Pas 27 viteve rivarrosen eshtrat e martirit, Elhami Tahiraga

Aktuale

Pas 27 viteve rivarrosen eshtrat e martirit, Elhami Tahiraga

Më: 25 prill 2025 Në ora: 20:33
Elhami Tahiraga

Për 27 vite me radhe, Naile Tahiraga ishte në pritje të një lajmi për burrin e saj.

Në korrik të vitit 1998 Elhami Tahiraga kishte dalë nga shtëpia për të ndihmuar një të plagosur por ai nuk arriti që të kthehej në shtëpi.

Ai u vra nga sulmet serbe në korrik të vitit 1998.

Për mbi dy dekada, Elhamiu ishte në listën e personave të Zhdukur në Komunën e Rahovecit.

Por nga kjo e premte, ai ka një varr në të cilin tash mund të lutën familjaret e tij.

Kjo pritje  në ankth përmbi dy dekadëshe ishte e rëndë për familjen e Tahiragës.

“Shumë keq, gjithmonë në mendim, mendofsha mos është në burg, mos e kanë mshel mos e kanë rreh ose kanë bërë dicka por kurrë kërkush asnjë informacion nuk na ka dhënë”, tha bashkëshortja, Naile Tahiraga.

Ajo tregon momentin kur kuptoi se ishin gjetur eshtrat e burrit të saj.

“Shumë keq na ka dok diçka e rëndë edhe jemi gëzuar por edhe jemi hidhëruar shumë . Tash e ndjej vetën pak me lehtë , tash e dijë ku e ka varrin, vijmë këtu edhe e vizitojmë”, tha ajo.

Kujtimet për babin i ka të freskëta edhe Suada, e cila ishte vetëm 11 vjeçare kur i ati u zhdukë.

“Ka qenë një baba shumë i mirë, shumë i sjellshëm  por ja që fati na ndau, unë kam qenë 11 vjeçare kur lufta nisi dhe ai u zhduk dhe nuk dijshmi asgjë për atë. Asnjë shenjë për të nuk kemi pasur”, tha e bija.

Për Elhhamiun nuk kishte dëgjuar më as bashkëvendësi i tij, Ramadan Mërxha.

Ai tregon momentin e fundit kur ishte i shoqëruar me të  ndjerin.

“Kur erdhëm kemi ra në prit na ka gju. Mua me hapi derën Destani, unë bijë në një përrua. Ata më lypshin mua ku është i treti vetëm i dëgjoshja lëvizjet. Pas një jave kam marrë vesh aty në spital që vijshin ma nuk kam dëgjuar asgjë”, tha Mërxha.

Në ceremoninë e  rivarrimit të martirit nga Rahoveci të pranishëm ishin edhe kryetari i komunës dhe i pari i komisionit qeveritar të personave të zhdukur.

“Ata jo vetëm  e ekzekutuan Elhamiun por trupin e tij e grupuan atje ku nuk mund ta mendonte askush në varrezat e besimtareve katolik në Bishtazhin duke synuar ta zhdukin përgjithmonë”, tha kryetari Smajl Latifi.

“Elhami ishte njëri prej atyre që nuk u kthye në shtëpi pas luftës njëri prej mijërave qytetarëve të zhdukur me dhunë nga forcat serbe. Një prej atyre që u desh të identifikohej përmes metodës shkencore te ADN-së jo përmes përqafimit të familjes së tij. Sot me dhimbje dhe respekt Elhami kthehet në vendin që i takon, në tokën e vet, me emër me mbiemër me varr dhe dinjitet”, deklaroi kryetari i Komisionit Qeveritar të Personave të zhdukur, Andin Hoti.

Në komunën e Rahovecit edhe 107 persona tjerë vazhdojnë të mbesin në listën e të zhdukurve duke përfshirë edhe intelektualin  Ukshin Hotin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat