Presidentja Osmani ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër

Aktuale

Presidentja Osmani ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër

Më: 4 nëntor 2025 Në ora: 18:03 Përditësuar në ora: 21:19 më 04.11.2025
Momenti kur Presidentja Vjosa Osmani mandaton Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë së re

Publikohet momenti kur Osmani mandaton Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë së re

Sot, Presidentja Vjosa Osmani ka mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Presidenca e Republikës së Kosovës njoftoi se veprim është bërë në përputhje me nenin 95, paragrafi 4 të Kushtetutës, i cili përcakton kompetencat e Presidentit për emërimin e mandatari për qeverinë e re.

Kurse, Presidentja Osmani i ka uruar Konjufcën suksese në këtë detyrë të rëndësishme.

"Sot, në përputhje me nenin 95, paragrafin 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka mandatuar z. Glauk Konjufca, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani i ka uruar suksese z. Konjufca", njoftimi i Presidencës.

Rrëmbim dhe plagosje brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe, reagon Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka folur për rastin e një qytetari të Kosovës, me kombësi serbe, i cili është plagosur nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës dhe më pas është rrëmbyer.

Ajo e ka cilësuar këtë rast si “sulm që rrezikon paqen dhe stabilitetin në tërë rajonin.”

“Të vetmet informacione që i kemi janë rezultatet e hetimeve që i kemi nga deklaratat e dëshmitarëve dhe familjarëve të tij. Të gjitha masat janë duke u marrë nga institucionet e Kosovës për të parë gjendjen shëndetësore të qytetarit të Republikës së Kosovës, lokacionin e saktë ku gjendet për momentin, por nga informatat që i kemi nga dëshmitarët dhe familjarët e tij, ai është plagosur me qëllim që të vritet, dhe pastaj është tërhequr duke u kidnapuar”.

“Ky është një sulm që rrezikon paqen dhe stabilitetin jo vetëm në zonën tonë kufitare, por në të gjithë rajonin tonë. Në mënyrë që të mos i ndërprejë institucionet tona në hetim, do t’i lë që rezultatet e këtyre hetimeve, që po bëhen edhe me mbështetjen e aleatëve tanë, përfundimisht të publikohen nga ana e Policisë. Por natyrisht se dyshimi është se ka pasur edhe shkelje të sovranitetit, edhe sulm ndaj një qytetarit të Kosovës”, deklaroi Presidentja.

Ajo tha se Policisë së Kosovës i duhet shumë pak kohë që t’i vazhdojë hetimet “së bashku me institucionet tjera, përfshirë Inteligjencën dhe aleatët tanë, para se të dalë raporti i plotë”.

Vjosa Osmani flet për mandatin e dytë: A do të rikandidojë për presidente?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për mundësinë e rikandidimit të saj si e para e shtetit.

Ajo në konferencën për media, tha se do ta përfundojë mandatin e saj të plotë, deri në ditën e  fundit.

Osmani shtoi se fillimisht duhet të bëhen Kuvendi e Qeveria e pastaj i vjen radha edhe çështjes së Presidentes.

“Do të jem këtu deri në ditën e fundit, e kam marrë mandatin për 5 vjet dhe do ta përfundoj atë të plotë. Sa i përket rikandidimit, le ta kemi njëherë një Kuvend e Qeveri, e pastaj i vjen radha edhe çështjes së Presidentes”, deklaroi Osmani.

Osmani thotë se VV e ka bindur se i kanë gjasat për krijimin e Qeverisë së re

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër.

Ajo u pyet se çfarë granci mori nga Vetëvendosje nëse i ka numrat në Kuvendin e Kosovës.

“Garanca jepet në Kuvend, ndërsa gjasat jepent te unë në zyre”

“Kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, u takon atyre që t’i bëjnë votat dhe mua më takon që të bindem që i kanë gjasat dhe mua më kanë bindur” – ka thënë ajo.

Osmani: Deputetët ta kenë parasysh formimin e qeverisë, është në interes të shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencë për media tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta kenë parasysh formimin e qeverisë.

Sipas Osmanit, është e rëndësishme që të Kosova t’i ketë institucionet, pasi është periudhe e ndjeshme për vendin tonë, përfshirë kërcënimet ndaj sovranitetit nga Serbia.

Tutje, Osmani shtoi se të gjitha veprimet që ajo po ndërmerr janë në funksion të mbrojtjes së stabilitetit kushtetues.

“Mendoj që është e rëndësishme që në një periudhe kaq të ndjeshme në vendin tonë, përfshirë kërcënimet ndaj sovranitetit tonë nga Serbia, që ne të gjejmë rrugën përpara, që partitë politike shpresoj që të gjejnë mundësinë që në ditët në vijmë të kalohet plani i rritjes dhe së paku zgjatja buxhetore. Ka mundësi që të bëhen gjëra të mira për këtë vend. Shpresoj shumë që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do ta kenë këtë parasysh. Të gjitha veprimet që po ndërmarr janë vetëm e vetëm në funksion të mbrojtjes së stabilitetit kushtetues dhe sigurimit të mirëqenies së qytetasve tanë që duhet të jenë prioritet.

Ndër tjerash, Osmani tha se qytetarët kanë humbur mjaftueshëm me moskrijimin e institucioneve, dhe se verdiktin final e japin 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Në këtë drejtim si presidente kam përgjegjësinë që të gjej kritere mbizotëruese për formimin e qeverisë së re që të shmangen zgjedhjet. Qytetarët kanë humbur mjaftueshëm nga moskrijimi i institucioneve, dhe përtej paragjykimeve politike si presidente e Republikës e verdiktin final e japin 120 deputetet e Republikës së Kosovës që e kanë vullnetin e lirë të votojnë ashtu siç duan vetë.  Mendoj që është interes i përgjithshëm që të kemi institucione. Po flasim për 1 miliardë euro të cilat nuk guxojmë t’i humbasin”, tha Osmani.

Osmani mandaton Konjufcën për kryeministër

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar mandatimin e Glauk Konjufcës, për kryeministër të ardhshëm.

Kësisoj, ajo i ka hapur rrugën Konjufcës të formojë kabinetin qeveritar, i cili do të dërgohet në Kuvend për votim.

Në një konferencë për media, Osmani ka deklaruar se ka ftuar partitë opozitare për t’u ofruar mundësinë e mandatarit, por që të njëjtat e kanë njoftuar presidenten se nuk do të sjellin emër tjetër për mandatar.

Me këtë rast, presidentja u shpreh se caktoi Konjufcën si mandatar të dytë, në përputhje me dispozitat ligjore dhe kushtetuese.

Një gjë e tillë, sipas Osmanit, është në interes të qytetarëve, sidomos procesi i votimit të buxhetit të vitit të ardhshëm, që është jetik për pagat e punëtorëve të sektorit publik.

“Vet funksionalizimi i shtetit rrezikohet nëse shkojnë disa muaj e ne nuk kemi institucione. Me qëllim që të parandaloj këtë dëm dhe të jepet hapësirë ku mund të merren këto vendime, dhe me qëllim që të përmbush obligimin tim, duhet të kemi interpretime pozitive për krijimin e institucioneve” u shprhe presidentja.

Presidentja nis konferencën e shumëpritur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur konferencën për media sonte në orën 19:00.

Aty  po flet për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë tek çështja e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Live: Presidentja nis konferencën e shumëpritur

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do të mbajë një konferencë për medie në orën 19:00.

Kështu ka bërë të ditur zyra për informim e Presidencës së Kosovës, por pa dhënë detaje për arsyen e mbajtjes së kësaj konference.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mban sot (4.11.2025), në orën 19:00, konferencë për media.

Vendi: Kabineti i Presidentes;

Mirëpresim ekipet tuaja!”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se pak më herët presidentja Osmani është takuar me krerët e dy partive politike, LDK e PDK të cilët sipas raportimeve kanë deklaruar se nuk kanë vota për Glauk Konjufcën që sot u propozua si mandatar i ri për formimin e Qeverisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat