Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryetarit të këtij institucioni, Enver Hasani, duke e akuzuar atë se po e politizon debatin rreth një vendimi të fundit të gjykatës.
Në një reagim në Facebook, Kryeziu ka thënë se Hasani po flet më shumë si komentator politik sesa si jurist, duke shmangur analizën juridike të aktgjykimit dhe duke përdorur terma të papërshtatshëm për diskursin kushtetues, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Në vend që ta lexojë aktgjykimin si jurist, Enver Hasani po e komenton si politikan i zhgënjyer.
Në vend që të analizojë ratio decidendi të Gjykatës Kushtetuese, ai flet për “sanksione”, “amnisti” dhe “rashomoniada” — fjalë që s’kanë vend në fjalorin e gjykatave, por në atë të studiove televizive.
Gjykata Kushtetuese nuk është trup disiplinues për partitë politike. Ajo interpreton Kushtetutën, jo sjelljen.
Nëse Hasani kërkon ndëshkim për LVV-në, le t’i drejtohet votuesve, jo gjykatës.
Kjo përpjekje për ta shndërruar interpretimin kushtetues në gjyq moral është pikërisht ajo që e ka rrënuar diskursin juridik në Kosovë.
Ish-presidenti i Gjykatës, me të cilin dikur e bashkë themeluam këtë institucion, sot flet me gjuhën e politikës, jo të Kushtetutës.