Ushtarët italianë dhe kroatë që janë pjesë e Komandës Rajonale Perëndimore (RC-W) të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, kanë realizuar një stërvitje me zjarr të drejtpërdrejtë në poligonin e qitjes “Voloire”, pranë Kampit Villaggio Italia.
Sipas njoftimit të KFOR-it, këto stërvitje ushtarake organizohen në mënyrë periodike për të ruajtur dhe përmirësuar aftësitë e të shtënave të trupave, për të testuar procedurat taktike dhe për të garantuar një nivel të lartë gatishmërie operacionale.
KFOR-i thotë se vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes – në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i njoftoi gjithashtu se vazhdon të punojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në përmbushje të roleve të tyre si reagues të sigurisë.
Këto ushtrime janë pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm të KFOR-it për të garantuar stabilitet dhe siguri në vend.