Këshilli Prokurorial i Kosovës pezullon nga detyra prokurorin Beqë Shala

Aktuale

Këshilli Prokurorial i Kosovës pezullon nga detyra prokurorin Beqë Shala

Më: 28 tetor 2025 Në ora: 14:22
Foto ilustrim

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur të pezullojë përkohësisht nga detyra zyrtare prokurorin Beqë Shala, deri në marrjen e një vendimi tjetër, përkatësisht deri në përfundimin e procedurës penale që është në zhvillim.

Sipas njoftimit të KPK-së, vendimi është marrë në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të Këshillit, pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), e cila ka konfirmuar se ndaj prokurorit Beqë Shala, që ushtron detyrën në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, është inicuar hetim penal.

Këshilli ka marrë vendimin unanimisht, duke theksuar se "masa e përkohshme e pezullimit synon të sigurojë paanshmërinë, integritetin dhe efikasitetin e procedurës penale hetimore, si dhe të garantojë zhvillimin e pandikuar të procesit".

Në njoftim theksohet se ky vendim është ndërmarrë edhe për të ruajtur besimin e publikut në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës dhe për të garantuar standardet etike dhe profesionale gjatë zhvillimit të procedurës.

Kujtojmë se një ditë më parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Marrje ryshfeti”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat