​Limaj thotë se nuk ka marrëveshje me LVV-në, por ja çka tha deputeti Rexhaj

Aktuale

​Limaj thotë se nuk ka marrëveshje me LVV-në, por ja çka tha deputeti Rexhaj

Më: 25 prill 2025 Në ora: 12:35
Fatmir Limaj

Për të katërtën herë ka dështuar zgjedhja e kryetares së Kuvendit, propozim i Lëvizjes Vetëvendosje. Albulena Haxhiu sërish nuk mori votat e mjaftueshme, për çka kryetari i Nismës Socialdemokrate deklaroi se partia fituese nuk i ka votat e mjaftueshme. Ai po ashtu tha se nuk kanë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Megjithatë, para fillimit të seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj u shpreh optimist se një gjë e tillë do të arrihet ditëve në vazhdim.

I pyetur se çfarë po kërkon Nisma Socialdemorkate, Rexhaj tha se është çështje që i takon dialogut mes Kurtit e Limajt.

Rexhaj: Unë e di që ka pasur tendenca për ta bërë një marrëveshje

“Unë e di që ka pasur tendenca për ta bërë një marrëveshje, ajo marrëveshje ende nuk është bërë. Besoj që ditëve në vazhdim duhet të bëhet... Kjo është çështje e dialogut mes kryetarit tonë, kryeministrit dhe zotëri Limajt... Ato janë çështje të tyre, mirëpo unë e di që ka një lloj tendence të përafrimit të kërkesave të cilat kanë të bëjnë me Vetëvendosjen dhe NISMA-n”, deklaroi Rexhaj.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj pas dështimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit tha se është e qartë që partia që i ka fituar zgjedhjet nuk i ka votat, dhe sipas tij, ky subjekt “duhet të gjej rrugë për formimin e institucioneve”.

Limaj: Partia që i ka fituar zgjedhjet nuk i ka votat, s’kemi asnjë marrëveshje

“Besoj që e kemi të qartë, partia që i ka fituar zgjedhjet nuk i ka votat dhe duhet të gjej rrugë për formimin e shumicës, e cila do të siguronte themelimin e institucioneve... S’kemi asnjë marrëveshje dhe siç e dini çdo herë këto punë bëhen përmes marrëveshjeve të madhe politike dhe ne nuk kemi marrëveshje me askënd”, u shpreh Limaj.

Për të katërtën herë, Albulena Haxhiu sot ka dështuar të bëhet kryeparlamentare. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat