Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, e ftuar në ‘Info Plus’, ka komentuar nisjen e seancave të Kuvendit të Kosovës për sesionin vjeshtor, duke thënë se kjo seancë nuk mundi t`i vazhdojë punimet pasdite për shkak të mungesës së kuorumit.
Ajo tha se edhe sesioni pranveror është përballur me mungesë të deputetëve dhe fatkeqësisht, sipas saj po vazhdon trendi i njëjtë me atë të sesionit pranveror.
“Problemi me mungesat e deputetëve vazhdon ta penalizojë punën e Kuvendit në vendim-marrje por dhe në funksionimin e tij, ndërsa ndëshkimet për mungesa janë minimale, për të mos thënë in-ekzistente. Pra, deputetët po tregojnë një nivel të papërgjegjshmërisë ”, tha Haxholli në RTK.
Ajo tha se nëse vazhdon kështu si sot trendi i dështimit të seancave, atëherë sesioni vjeshtor do të jetë po i njëjti me atë pranveror, pra i dështuar.
“Ndonëse deputetët kanë pavarësi të plotë në mandatin e tyre, porse kjo nuk do të thotë që ata e kanë lirinë që mos ta kryejnë punën e tyre në kuvend”, tha Haxholli.
Ajo tha që deputetët sigurohen të nënshkruhen vetëm në fillim të seancave për të gëzuar mëditjet, dhe në shumë raste ata i braktisin ato para se të përfundojnë.
“Shumica parlamentare e ka përgjegjësinë kryesore për të siguruar kuorumin për mbarëvajtjen e seancave”, tha ajo, duke shtuar se në çdo seancë plenare të sesionit pranveror kanë munguar 24.03% e deputetëve.