të gjitha këto do të shkruajë historia.

Por SHBA-të e kohës së Obamës diktuan fillimin e bisedimeve gjoja teknike dhe i kthyen ato në bisedime politike midis Kosovës e Serbisë në vitin 2011. Administrata e Obamës bëri presion që të krijohej Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë më 2015-ën. SHBA-të i thanë Polonisë të votonte kundër pranimit të Kosovës në UNESCO. SHBA-të mbështetën fort pajtimin Rama-Vuçiq-Thaçi për ndarjen e Kosovës. SHBA-të mbështetën të vetmet hapur Open Balkan! SHBA-të këmbngulin më shumë se shtetet e tjera që të krijohet asosacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. SHBA-të u vunë në krye të aksionit për ta ndaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. SHBA-të janë të parët që nuk bien dakort për shtrirjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit. Edhe këto do shënohen në histori!

Politikanët shqiptarë që i kundërshtuan këto iniciativa të Serbisë e që u mbështetën nga SHBA-të, Departamenti i Shtetit i sanksionoi. Madje ambasadorja Juri Kim bëri atë që nuk është dëgjuar ndonjëherë në historinë e demokracisë, duke thënë se "Nëse zgjidhni non-gratën në krye të partisë do të hani bar"! Këtë po bëjnë tani me kundërshtarin tjetër me emrin Albin Kurti! Thuajse e kanë izoluar! Në mos e thënë zoti që t'u drejtohen shqiptarëve të Kosovës me shprehjen e Juri Kim!

Atëherë a nuk del se SHBA-të që i dhanë Kosovës pavarësinë dhe lirinë në fillim, më vonë, pas ardhjes së Obamës në Shtëpinë e Bardhë, bënë jo pak raste të kundërtën?! Shanset për Kosovën kanë filluar të zbehen e të humbasin që nga dita që filluan bisedimet Kosovë-Serbi (2011) me insistimin e SHBA-ve dhe aleatëve të saj në Europë. Eshtë koha që SHBA-të të rikthehen në rolin që patën nën drejtimin e presidentëve Bill Clinton dhe George W. Bush!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat