Presidentja Osmani jep detaje nga takimet konsultative me liderët e partive politike

Aktuale

Presidentja Osmani jep detaje nga takimet konsultative me liderët e partive politike

Më: 2 korrik 2025 Në ora: 07:49 Përditësuar në ora: 19:02 më 02.07.2025
Foto nga takimi i Presidentes Osmani me kryeministrin në detyrë, njëherësh kyetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti

Osmani jep detaje nga takimet konsultative me liderët e partive politike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka filluar më një cikël të ri konsultimesh lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25.

Sot, takimet e para janë mbajtur me kryeministrin në detyrë, njëherësh, kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit.

“Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, Presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Mw tej thuhet se presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe përgjatë ditëve në vijim, në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nesër, presidentja Vjosa Osmani pritet ta takon edhe kryetarin e partisë “Guxo”, Faton Peci. Ndërsa, vazhdimi i 41-të i seancës konstituive pritet të mbahet nesër nga ora 11:00 në Kuvendin e Kosovës. 

Takimi me Osmanin, Haradinaj: Të kthehet praktika e hapur, do të votojmë ‘për’ ose ‘kundër’

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur pas takimit që e ka pasur me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, në lidhje me bllokadën në kuvend.

Haradinaj tha se Osmani ka shqetësim pasi afati i përcaktuar nga aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese po ecë shpejt dhe se ajo u interesua mbi pozicionin e AAK-së se si mund të dalë Kosova dhe parlamenti nga kjo bllokadë.

“Situata është bukur e rëndë, pasi kemi shpresuar se pas vendimit të Kushtetueses, VV-ja do ta kthej praktikën në votim të hapur. Kemi shpresuar që do të mbërrinim edhe tek ndonjë kandidat konsensual, që do t’ia jepnim votën”.

“Ne qëndrimet i kemi dhënë me kujdes në mënyrë që ta ndihmojmë gjendjen. Kemi kërkuar që të kthehet praktika e votimit, që të votojmë. Sikur të kthehet praktika e hapur, shpresojë që do të votojmë”, tha Haradinaj.

Tutje, ai u shpreh se për kandidatët që nuk janë në preferencat e tyre do të votojnë ‘kundër’, por sipas tij, për një kandidat konsensual do të votojnë ‘për’.

“Edhe për ata që nuk kemi votë, do të votojmë kundër, por për kandidatë konsensual do të votojmë për. Kjo është përparësia dhe shpresojë që ta gjejmë një rrugë si të kthehemi te votimi i hapur”, tha ai.

Haradinaj hyn në Presidencë për takim me Osmanin

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sapo ka hyrë në ndërtesën e Presidencës për t’u takuar me presidenten Vjosa Osmani.

Gjatë ditës së sotme, takime me Osmanin kanë zhvilluar kreu i LVV-së, Albin Kurti, ai i PDK-së, Memli Krasniqi si dhe krytari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Këto takime po zhvillohen për të gjetur një zgjidhje për ngërçin që po ndodhë në Kuvendin e Kosovës.

Abdixhiku: LDK mbështet Kushtetuesen, me plotë zemër do të votojmë kundër kandidatëve të VV-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka folur pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani për gjetjen e zgjidhjes së krizëz institucionale.

Abdixhiku u shpreh se mirëpresin interpretimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se praktikat e deritanishme janë të qarta, sipas tij.

”Ne mirëpresim interpretimin e Gjykatës Kushtetueses, praktikat e deritanishme janë shumë të qarta, votimi në formë hapur.

LDK nuk ka çështje të emrave sa i përket kandidatit, me plotë zemër do të votoj kundër kandidatëve të VV-së.

Kjo përbën shkelje kushtetuese, ftojmë për koncensus për unitet. Le të ofrojnë zgjedhje, kjo i duhet vendit tonë kalimi i krizës artificiale institucionale”, u shpreh kryetari i LDK-së.

Nis takimi i presidentes edhe me liderin e LDK-së

Tashmë ka filluar takimi i presidentes Vjosa Osmani, edhe me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Zhvillimi vie në përpjekje për të gjetur zgjidhje për ngërçin aktual institucional me dështimin e formimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

Tash radhën e ka Lumir Abdixhiku – mbërrin në Presidencë

Pas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit, radhën për takim me presidenten Vjosa Osmani, e ka kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai sapo ka arritur në Presidencë ku pas pak pritet të nisë takimi lidhur me ngërçin politik.

Krasniqi pas takimit me Osmanin: Rikonfirmova gatishmërinë e PDK-së për gjetjen e një zgjidhjeje

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është deklaruar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se ka rikonfirmuar gatishmërinë e PDK-së për gjetjen e një zgjidhjeje.

Krasniqi gjithashtu u shpreh se shpreson që edhe këto konsulta të jenë në funksion të gjetjen së rrugëdaljes.

“Edhe në këtë takim rikonfirmova qëndrimin dhe gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të luajtur rolin tonë në gjetjen e një zgjidhje të krizës politike, sidomos  tani që kemi edhe qartësi nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili i ka bërë të qartë rolet e secilit, në radhë të parë të koalicionit që ka dalur i pari në zgjedhje, të cilin e ka detyruar përveç tjerash edhe për gjetjen e kompromisit”.

“Unë shpresoj që edhe këto konsulta të jenë në funksion të gjetjen së rrugëdaljes, por mbetet që takimet e tjera të cilat i ka planifikuar presidentja të na qartësojnë se a ka apo s’ka një ndryshim të kryeneçësisë politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të z.Kurti që po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, u shpreh ai.

Nis takimi Osmani-Krasniqi

Ka nisur takimi mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.

Para të parit të PDK-së, e para e shtetit priti kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, me të cilin ka biseduar rreth bllokadës në Kuvend.

Pasi takimi përfundoi, kreu i LVV-së deklaroi para mediave se do të bëjnë çmos, që siç u shpreh ai, me frymën e bashkëpunimit të arrihet një gjë e tillë.

“Posa e përfunduam takimin me presidenten Osmani lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës në dritën e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, afatet po rrjedhin, në javën e fundit të korrikut, duhet që ta kemi konstituimin, do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me konsultime konstruktive dhe gjithashtu me idenë e konsesusit apo kompromisit ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që pastaj të kalojmë tek formimi i qeverisë së re, që i përgjigjet Kuvendit të ri të Republikës”.

“Diskutuam gjerë e gjatë, i përmendem të gjitha elementet përbërëse dhe tash presidentja do të ketë takime edhe me përfaqësuesit e partive të tjera politike e mbase në fund do të mund të shohim a kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë”, tha Kurti.

Vazhdojnë takimet – Memli Krasniqi hyn në Presidencë

Pas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, radhën e ka kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi për takim me të parën e vendit, Vjosa Osmanin.

Ai tashmë ka arritur në Presidencë ku edhe do të zhvillohet takimi, Presidentja dhe i pari i PDK-së do të diskutojnë mbi ngërçin institucional, temë për të cilën paraprakisht Osmani foli me Kurtin.

Pas takimit, kryetari i VV-së, tha se duhet t’u jepet shansa edhe të tjerëve, për të parë progresin.

“Unë besoj që duhet t’i japim shansin edhe takimeve të tjera dhe në fund të shohim se cili është progresi për të cilin jemi të interesuar që të gjithë”, u shpreh tutje Kurti.

Kurti pas takimit me Osmanin: Do të bëjmë çmos për konstituim të Kuvendit

Kryeministri në detyrë, njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas takimit rreth dy orësh me presidenten Vjosa Osmani ka thënë se do të bëjnë çmos për konstituimin e kuvendit brenda periudhës së paraparë 30 ditore nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se do të bëjnë çmos që këtë ta bëjnë "në frymën e bashkëpunimit, idenë e konsensusit apo kompromisit", në mënyrë që, siç u shpreh Kurti, "të kalojmë tek formimi i qeverisë së re, që i përgjigjet kuvendit të ri te Republikës".

"Diskutuam gjerë e gjatë. I përmendëm të gjitha elementet përbërëse dhe tash zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive të tjera politike, e mbase në fund mund të shohim nëse kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë.

Besoj se duhet t’i japim shansin edhe takimeve tjera dhe në fund të shohim se cili progresi për të cilin jemi të interesuar që të gjithë”, ka thënë Kurti.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor i obligoi deputetët ta konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit brenda 30 ditësh. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat