Presidentja Osmani jep detaje nga takimet konsultative me liderët e partive politike

Aktuale

Presidentja Osmani jep detaje nga takimet konsultative me liderët e partive politike

Më: 2 korrik 2025 Në ora: 07:49 Përditësuar në ora: 12:16 më 02.07.2025
Foto nga takimi i Presidentes Osmani me kryeministrin në detyrë, njëherësh kyetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti

Osmanit e Kurtit në takim iu bashkohet edhe ambasadorja amerikane

Ka dy orë që po vazhdon takimi i mbyllur mes presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Këto momente në takim është bashkuar edhe ushtruesja e detyrës së ambasadores amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.

 Prattipati ka shkuar me nxitim në presidencë për tu bërë pjesë e diskutimeve mes dy liderëve shtetërore.

Mbetet të shihet se çfarë do të prodhoi ky takim “efefantësh” për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

Dy orë nga takimi Osmani–Kurti, ende pa detaje

Janë bërë dy orë që kur ka filluar takimi ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti.

Ky takim i cili ka nisur në orën 10, nuk ka përfunduar ende.

Si dhe nuk dihen detaje.

Osmani ka ftuar sot për takim krerët e partive politike për të diskutuar rreth ngërçit të tejzgjatur për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja.

Nisin takimet, presidentja Osmani e pret Kurtin në zyre

Sot kanë filluar takimet e presidentes Vjosa Osmani me liderë partiakë.

Fillimisht ajo sot ka pritur në zyre kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Takimet e të parës së shtetit vijojnë pas 40 tentativave të dështuara të parlamentarëve të betuar, për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

Nesër seanca tjetër është paraparë të nisë nga ora 11.00.

Kjo është koha e takimeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të zhvillojë në raund të ri të takimeve me liderët e partive opozitare.

Ajo sot ndaras do të takojë Albin Kurtin, Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.

Shefja e shtetit ditën do ta nis me kryetarin e VV-së, Albin Kurti.

Media ka mësuar se të parin e VV-së presidentja Osmani do ta pret në ora 10:00.

Takimi i dytë më radhë është ai me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin.

Ky takim do të mbahet në ora 13:30.

Më pas, në ora 14:45, Osmani pret në takim kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ndërsa, takimin e fundit për ditën e sotme ajo do ta mbajë më liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Osmani të parin e AAK-së e pret në ora 16:00.

Presidentja Osmani nesër do të takojë edhe kryetarët e partive nga komunitet joshumicë.

Kriza në vend – Osmani sot takon liderët politikë veç e veç

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rifilluar përpjekjet për të zgjidhur ngërçin politik që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit. Shefja e shtetit do të nis sot takimet me liderët e partive politike, me synimin për të gjetur një zgjidhje që do të çonte drejt tejkalimit të krizës institucionale.

Në dallim nga hera e kaluar, kur liderët ishin ftuar në një takim të përbashkët, kësaj radhe presidentja Osmani ka vendosur t’i takojë në mënyrë individuale. Ajo do të zhvillojë biseda sy më sy me secilin kryetar partie, për të dëgjuar nga afër qëndrimet dhe për të kërkuar konsensus.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka konfirmuar se do të takohet me presidenten Osmani. Ai ka përsëritur qëndrimin e PDK-së dhe ka theksuar përkushtimin për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Qëndrimi ynë është ai që kemi pasur gjithmonë. Ka dy tre muaj që mundohemi me gjetë zgjidhje me ofru kompromise, për të dal nga kjo situatë. Nesër prapë do të jem tek presidentja. Këtë e shoh pozitive në kuptimin e angazhimit, por s’di çka të them për mundësinë e rezultatit. Sepse bllokada është prodhim i kryeneqësisë politike të VV-së,” ka deklaruar Krasniqi.

Pas tij, presidentja do ta takojë edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ndërsa në orën 16:00 është planifikuar takimi me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në mesin e të ftuarve është edhe kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i cili ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim.

“Kam marrë pjesë më herët e do të marrë pjesë edhe tash,” ka thënë Kurti për mediat, gjatë vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e urave mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Takimet me përfaqësuesit e partive të komuniteteve joshumicë pritet të mbahen një ditë më pas. Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balja, ka bërë të ditur se ka marrë ftesë nga presidentja Osmani dhe se takimi do të zhvillohet të enjten në orën 11:30.

Presidentja kishte mbledhur liderët politik edhe më 15 maj, kur pati organizuar një takim të përbashkët. Pas atij takimi, ajo kishte vlerësuar sjelljen konstruktive të pjesëmarrësve.

“Dua t’i përgëzoj liderët për qasjen e tyre konstruktive në këtë takim, sado që kishin qëndrime të ndryshme në shumicën dërrmuese të temave. Secili prej tyre tregoi vullnet të mirë për një zgjidhje përpara, që të konstituohet Kuvendi sa më parë,” kishte deklaruar Osmani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat