Fetoshi: Pse “Shoqëria historike ruse” e ravijëzon përkatësinë neosovjetike të Serbisë?

Aktuale

Fetoshi: Pse “Shoqëria historike ruse” e ravijëzon përkatësinë neosovjetike të Serbisë?

Më: 29 tetor 2025 Në ora: 22:18
Themelimi i degës së “Shoqërisë historike ruse” në Beograd

Drejtori i Institutit Octopus Arben Fetoshi ka reaguar pasi Shoqata Historike Ruse (RIO), e udhëhequr nga Sergey Naryshkin, drejtor i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, ka vendosur të krijojë zyrën e saj përfaqësuese në Serbi.

Fetoshi ka thënë se themelimi i degës së “Shoqërisë historike ruse” në Beograd, paraqet dëshmi të qartë se hegjemonizmi i “vëllazërisë sllave” është kërcënim serioz për sigurinë dhe rendin demokratik, teksa emërimi i ish-shefit të BIA Aleksandar Vulin në krye të kësaj zyre shpërfaq faktin se Serbia është aleat i vërtetë i Rusisë e Kinës

“Për vetëm katër ditë (24-27 tetor), tri ngjarje të ndërlidhura shpërfaqën tri nivele të një strategjie të maskuar: Aleksandër Vuçiq amplifikoi narrativen “Serbia drejt BE-së, por pa e njohur Kosovën”; Aleksandër Vulin institucionalizoi “nënshtrimin” strategjik ndaj Rusisë përmes shoqërisë “historike”; dhe Sergei Lavrov propozoi një model të ri të sigurisë për Euro-Azinë, duke “garantuar” se nuk kanë pasur dhe nuk kanë qëllim të sulmojnë ndonjë anëtar të NATO-s dhe BE-së”, përkujton Fetoshi.

“Ky trinom Lavrov-Vuçiq-Vulin riformuloi qëndrimin ndaj komunitetit euro-atlantik (duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor) sipas alternativës: ose lejoni realizimin e interesave ruso-serbe në Evropë ose do të përballeni me luftë. Një strategji e maskuar që përbën bazën e zbatimit të idesë gjeopolitike të Aleksandër Duginit për Neo-Euroaziatizmin”, shton Fetoshi.

Ai thotë se “Shoqëria Historike” do të shërbejë si platformë për rishkrimin e historisë në përputhje me narrativet për NATO-n si “agresore” dhe Serbinë si “viktimë”, përhapjen e propagandës kulturore dhe diplomatike nën petkun e “akademizmit”, dhe përgatitjen e terrenit për depërtim në institucionet arsimore dhe mediatike.

“Nëse deri tani ndikimi rus në Serbi kalonte përmes energjisë, mediave dhe politikës, tani ai po institucionalizohet me “historiografinë” dhe kujtesën kolektive, teksa është paralajmëruar të zgjerohet edhe përmes një asociacioni të universiteteve ruso-serbe.

Karakteri shtetëror i “Shoqërisë Historike” në Beograd, përveç me Aleksandër Vulin si “autor” i projektit të “botës serbe” dhe jo rastësisht i emëruar edhe senator për Republikën Serbe, vërtetohet nga pjesëmarrja e gjerë politike dhe institucionale me ministrin e Brendshëm, Ivica Daçiq, zëvendëskryetarin e Parlamentit, Neveda Gjuriq, patriarkun e Kishës Ortodokse, Porfirije, etj.”

Fetoshi përkujton se deklaratat e Vuçiq për “ndryshimin e rrethanave gjeopolitike” konfirmojnë objektivat për destabilizim dhe rrënim të infrastrukturës aktuale të sigurisë, si një parakusht për realizimin e “botës serbe”.

“Në këtë kuadër, Shoqëria Historike Ruse në Serbi është një projekt që sendërton infrastrukturën ideologjike për fazën finale të përplasjes ruso-serbe me Perëndimin. Hapja e “Shoqërisë Historike Ruse” në Beograd, përtej kërcënimit për sigurinë, ajo duhet të shihet si elementi më sfidues ndaj përpjekjeve perëndimore për normalizim nëpërmjet Procesit të Brukselit.”

“Këtë qasje e ka përdorur Serbia duke kombinuar aktorët shtetërorë dhe jo shtetërorë si Lista Serbe, strukturat ilegale, grupet terroriste, mediat, kisha dhe rrjeti i spiunazhit, për ta forcuar “unitetin” serb në Kosovë kundër “shtetit të përkohshëm” dhe “agresionit” të NATO-s. “

Kësaj strategjie tani i duhet “shoqëria historike” për ta internalizuar në vetëdijen kolektive Rusinë si “shpëtimtare” dhe për ta konsoliduar rezistencën ndaj NATO-s, Perëndimit e demokracisë si “kërcënim” për vlerat, identitetin dhe “vëllazërinë sllave”.

Në këtë kuadër, Kosova rrezikohet nga qëllimet e “shoqërisë historike” për ta formësuar vetëdijen e komunitetit serb sipas këtyre parametrave. Prandaj, themelimi i degës në Beograd duhet të shihet si një alarm për mbrojtjen e të vërtetës historike, duke mos lejuar që historia të kthehet në armë për qëllimet hegjemoniste.”/ Kosovapress

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat