Analisti politik Driton Tali ka deklaruar se Serbia nuk ka ndryshuar qasje as pas sulmit terrorist në Banjskë, duke e cilësuar politikën e Beogradit një vazhdimësi historike që nga koha e Nikolla Pashiçit.
Ai kujtoi organizatat terroriste shtetërore si “Narodna Odbrana” dhe më pas “Dora e Zezë”, të cilat vepronin në Kosovë e Maqedoni duke kontrabanduar armë dhe kryer krime mbi shqiptarët.
Tali krahasoi figurat historike si Vojisllav Tankosiç e Punisha Raçiç me Milan Radoiçiqin e sotëm, duke thënë se Serbia gjithmonë ka përdorur rrjete kriminale të lidhura me shtetin. “Edhe pse emrat kanë ndryshuar, qasja është e njëjtë. Nga ‘Mbrojtja Popullore’ e Pashiçit deri te ‘Mbrojtja Civile’ e Vuçiçit, përshkrimi i punës mbetet i njëjtë”, tha ai, duke shtuar se përpjekjet për “normalizim të marrëdhënieve” nuk mund të kenë sukses pa njohjen e kësaj vazhdimësie historike.
Shkrimi i plotë:
A ka ndryshu Serbia nga Banjska?
Natyrisht se jo!
Për dy vite edhe sikur të tentonte është pak, e lëre më që ajo nuk e ka bërë asnjë veprim në atë drejtim.
Është e njejta Serbi, me të njejtën paradigmë kulturore, që nga kur e fitoi autonominë (1830), ambiciet e së cilës natyrisht u zhvilluan në mënyrë lineare karshi progresit të saj.
PASHIÇI..., MILLOSHEVIÇI..., VUÇIÇI...
Me 1905, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, krijohet organizata e fshehtë shtetërore terroriste "Mbrojtja Popullore" (‘Narodna Odbrana’). Në krye të kësaj organizate ishte ministri i Punëve të Jashtme (Nikolla Pashiç), ndërsa në udhëheqjen e saj merrnin pjesë anëtarët e partive të ndryshme nga pozita dhe opozita.
Në "Mbrojtjen Popullore" vepronin njerëz të të gjitha profileve si mjekë, avokatë, ushtarakë, çetnikë, diplomatë, mësues, priftërinj ortodoksë etj. Kjo organizatë krijoi rrjete terroriste gjithandej ku jetonin serbët qofshin ato territore nën Perandorinë Osmane apo Austrohungareze, nëpërmjet të cilës kontrabandoheshin armë dhe terroristë.
VOJSLLAV TANKOSIÇI, PUNISHA RAÇIÇI..., ARKANI..., RADOIÇIÇI
Në "Serbinë e Vjetër (Stara Serbia - Kosova dhe Maqedonia) udhëheqës i "Mbrojtjes Popullore" ishte Vojisllav Tankosiçi. Një kriminel i përmasave të njejta me Radoiçiçin e sotëm.
Tankosiçi (Vojvoda) nëpërmes rrjetit terrorist të "Mbrojtjes Popullore“, ku i përdorte zakonisht diplomatët dhe zyrtarët e tjerë, në "Serbinë e Vjetër" kontrabadonte armë të cilat i vendosnin nëpër manastiret ostodokse serbe, dhe pastaj ju shpërndanin banorëve lokalë serbë.
Bile Tankosiçi personalisht e përcjell Gavrillo Principin, e "Bonjes Re", për në Sarajevë, ku bënë antetatin mbi Ferdinandin, trashëgimtarin e Fronit.
Vojvoda Tankosiçi nga 1907, me njësitet e tij çetnike (organizatën famëkeqe Dora e Zezë - Crna Ruka), organizon luftën guerile në "Serbinë e Vjetër" duke i sulmuar edhe familjet e ndryshme civile shqiptare dhe bërë krime mbi to.
Pastaj pasi që Tankosiçi vdes (me 1915, si pasojë e plagëve të marra gjatë luftës) Nikolla Pashiçi e zëvendëson at me Punisha Raçiçin. Por, për nder të veprës së Vojvoda Tankosiçit, e emëron një vendbanim në Kosovë. Tashti ai vendbanim është i banuar me banorët shumicë shqiptare.
"Delia i ri" - Punisha Raçiçi - ishte ai që me 1928 shtiu me revole në Kuvend të Jugosllavisë ndaj deputetëve kroatë, me ç’rast e plagosi për vdekje deputetin Stjepan Radiç. Edhe ky, si Tankosiçi, nga 1911, ishte aktiv në Kosovë e Maqedoni, nëpëmes "Dorës së Zezë".
Raçiçi në atë kohë realisht e sundonte Kosovën nga "hija".
Se sa ishte i fuqishëm Punisha Raçiçi, tregon fakti se Gjyqi (u morr vesh nën trysnin e Pashiçit) zyrtarisht e shpall "pasardhës direkt të Stefan Deçanskit (Uroshit të Tretë - babait të Car Dushanit)", i cili ka vdekur me 1331, me qëllim që t'i legalizoheshin mijëra hektarë tokë që ja kishte uzurpuar edhe Manastirit të Deçanit.
Gjersa për Arkanin e Radoiçiçi është shkruar e folur mjaft kohën e fundit.
Pra, qasja e Beogradit është e njejta, vetëm se akterët (për mos të thënë aktorët) ndryshojnë.
Edhe organizatave shtetërore kriminale mbase i është ndërruar emri nga "Narodna Odbrana" (Mbrojtja Popullore) e Pashiçit në "Civilna Zaŝtita" (Mbrojtja Civile) e tashme e Vuçiçit. E para nën domenin e Ministrisë së Punëve të Jashtme e kjo e dyta nën domenin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Por përshkrimi i punës jo! Është i njejti!!!
Prandaj, këta që po lobojnë për "normalizim të marrëdhënieve" sikur ta mësonin historinë e Serbisë në thelbin e saj, entuziazmi i tyre do të ishte më ndryshe në atë drejtim.