Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka akuzuar publikisht Milan Radoiçiqin si organizator dhe urdhërues të sulmit terrorist që dëmtoi kanalin e ujit Ibër-Lepenc në fshatin Varagë, Zubin Potok, më 29 nëntor.
Sipas Halitit, Radoiçiqi ka qenë i angazhuar gjatë gjithë ditës nga Kopaoniku, duke përdorur telefonin për të drejtuar operacionin. Ai zbuloi se eksplozivi i përdorur ishte plastik dhe prodhim serb, me një fitil të gjatë 25-30 metra, i dizajnuar për t’i dhënë kohë sulmuesve të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Haliti theksoi se ka informacione të besueshme dhe se ndërkombëtarët po hetojnë intensivisht këtë rast.
Për këto deklarime, Halitit i ka kërkuar sqarime gazetari i medias gjermane Deutche Welle, Bahri Cani, përcjell Bota sot.
Duke e cilësuar si pohim shumë të rëndësishëm, Cani ka kërkuar nga Kosova që të njoftojë të gjitha forcat relevante për këtë.
“Ky është një pohim tepër me rëndësi: Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, në studion e emisionit “Info Nata” në Tëvë1 ka deklaruar se sulmin terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut e ka organizuar dhe urdhëruar kryeterroristi Millan Radoiçiq.
Haliti deklaroi se Radoiçiq në natën kritike të 29 nëntorit kur ndodhi sulmi terrorist gjatë tërë ditës nga Kopaoniku “ka qenë me telefon në vesh” duke e komanduar organizimin e sulmit. Do të ishte shumë mirë nëse këto detaje sqarohen, sepse Radoiçiq është në Serbi, i kapshëm për Vuçiqin, që ka thënë se është i gatshëm për bashkëpunim të plotë në këtë rast.
Haliti ka dhënë edhe disa detaje të reja rreth eksplozivit që dëmtoi kanalin kryesor të ujit, duke dëmtuar infrastrukturën kritike.
“Eksplozivi ka qenë plastik, prodhim serb, fitili ka qenë plastik që nuk depërton në ujë në atë, prodhim serb. Fitili ka qenë 25-30 metra i gjatë se kur është ndezë me pas hapësirë kohore për me ikë ata nga vendi i ngjarjes...”.
Sipas tij: “Në krye të këtij aksionit ka qenë Radoiçiqi. Tërë ditën, pak para shpërthimit dhe pas shpërthimit ka qenë në Kopaonik me telefon në vesh. Nuk flas pa informacione. Ata që po rrehin gjoks në veri, pas kësaj ngjarje duhet me jep llogari. Është sulm i planifikuar nga profesionistë, është akt tepër i rëndë… kam informacione që ndërkombëtarët janë duke e hulumtuar shumë”, deklaroi Haliti. Hajde zoti Haliti, jepi të gjitha informacionet menjëherë, ndërsa Kosova të njoftojë të gjitha forcat relevante për këtë! Nga Vuçiqi duhet të kërkohet që pastaj të veprojë menjëherë. Shpresoj se nuk janë fjalë pa argumente!”, ka shkruar Cani në një postim në Facebook./Botasot