Kosova dhe Serbia këmbejnë akuza në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Aktuale

Kosova dhe Serbia këmbejnë akuza në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Më: 8 prill 2025 Në ora: 10:48 Përditësuar në ora: 23:23 më 08.04.2025
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

​Rusia vazhdon propagandën kundër Kosovës në OKB

Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzia, ka vazhduar edhe sonte propagandën e tij kundër Kosovës, duke u ankuar ndaj qeverisë aktuale por nuk la pa përmendura edhe armatimin që ka në plan të blej Kosova.

Ai në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e nisi fjalimin duke kritikuar ministren e jashtme të Kosovës, Gërvala, duke thënë se nuk respekton etiken e këtij institucioni.

Ai kritikoi BE duke thënë se nuk ka asnjë ndikim ndaj Albin Kurtit, derisa Kurti po nxit qeverisjet lokale që të bëjnë sipas tij, spastrim etnik të serbëve nga Kosova

“Është bërë shpallja për tranzicionin në fazën përfundimtare të Ushtrisë së Kosovës duke marrë materiale edhe nga vendet e NATO-s, po flasim për drona, automjete të blinduara, sistem anti tank, artileri dhe armatime të tjera. Planet e tyre për të blerë edhe sistem të mbrojtës ajrore por edhe helikopter, po vihen baza për industrinë e mbrojtjes lokale dhe këto të gjitha janë shkelje flagrante të rezultues 12 44. Jemi të brengosur fuqimisht me nënshkrimin më 18 mars nga Zagrebi, Tirana dhe Prishtina, një lloj deklarate të përbashkët në fushën e mbrojtjes”, tha ai.

Britania në KS të OKB-së: Kush s’e ka njohur Kosovën, ta bëjë sa më shpejt – Serbia të jap llogari për Banjskën

Mbretëria e Bashkuar në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka potencuar faktin se ky shtet ka qenë mik afatgjatë i Kosovës dhe se riafirmomi për përkrahjen e Kosovës në rrugëtimin euro-atlantik, u tha se u bë gjatë vizitës së fundit të Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar.

Përfaqësuesi britanik tha se si përkrahëse e shtetësisë së Kosovës, e mirëpresin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kenia, teksa i inkurajoi të gjitha shtetet që s’e kanë bërë një gjë të tillë, ta bëjnë sa më parë.

“Si përkrahëse e shtetësisë së Kosovës, e mirëpresim njohjen së voni të Kenias. Inkurajojmë të gjithë ata që s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë sa më shpejt”.

“Derisa raporti i Sekretarit të Përgjithshëm thekson shumë faktin që ka presion tek serbët në Kosovë, janë përpjekjet e suksesshme të Kosovës për të rekrutuar policë nga komuniteti serb. Shprehim keqardhje që gjyqtarët dhe prokurorët nga komunitetet joshumicë nuk kanë kërkuar që të rikthehen në institucionet e Kosovës”, tha përfaqësuesi britanik.

Më tej,  ai tha se inkurajojnë Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog, për të arritur një marrëveshje normalizuese dhe ligjërisht obliguese.

“Mirëpresim pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës në zgjedhjet paqësore komunale në periudhën e ardhshme dhe inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me Sorensenin për të arritur një marrëveshje normalizuese dhe ligjërisht obliguese duke zbatuar plotësisht edhe marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit”, tha ai.

Më tej, përfaqësuesi britanik i kërkoi Serbisë sjelljen para drejtësisë autorët e sulmeve të KFOR-it, atij në Banjskë dhe të bashkëpunojë me Kosovën për t’i identifikuar kryesit e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit.

“I kërkojmë Serbisë që të sjell para drejtësisë gjithë ata që janë përgjegjës për sulmet e KFOR-it dhe sulmin në Banjskë dhe të bashkëpunoj për të hetuar dhe identifikuar ata që e kanë kryer sulmin në Ibër-Lepenc”.

“Duke marrë parasysh kushtet në terren që s’janë aspak të afërta me vitin 1999, kërkojmë rishikimin e rolit të UNMIK-ut për të siguruar që të vazhdojë përkrahja për stabilitet dhe siguri në Kosovë, por që reflekton botën e vitit 2025”, tha ai.

SHBA-ja në KS të OKB-së: Qëllimi përfundimtar mes Kosovës e Serbisë, njohja reciproke

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, John Kelley, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të punojnë në zbutjen e tensioneve dhe të përmbahen nga retorikat eskaluese mes të dyja vendeve.

Gjatë fjalimit të tij, ai tha se qëllimi përfundimtar mes të dyja vendeve duhet të jetë njohja reciproke.

“Kosova dhe Serbia duhet të punojnë në zbutjen e tensioneve dhe përmbahen nga retorikat eskaluese mes tyre dhe rajonin e tyre për një të ardhme më prosperuese”.

“Qëllimi përfundimitar duhet të jetë njohja e ndërsjellë. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është qenësor për Ballkanin Perëndimor. Amerika dhe komuniteti global janë më të sigurta kur vendet i zgjidhin konfliktet e tyre në mënyrë paqësore dhe kur krijohet klima për investime ndërkombëtare”, tha Kelly.

Kelly foli edhe edhe për çështjen e UNMIK-ut në Kosovë, ku tha se tashmë është koha që të mbyllet UNMIK-u.

“UNMIK-u nuk ka më rol në qeverisjen e Kosovës. UNMIK-u ka tepër shumë staf, për sa i përket UNMIK-ut inkurajojmë që takimet të jenë me dyer të mbyllura dhe besojmë se ky raportim duhet të reduktohet në baza 1-vjeçare”.

“Koha për të mbyllur UNMIK-un ka ardhur. Rekomandojmë që UNMIK-u të fillojë të transferoj funksionet e veta tek agjencitë e tjera të OKB-së në terren që kanë funksion më të mirë për këtë punë, ashtu që procesi drejt mbarimit të misionit të jetë gradual dhe jo i paparashikuar”.

​Gërvalla apelon bashkësinë ndërkombëtare: Të merren masa ndaj veprimeve agresive të Serbisë

Serbia përpiqet vazhdimisht të destabilizojë demokracinë, ndërsa duhet të bashkëpunojë me ndërkombëtarët që të dorëzojë terroristin Milan Radojiçiq, ka thënë zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe OKB-së që të ndërmarrë veprime të qarta dhe vendimtare kundrejt veprimeve agresive të Serbisë në rajon, duke përfshirë ato ndaj Kosovës. Kosova do të vazhdojë të sigurojë që ata që janë përgjegjës për dhunë dhe terror të vihen para drejtësisë. Por, askush nuk mund të mbyllë sytë para agresionit të Serbisë”, tha ajo derisa shtoi se Kosova po ndërton ura bashkëpunimi me shtete të ndryshme.

Në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Gërvalla tha se paqja ruhet vetëm duke iu kundërvënë agresionit me vendosmëri, derisa kujtoi agresionin në Banjskë të Zveçanit dhe sulmin kibernetik në Ibër – Lepenc.

“Serbia nuk është se ka ndryshuar shumë. Ajo përpiqet të destabilizojë demokracinë tonë. Përtej kësaj, e bën këtë jo vetëm përmes retorikës, por me veprime konkrete, të dhunshme që rrezikojnë paqen dhe sigurinë rajonale. Më 24 shtator 2023, Republika e Kosovës u bë shënjestër e një grupi paramilitar me mbështetje të Serbisë, udhëhequr nga Milan Radojiçiq, njeri që publikisht njihet për lidhjet e tij me elitën e Serbisë, duke përfshirë edhe ministrin aktual të punëve të jashtme, z. Gjuriq këtu që është dhe vetë presidentin Vuçiq. Ka fotografi publike të Gjuriqit në fotografi, ku shihet ulur në kafene me Radojiçiqin, që e dëshmojnë këtë lloj lidhjeje. Ky ka qenë një akt i hapur agresioni”, tha Gërvalla.

“Ta quash këtë incident serioz sigurie siç u bë në raportin e UNMIK-ut këtu, jo vetëm që është keqpërshkrim, por është shtrembërim. Faktet janë të qarta. Serbia e ka armatosur, sponsorizuar e trajnuar këtë grup që kreu agresion në Kosovë... Jo vetëm që ishte terrorizëm, por ishte akt lufte”, tha ajo.

Derisa foli për sulmin në Ibër – Lepenc që ndodhi në nëntor të vitit të kaluar, ku u sulmua infrastruktura kritike e Kosovës, Donika Gërvalla potencoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq refuzoi të përgjigjej ndaj shumë kërkesave të institucioneve ndërkombëtare, ndonëse kishte deklaruar se do të bashkëpunonte.

“Kërkojmë nga Serbia që të bashkëpunojë seriozisht me hetimet ndërkombëtare e po ashtu të dorëzojë Milan Radojiçiqin dhe kriminelët tjerë tek autoritetet e Republikës të Kosovës. Pandëshkueshmëria e tillë vetëm sa inkurajon aktet e agresionit”, tha ajo.

Donika Gërvalla kujtoi edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ndalur gjenocidin në Kosovë.

Gërvalla në Këshillin e Sigurimit kërkon përfundimin e misionit të UNMIK-ut

 Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t`i trajtojë seriozisht veprimet destabilizuese të Serbisë kundër Republikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, ta ndalojë logjikën e mohimit e relativizimit të krimeve të rënda që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Duke folur lidhur me sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku, Ministrja Gërvalla deklaroi se 'ky nuk ishte thjesht një incident i izoluar', por një akt i planifikuar agresioni me bazë në Serbi dhe i kryer nga grupe paramilitare të udhëhequra nga terroristi Milan Radoiçiq, një person i lidhur ngushtë me elitën politike serbe. “Ta quash këtë një 'incident serioz sigurie', siç e përshkruan raporti i UNMIK-ut, është shtrembërim i hapur i realitetit. Ky ishte një akt i pastër agresioni i sponsorizuar, armatosur dhe mbështetur nga Serbia. Ishte terrorizëm shtetëror. Ishte akt lufte”, u shpreh Gërvalla.

Tutje, ministrja vuri theksin edhe mbi sulmin e 29 nëntorit 2024 ndaj kanalit Ibër-Lepenc, një sulm ky që kishte për objektiv infrastrukturën kritike civile dhe që rrezikoi jetën e mijëra qytetarëve. Ministrja Gërvalla deklaroi se Serbia ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime, përkundër deklarimeve të saj publike.

Gjithashtu, e ka kritikuar raportimin e UNMIK-ut, duke e cilësuar të njëjtin si të njëanshëm dhe në shpërputhje me realitetin në terren. “UNMIK-u nuk po e dëmton më Kosovën, po e dëmton kredibilitetin e Kombeve të Bashkuara. Ndryshe nga agjencitë e tjera të OKB-së që janë partnere të vërteta, UNMIK-u është kthyer në një pengesë për të vërtetën,” ka deklaruar ajo.

Duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për drejtësi, ministrja Gërvalla ka kërkuar që Serbia t'ia dorëzojë autoriteteve kosovare Milan Radoiçiqin dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist, dhe të ndalet mbështetja shtetërore për strukturat kriminale në Kosovë. Në përmbyllje, ministrja ka deklaruar se Republika e Kosovës është një demokraci e konsoliduar, që i respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe është model për stabilitet në rajon. Megjithatë, ka shtuar ajo, pa drejtësi dhe pa emërtim të saktë të krimeve, paqja do të mbetet e brishtë.

​Gjuriqi: Në dialogun Kosovë-Serbi nevojiten energji të reja

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi duhet të krijohet në mirëbesim, gjë që në rrethanat e krijuara është i pamundur.

Gjuriq në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u ankua për mbylljen e institucioneve që kanë qenë paralele nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Ai u ankua edhe për rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë dhe vonesën e publikimit, kinse me qëllim që Albin Kurti të ketë edhe një votë dhe ulëse në Kuvendin e Kosovës, pro tij.

“Dialogu mbetet e vetmja rrugë e mundshme por duhet të krijohet në mirëbesim. Imazhi që iu paraqita juaj është i zymtë dhe në këto rrethana është vështirë që të flasim për krijimin e besimit, që është parakusht për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. Ne besojmë që në këtë moment nevojiten për dialog forca dhe energji të reja, pasi dialogu deri tash nuk ka krijuar ndonjë rezultat”, tha ai, duke shtuar se do të përpiqen që të jenë konstruktiv në dialog.

Gërvalla në KS të OKB-së: Kosova demokraci e gjallë, Serbia destabilizuese

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tha se Kosova është demokraci e gjallë ndërkaq Serbia nuk ka hequr dorë nga përpjekjet destabilizuese.

“Kosova sot është demokraci e gjallë, e re, reziliente, me orientim drejt rrugëtimit euroatlantik. Por Serbia nuk është se ka ndërruar shumë, ajo vazhdon të përpiqet të destabilizojë demokracinë tonë. E përtej kësaj e bën këtë jo veç përmes retorikës, por me veprime konkrete e të dhunshme që rrezikojnë paqen rajonale”, ka thënë ajo.

Gërvalla përmendi sulmin e Banjskës si shënjestër e grupit parlamentar i mbështetur nga vet autoritete serbe

“Milan Radojcic njihet publikisht për lidhjet e tij me elitën politike të Serbisë, duke përfshirë edhe ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Duric që është këtu dhe presidentin Vuçiq. Ka fotografi publike të zotit Duric ulur në kateteri në Beograd me Radojcic, që e dëshmojnë këtë lloj lidhje. Ky ka qenë akt i hapur agresioni kundër një shteti fqinj, kryer nga një grup me trajnim ushtarak, pajisje logjistike, të gjitha këto të siguruara nga Serbia”, ka thënë Gërvalla.

 “Dua t’i jap jehonë fjalëve të shprehur në Këshillin e Evropës gjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës. Dora Bakoyannis, raportuese për anëtarësimin e Kosovës kishte deklaruar: Kosova është demokraci funksionale, që respekton të drejtat e njeriut e të komuniteteve, më shumë se 82% të anëtarëve në Komitetin PACE kanë kërkuar anëtarësimin e Kosovës, dhe po jemi vend demokratik dhe jemi krenar për këtë”, ka thënë ajo.

Bajram Çerkini kujtohet në KS të OKB-së: Mishërim i humanizmit

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh gjatë adresimit të saj ka kujtuar kryetarin e Shoqatës së Personave të Pagjetur, Bajram Çerkini, i cili ndërroi jetë më 24 shkurt.

Me këtë rast ajo ka ftuar palët që të shfrytëzojnë Komisionin e përbashkët për të pagjeturit të krijuar përmes dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

“Inkurajoj të gjitha palët që të shfrytëzojnë këtë komision të përbashkët bashkërisht me grupin ekzistues për personat e pagjetur për të ecur më tutje për të zbardhur fatin e më të dashurve të tyre. Në këtë kontekst dua të kujtoj vdekjen e Bajram Çerkinit, babai i një djali të zhdukur me forcë që i ka kushtuar dekada jete avokimit për të drejtën për të ditur, përpjekjet e të cilit kanë prekur shumë komunitete e etni dhe kanë qenë mishërim i humanizmit”, ka thënë Caroline Ziadeh, kryetarja e këtij Këshilli.

Kosova po përfaqësohet nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ziadeh shpreson në krijimin e Qeverisë së re, i kërkon implementimin e zotimeve

Përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh ka deklaruar se qeveria e re është e rëndësishme për të bërë hapa konkret për mirëqenien e popullit të Kosovës, si dhe implementimin e zotimeve që janë bërë nga dialogu I lehtësuar nga BE”

Ajo në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ka thënë se shpreson se qeveria e re do të krijohet pas zgjedhjeve që janë mbajtur me 9 shkurt.

“Pasi të krijohet qeveria e re është e rëndësishme për të bërë hapa konkret për mirëqenien e popullit të Kosovës, si dhe implementimin e zotimeve që janë bërë nga dialogu I lehtësuar nga BE”, tha ai.

Ziadeh inkurajojë grupin punues për personat të pagjetur që të punojnë së bashku për të zgjidhur fatin e personave të të zhdukurve, për të cilët familjarët kërkojnë përgjigje.

Ajo tha se ka vizituar veriun dhe qytetarët atje shpresojnë që dialogu në Brukselit ë vazhdon dhe serbët të kenë një lloj zotësie në kuptimin e vet menaxhimit në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Fillon seanca

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Nju Jork për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ka filluar sot në orën 15:00 sipas kohës lokale në Nju Jork (21:00 në Kosovë).

Gërvalla, përfaqësuese e Republikës së Kosovës, është e pranishme në këtë forum ndërkombëtar ku po shqyrtohet raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Në këtë seancë, Ministrja Gërvalla ka nisur të paraqesë të arriturat e Kosovës, duke theksuar përparimin në fushën e sigurisë dhe zhvillimit, si dhe duke adresuar sfidat aktuale që po përballet vendi.

Ajo do të kërkojë mbështetje ndërkombëtare për Kosovën në përpjekjet e saj për të përballuar sfidat dhe për të kontribuar në stabilitetin dhe paqen e rajonit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat