Mbi dy orë takim mes liderëve: Nuk ka marrëveshje për dalje nga bllokada në Kuvend - këto janë detajet e fundit

Aktuale

Mbi dy orë takim mes liderëve: Nuk ka marrëveshje për dalje nga bllokada në Kuvend - këto janë detajet e fundit

Më: 28 qershor 2025 Në ora: 07:41 Përditësuar në ora: 21:13 më 28.06.2025
Albin Kurti/ Foto pas takimit

Kurti thumbon PDK e LDK: E kanë ‘keq lexuar’ aktvendimin e Kushtetueses

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas takimit me paritë e tjera politike tha se në këtë takim ofroi dy kompromise, që nëse nuk votohet Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit me votim të fshehtë ajo do të tërhiqet nga kandidatura.

Kompromisi tjetër nga kryeministri në detyrë të cilën ai e përmendi pas takimit me liderët e partive politike, ishte marrëveshja politike në pako për kryetarin dhe nënkryetarët të Kuvendit.

Kurti: Nëse Haxhiu nuk merr 61 vota, tërhiqet nga kandidatura

“Kam ofruar dy opsione në emër të Vetëvendosjes. Kompromisi ynë i parë është në rast të votimit të fshehtë nëse Haxhiu nuk merr 61 vota, tërhiqet nga kandidatura. Ajo nuk dëshiron që të votohet dy herë me votim të fshehtë. Me votim të fshehtë Albulena Haxhiu votohet vetëm një herë. Kompromisi i dytë që po ashtu e shpreha sot si opsion ishte që të bëjnë një marrëveshje politike - marrëveshje në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët”, tha Kurti.

Sipas tij, PDK-ja dhe LDK-ja e kanë “keq lexuar” aktgjykimin e Kushtetueses dhe po e keqinterpretojnë në publik, raporton KosovaPress.

Ai tha se në aktvendimin e Kushtetueses nuk përmendet se komisioni për votim të fshehtë është antikushtetues.

Kurti: PDK dhe LDK e kanë keq lexuar aktgjykimin e Kushtetueses

“Partitë opozitare PDK dhe LDK e kanë keq lexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po e keqinterpretojnë atë në publik. Nuk është as qëllim as kuptimi i atij aktgjykimi se çka po thuhet nga PDK e LDK-ja. Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë se komisioni për votim të fshehtë është antikushtetues as që e ka shkelur Kushtetutën Avni Dehari…. Mbajtëm zgjedhjet, populli tha le të ndryshojë opozita se LVV është fituese e qartë. LVV është më e madhe se PDK e LDK së bashku… Është për mua e çuditshme se si nuk e kanë ndërmend të ndalin bojkotin e propozimeve tona - ata vazhdojmë të bojkotojnë çështjen e komisionit për votim të fshehtë”, tha Kurti.

Kryeministri në detyrë gjithashtu tha se edhe po të ketë takime të radhës ato nuk do të jenë më lajm.

Kurti: Ofrova dy opsione kompromisi, opozita s’u tregua e gatshme për marrëveshje

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se LVV ka lëvizur nga situata para të enjtes. “Unë kam ofruar dy opsione kompromisi”.

Kurti në fillim të konferencës ka falënderuar përfaqësuesit e partive politike që iu përgjigjën ftesës së tij për takim, në përpjekje për zhbllokimin e situatës politike pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai theksoi se përgjegjësia për formimin e Qeverisë i takon Lëvizjes Vetëvendosje si parti e parë, por nënvizoi se formimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjitha partive politike të përfaqësuara në parlament.

“Gjykata Kushtetuese ka theksuar se nuk është ajo që zgjidh mosmarrëveshjet politike mes grupeve parlamentare. Ajo ka kërkuar konsensus, kompromis dhe bashkëpunim në mirëbesim – dhe ne i kemi bërë të gjitha”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se gjatë takimit ka ofruar dy opsione kompromisi për të zgjidhur krizën institucionale, por që sipas tij nuk kanë hasur në gatishmëri nga opozita.

“Kompromisi i parë: nëse kandidatja jonë Albulena Haxhiu nuk i merr 61 votat me votim të fshehtë, do të tërhiqet nga gara. Kjo është një tërheqje nga ana jonë. Por, kjo nuk u bëri përshtypje partive opozitare. Kompromisi i dytë: të bëjmë një marrëveshje në paketë për kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët”, deklaroi Kurti.

Kryeministri në detyrë theksoi se është i hapur për bashkëpunim të mëtejshëm dhe ftoi partitë që të veprojnë me përgjegjësi në funksion të interesit të qytetarëve dhe zbatimit të aktgjykimit të Kushtetueses.

Kurti: Nuk e di nëse Albulena Haxhiu i merr 61 vota me votim të fshehtë, sjellim emër tjetër nëse dështon

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se nuk e di nëse Albulena Haxhiu i ka 61 vota, por sipas tij, kundërshtimi i partive opozitare për një votim të tillë e bën të besojë që Haxhiu i ka votat për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit.

“Unë nuk e di nëse Albulena Haxhiu i ka 61 vota me votim të fshehtë. Por ky kundërshtimi i partive opozitare po më bën me besu që i ka 61 vota”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka thënë se edhe në Gjermani, kancelari Merz është zgjedhur me votim të fshehtë.

“Kancelari në Gjermani Merz, që s’i ka marrë 42 % sa VV, u votua me votim të fshehtë. Le ta provojmë votimin e fshehtë, na e thirrim një emër tjetër”, ka thënë Kurti.

Deklarohet edhe Faton Peci: Takimi u paragjykua si farsë pa nisur

Përfaqësuesi i GUXO-s, Faton Peci, ka komentuar pas takimit të liderëve politikë të thirrur nga Albin Kurti për daljen nga kriza institucionale që pasoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai kritikoi qasjen paragjykuese të disa pjesëmarrësve dhe theksoi se në tryezë u ofruan dy propozime konkrete për rrugëdalje.

“Fryma që synova gjatë diskutimit u paragjykua si farsë nga disa, madje pa nisur ende debati. Këto epitete u përdorën ende pa hyrë në diskutime”, deklaroi Peci, duke nënvizuar rëndësinë e një qasjeje të sinqertë dhe konstruktive.

Ai shtoi se nuk është e dobishme të keqinterpretohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përmes dëshirave individuale apo interesave të ngushta politike.

“Nuk duhet të bëhemi pjesë e ‘fontanës së dëshirave’ në interpretimin e aktgjykimit. Janë disa terma të qarta që duhet të respektohen, përfshirë afatin 30-ditor që është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese,” tha ai.

Peci propozoi që rruga për dalje nga kriza të kalojë përmes një marrëveshjeje politike gjithëpërfshirëse, e cila përfshin zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit si pjesë e një pakoje të përbashkët.

“Edhe unë kam paraqitur një propozim konkret: të ketë marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, në kuadër të një pakoje për dalje nga kriza”, theksoi ai.

Mbi dy orë takim: S'ka marrëveshje për dalje nga bllokada në Kuvend

Krerët e partive politike në Kosovë nuk kanë arritur marrëveshje për dalje nga bllokada për konstituim të Kuvendit, as pas një takimi të shtunën që ka zgjatur mbi dy orë.

Takimin e ka thirrur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), partisë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Takimi është zhvilluar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur një aktvendim të enjten që i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik.

Kush çfarë tha?

Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë pas takimit se Kurti, ndonëse e ka thirrur takimin, ai nuk ka ndryshuar qëndrim.

"Morëm pjesë me vullnetin më të mirë për të gjetur zgjidhje, ndonëse në të njëjtën kohë me drojën më të madhe se i gjithë ky takim ishte më tepër farsë publike sesa substancial. Fatkeqësisht droja jonë u vërtetua”, ka thënë ai të shtunën, pas një takimi që ka zgjatur mbi dy orë.

“Insistimi në pozicionet paraprake e bën të pamundur lëvizjen nga kjo gjendje”, ka thënë ai para mediave.

Abdixhiku ka thënë se Kosova do të vazhdojë të mbetet në krizë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka quajtur ftesën e Kurtit si aktrim “për të përmbushur një obligim” që i ka dhënë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Përkundër faktit që situata nuk është e njëjtë pas aktgjykimit, Kurti është i njëjtë, dhe qëndrimet e tij janë të njëjta".

“Ne kërkuam shumë qartë dhe shumë drejtë me aktgjykim që të mos vazhdojmë me arbitraritetin e 20 seancave të fundit me kërkesën për komision për votim të fshehtë, por ta kthejnë pikën për votim të hapur për kandidaten. Është çështje e tyre se a e ndërrojnë emrin. Ata e dinë ofertën që ua kemi dhënë nga fillimi, këdo që nuk ka qenë ministër apo ministre edhe mund ta votojmë. Duket se kjo nuk do të ndodhë”.

Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar pasi partitë politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje – si fituese e më së shumti votave në zgjedhje – për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Kadrijaj: Ndoshta Kurti do të reflektojë – të kthehet votimi i hapur

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në deklaratën e saj para mediave tha se shkuan me shpresë në takimin e kryetarit të VV-së, Albin Kurti, por sipas saj, nuk pati konsensus.

Ajo tha se ndonëse AAK-ja ka kërkuar konsensus, partia në pushtet nuk ka pranuar asnjë ofertë.

“Në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese janë munduar të shtrembërojnë plot pika dhe të mos pranojnë asgjë. Kemi kërkuar që nesër të mos vazhdojmë me procedura të njëjta, nesër prej nesër do të vazhdohet me praktika të njëjta ata po e shkelin Kushtetutën qëllimshëm”, tha deputetja.

Tutje, Kadrijaj shpreson se Kurti do të reflektojë dhe pret që forma e votimit në mënyrë të fshehtë, të kthehet në atë ta hapur.

“Të kthehet çështja e votimit në votim të hapur. Është e drejta e VV-së të kandidojë secilin që do, por obligimi i tyre është me i siguru 61 vota që me e kalu zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Forma dhe mënyra e përzier që me u votu kryetari i kuvendit, nuk ka sens, praktika që nuk janë praktikuar më herët. Po insistojnë në këtë praktikë që është antiligjore, dhe në formën e prerë Kushtetuesja ka thënë që të votohet ashtu siç kanë qenë praktikat e mëhershme, këta po e përziejnë”.

Limaj pas takimit me liderë: Më pak u fol për temën kryesore, i ftova për gjetjen e zgjidhjes

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, e ka mirëpritur takimin mes liderëve politikë rreth zgjidhjes së krizës politike, por tha se më pak u fol për temën kryesore, e që është zgjidhja e kësaj krize.

“Një tryezë politike e partive politike që janë këut në parlament e sidomos partive me shumicë shqiptare, është e domosdoshme për të gjetur zgjidhje që d otë conte në konstituimin e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Limaj në konferencë për media.

“Pas tre muajsh erdhëm deri te një takim i tillë dhe sot ky takim më tepër ka shkuar rreth qasjeve dhe këndvështrimeve të seiclit se si e shohim aktjgykimin e Gjykatës Kushtetuese, e më pak është folur për atë që besoj unë është tema kryesore”.

“Kriza politike si këto zgjidhen me amrrëvehsje politike, edhe aktgjykimi i Gjykateës Kushtetuese ka bërë këtë udhëzim, dhe ata që kanë pritur se aktygjykimi do të zgjidhë krizën politike, nuk e njohin mirë funksionimin e gjykatave, në këtë rast Gjykatnë Kushtetuese dhe vetë sistemin kushtetues”.

“Takimi si takim për mendimin tim është gjë e mirë që ka ndodhur. Pres të ndodhin edhe takime të tjera. Natyrisht, takimi i parë është gjithmonë më i vështirë deirsa të njihen pozicionet politike”.

“Unë mendova që të jap kontributin tim për t’u kthyer në esencën e asaj që e presin qytetarët e Kosovës. I ftova të gjithë drejtuesit aty që të fokusohemi në marrëveshje politike, e cila menjëherë zgjidh krizën”.

Krasniqi: Kurti dhe VV-ja po duan të jetojnë në realitet alternativ edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me Albin Kurtin, ka thënë se ata po duan të jetojnë në një realitet alternativ edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses.

Në konferencën për media, ai ka theksuar se në takimin e sotëm kryeministri në detyrë Albin Kurti pati një interpretim tjetër nga ai që është në të  vërtetë aktgjykimi i publikuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Është shqetësues fakti që Kurti me aq sa e pash në takim kishte interpretim të çuditshëm të aktgjykimit.

Ai mendonte se s’ka asnjë problem as në propozimin arbitrar të votimit të fshehtë dhe as në mënyrën se si janë mbajtur seancat”, ka thënë Krasniqi.

Abdixhiku: Kurti s’lëvizi nga pozicionet e tij, takimi ishte farsë publike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në takimin e ftuar nga kreu i VV-së, Albin Kurti, morën pjesë me qëllim të mirë dhe për të parë e gjetur zgjidhje për ngërçin politik.

Ai tha se në takim morën pjesë me drojën më të madhe se i gjithë ky takim ishte më tepër një farsë publike sesa substanciale, dhe sipas tij, droja e tyre u vërtetua në këtë takim.

“Fatkeqësisht droja jonë u vërtetua në këtë takim, meqenëse se qëndrimet e deputetit Kurti ishin pak a shumë ato që kanë qenë deri më tani dhe as nuk e respektonin dhe as s’e interpretonin njëjtë vendimin e Kushtetueses edhe për votimin e fshehtë dhe për çështjen e përgjegjësisë që i takon atij”.

“Me lejoni të theksojë se për LDK-në, përgjegjësia për krijimin e shumicës i takon Kurtit, me paragrafin 130 të aktvendimit të Kushtetueses. Kurti e pranoi që s’ka shumicë por kërkoi kushtëzime në pozicionet paraprake që i ka pasur deri më tani”, tha Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku tregoi se kushtëzimet e Kurtit janë që ose të votohet në mënyrë të fshehtë ose të rrëzohet votimi i fshehtë duke e votua Albulena Haxhiun sërish si kryetare të kuvendit.

“Dhe më pas një ndërlidhje e përçudnuar e votimit për kryetar të kuvendit me nënkryetarë të kuvendit. Moslëvizja nga këto pozicione, e bën fatkeqe gjendjen e tanishme politike”.

“Mos harroni që tani e kemi një aktgjykim të Kushtetueses dhe mosrespektimi i saj, për LDK-në është hap i parë në përmbysjen e rendit kushtetues”, tha Abdixhiku

Përfundon takimi i liderëve politikë

Ka përfunduar takimi në mes liderëve politikë, ku temë diskutimi ishte tejkalimi i ngërçit politik.

Takimi zgjati për më tepër se dy orë.

Ku pjesë e tij ishin të gjithë përfaqësuesit e partive politike.

Se a janë marrë vesh për ta tejkaluar ngërçin, përfaqësuesit e partive pritet të dalin në konferencë për media që të sqarojnë se çka u tha në takim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat