LVV-ja e kundërshton certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale

Aktuale

LVV-ja e kundërshton certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale

Më: 21 gusht 2025 Në ora: 17:32
Foto ilustrim

Një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) e ka kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit.

Duke folur në mbledhjen e KQZ-së, ku pritet të votohet për certifikimin apo jo të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit, Sami Kurteshi tha se mbi “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Kurteshi e ka kundërshtuar kandidaturën e Sasha Millosheviqit nga Lista Serbe për kryetar të Novobërdës, duke thënë se ai ishte emëruar nga qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.

"Ky luan rol dyfish", tha Kurteshi. "Ky punon në institucione të një shteti që ka synime agresive edhe ushtarake ndaj Republikës së Kosovës".

Zyra e Partive Politike në KQZ - e cila ka për obligim të shqyrtojë aplikimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje - ka rekomanduar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat