Pas një sëmundjeje të rëndë, sot në Gjenevë të Zvicrës ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare Ekrem Jashari në moshën 74-vjeçare.
Ekrem Jashari jetoi dhe veproi në Zvicër, duke u bërë urë lidhëse ndërmjet mërgatës shqiptare dhe luftës në Kosovë.
Deputeti i PDK-së Nait Hasani ka përkujtuar Ekrem Jasharin si njërin nga themeluesit e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atdhetar i paepur i çështjes kombëtare e çlirimit të Kosovës, i cili dha çdo gjë për liri e bashkim kombëtar, raporton KosovaPress.
“Pusho në paqe me heronjtë e Kosovës baca Ekrem, me Rexhën, Vezirin e Xhavitin dhe dëshmorët me lavdin e luftës e lirinë! Ngushëllime familjes e bashkëluftëtarëve”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Detajet për ceremoninë mortore do të bëhen të ditura në ditët e ardhshme, ndërsa trupi i të ndjerit pritet të përcillet nga Zvicra për në Ferizaj.