Sipas dosjes paraprake të Prokurorisë, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin kundër administrimit të drejtësisë, Thaçi përveç që nxori informacione konfidenciale, ai dha udhëzime edhe se si duhej të dëshmonin dëshmitarët. Në dosje thuhet se Thaçi i kishte konsideruar dëshmitarë vendimtar, Bislim Zyrapin, Sokol Bashotën, Sylejman Selimin dhe Shukri Bujën.
Këta persona, ZPS-ja thotë që Thaçi i kishte quajtur si të tyre në vizitën e 4 gushtit 2023 me Isni Thaçin dhe Sami Lushtakun, vizitë kjo e cila nuk është pjesë e aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, këta persona i kishte quajtur Thaçi si kryesorët e UÇK-së gjatë vizitës se 15 shtatorit me vizitorët Milaim Cakiqin dhe Idriz Thaçin.
“THAÇI më tej identifikoi këta anëtarë të brendshëm të UÇK-së si ‘katër kryesorët’ dhe ‘katër mbikëqyrësit’ gjatë vizitës së 15 Shtatorit 2023 me Milaim CAKIQI dhe Idriz THAÇI (‘Vizita 15 Shtator’)”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Përveç kësaj, si vendimtarë, këta persona ishin quajtur edhe gjatë vizitës së 1 tetorit 2023 me Isni Thaçin dhe Abelard Tahirin.
Sipas Prokurorisë, këta katër persona u udhëzuan nga Thaçi që të mos shkaktojnë dëm dhe të ishin të zgjuar si Remi.
“Gjatë disa vizitave, THAÇI tregoi se katër dëshmitarët e UÇK-së duhet të ndiqnin ‘shembullin e Remit’ dhe se do të ishte më e lehtë për ta të jepnin dëshmi pas dëshmisë shembullore të Remit”, thuhet në dosje.
Edhe një dëshmitar tjetër, emri i të cilit është i redaktuar, sipas Prokurorisë, Thaçi e konsideron të rëndësishëm e që është përmendur në vizitën e 22 shtatorit me Milaim Ahmetajn.
Cila ishte narrativa që sipas Prokurorisë po tentonte që ta krijonte Thaçi?
Sipas Prokurorisë, Thaçi po përpiqej që ta zvogëlonte dëshminë e dëshmitarëve për autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm dhe ta minimizonte përfshirjen e tij gjatë periudhës së 1998-ës deri në nëntor të atij viti.
Thaçi, sipas Prokurorisë, po tentonte që përmes dëshmitarëve të thuhej se gjatë pranverës dhe verës së 1998-ës, Shtabi i Përgjithshëm përbëhej vetëm nga “Sokoli, Rexhepi, Lahi, Xhaviti, A.Syla dhe Xheladin Gashi”, tre të fundit jashtë vendi.
Gjithashtu, të thuhej se Thaçi dhe Veseli deri në nëntor të 1998-ës merreshin me çështje politike dhe mediatike, si dhe zhvillonin takime me të huaj brenda dhe jashtë Kosovës. Kështu, duke mohuar që kanë pasur rol ushtarak. Ngjashëm edhe për Jakup Krasniqin, duke thënë se nuk ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.
Sipas Prokurorisë, në linjë me përpjekjet e tij për të minimizuar përgjegjësinë për çdo fakt që ndodhi nga nëntori 1998 deri në mars 1999, Thaçi udhëzoi Zyrapin përmes Kuçit dhe Smakajt të dëshmonte se Thaçi dhe Veseli ishin jashtë vendit gjatë asaj periudhe. Veç kësaj, të thuhet se Adem Demaçi ishte autoriteti më i lartë në UÇK.
Gjithashtu, thuhet se ishte udhëzuar të thuhej se ai ishte personi të cilit komandantët e zonave i raportonin.
Sipas Prokurorisë, ky udhëzim reflektohet në dokumentin që iu gjet Smakajt, në të cilin shkruhej: Java e dytë e gushtit Adem DEMAÇI u emërua Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK. Që nga ky moment Adem DEMAÇI ishte autoriteti kryesor për marrjen e vendimeve të UÇK. Vendet e drejtorisë politike të Shtabit të Përgjithshëm u bënë publike gjithashtu në gusht por Adem DEMAÇI ishte superior; ai kishte autoritet edhe mbi Shtabin e Përgjithshëm.
Prokuroria thotë në dosjen e saj se Thaçi udhëzoi dëshmitarët që të thonë se autoriteti dhe fuqia vendimmarrëse i takonte komandantëve të zonave dhe se ata nuk merrnin urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.
Gjithashtu, thuhet se Thaçi udhëzoi dëshmitarët të deklarojë se komunikatat dhe publikimet e pasluftës ishin propaganda, duke mohuar rëndësinë e tyre si urdhra të UÇK-së.
Veç kësaj, thuhet se Thaçi udhëzoi dëshmitarët që të thonin se vetëm Adem Jashari e kishte ngritur moralin e UÇK-së duke e minimizuar rolin e tij në këtë aspekt.
Po ashtu, thuhet se Thaçi udhëzoi dëshmitarët të tregojnë se Qeveria e Përkohshme e Kosovës ishte vetëm një aspiratë e cila nuk funksionoi për shkak të fillimit të bombardimeve të NATO-s dhe refuzimit të LDK-së për t’u bashkuar. Gjithashtu, të thuhej se Thaçi vetëm ishte propozuar si kryeministër dhe nuk kishte të drejtë të ndante detyra pasi Qeveria nuk ishte funksionale.
Përveç kësaj, thuhet se Thaçi udhëzoi që dëshmitarët të pohojnë se përgjegjësia për krimet e kryera i takon individëve dhe jo UÇK-së si organizatë. Rrjedhimisht, të thuhet se qëllimi politik i UÇK-së dhe LDK-së ishte i njëjtë.
Sipas Prokurorisë, Thaçi udhëzoi që këto ndryshime të bëheshin gjatë seancës përgatitore të dëshmitarëve të Prokurorisë që ndryshimet në deklaratat e tyre të bëheshin gjatë seancave përgatitore dhe paralajmëroi vizitorët se ZPS-ja gjithmonë pyet dëshmitarët që nëse ata janë kontaktuar para dëshmisë së tyre.
“THAÇI gjithashtu u dha vizitorëve të tij argumente për të ushtruar presion dhe për të bindur dëshmitarët që të ndryshojnë dëshminë e tyre për t’u përputhur me udhëzimet e tij, duke përfshirë inkurajimin që dëshmitarët të mos “dalin të turpëruar” dhe të mos “na turpërojnë”, që vlerësohet si një referencë për të akuzuarit në Çështjen 6. Për më tepër, gjatë Vizitës së 2 Korrikut, THAÇI i tha FAZLIU-së se “duhet ta dish që nëse nuk di si ta menaxhosh këtë, ardhja këtu do të të shkatërrojë. Ai nuk mund të kthehet më. Dua të them, njeriu ka mbaruar si person sepse – ai mund të kthehet fizikisht dhe të hajë ushqim, dhe – FADIL FAZLIU: Po. Por kjo do të thotë ‘Burgu dhe turpi’”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, provat në këtë rast janë bindëse dhe në masë të madhe përbehen nga fjalët e vet të akuzuarve të cilat janë edhe të incizuara.
Materiali i incizuar, sipas Prokurorisë, pasqyron një fushatë të qëllimshme dhe të qartë nga të akuzuarit për të ndikuar në dëshmitarët e rastit për krime lufte, duke cenuar aftësinë e Prokurorisë për të ndjekur penalisht krimet në mënyrë efektive.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.