Dëshmitari James Peter Covey deklaroi në Hagë se nuk e ka lexuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për të cilin rast është ftuar si dëshmitar i mbrojtjes.
Fillimisht, prokurorja Vega Iodice i tha dëshmitarit që këtë linjë pyetjesh do ta fokusojë te krimet që Covey ka evidentuar gjatë kohës sa ka qenë në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas prokurores, në deklarata të ndryshme, dëshmitari kishte thënë se krimet ishin si rezultat i mungesës së ligjit dhe hakmarrjes. Si rrjedhojë, ajo pyeti dëshmitarin Covey se a e ka lexuar aktakuzën në këtë çështje.
“Nuk e kam lexuar”, u përgjigj dëshmitari James Peter Covey, i cili njihet edhe si Jock Covey.
Prokurorja pyeti dëshmitarin se kjo i bie që ai nuk e di se cilat krime ishin pjesë e akuzave në këtë çështje gjyqësore.
“E saktë! Por, besoj që jam këtu për të folur për përgjegjësinë për ato krime”, tha Covey.