​Çitaku nga PDK: Pjesëmarrja në votime është në rritje

Aktuale

​Çitaku nga PDK: Pjesëmarrja në votime është në rritje

Më: 12 tetor 2025 Në ora: 15:23
Vlora Çitaku

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka folur mbi ecurinë e procesit zgjedhor, duke thënë se në përgjithësi votimi po kalon mirë, me përjashtim të disa incidenteve të vogla.

Në konferencën e dytë për media sot, Çitaku ka thënë se qytetarët po tregojnë pjekuri demokratike dhe se ata duan stabilitet dhe zhvillim.

Çitaku: KQZ duhet të adresojë problemin e ndryshimeve të vendvotimeve

“Procesi po kalon i qetë në të gjitha komunat e Kosovës, përveç disa incidenteve të izoluara në disa komuna. Shqetësim është ndryshimi i vendvotimeve në disa komuna. Ky është shqetësim duhet të adresohet nga KQZ-ja në zgjedhjet e ardhshme. Pjesëmarrja në votime është në rritje. Në shumë komuna, veçanërisht aty ku garon PDK-ja me kandidatë të fortë vërehet një frymë e qartë besimi. Qytetarët e Kosovës po dëshmojnë sot, andaj ata po votojnë për komuna që duan t’i shohin të zhvilluara”, ka thënë ajo.

Çitaku u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ende nuk e kanë ushtruar të drejtën e votës, ta bëjnë këtë deri në orën 19:00 kur mbyllen vendvotimet, duke thënë se sot më shumë se kurrë qytetarët duan stabilitet dhe zhvillim, gjë që e dëshmon pjekurinë e tyre demokratike.

Sipas platformës së KQZ-së, deri më tani të drejtën e votës e kanë ushtruar 160 mijë e 421 qytetarë në nivel vendi apo 7.92%, raporton KosovaPress.

Kosova sot po mban zgjedhjet e rregullta për kryetar të komunave dhe kuvende komunale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat