Tensione brenda PDK-së – Lladrovci: Askush s’mund të më largojë nga PDK

Aktuale

Tensione brenda PDK-së – Lladrovci: Askush s’mund të më largojë nga PDK

Nga: A.SH Më: 8 nëntor 2025 Në ora: 15:35
Ramiz Lladrovci

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj zërave për përjashtimin e tij nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke i quajtur ato “tendenca të kota”.

Në një postim në Facebook, Lladrovci tha se është i përkushtuar ndaj vlerave të kombit dhe qytetarëve të tij, duke theksuar se politika për të nuk është “bukë e mykur” dhe se ka vepruar me nder që nga rinia e hershme.

Ai kritikoi “analistët e paguar” që sipas tij po tentojnë ta njollosin, duke shtuar se “boja e zezë që ata bartin do të mbetet pronë e tyre”

Lladrovci uroi kandidatët e PDK-së për fitore në zgjedhjet lokale dhe theksoi se “fitorja e tyre është fitore për heronjtë e luftës dhe paqes”.

“Po u ndal PDK, ndalet Kosova”, tha ai, duke shtuar se do të vazhdojë betejën për forcimin e partisë dhe të shtetit me vlera euro-atlantike.

Postimi i plotë:

Tendenca për të më larguar nga PDK është e kotë

Mendim kam pasur edhe kur ishte i ndaluar, veprim kam pasur edhe kur ishte i ndëshkueshëm, aksion kam ndërmarrë edhe kur mund të më kushtonte me jetë, prandaj i kam thënë vetes, ndjek rrugën e nderit, pavarësisht çmimit.

I disiplinuar, por kur duhet eksploziv, veti e karakterit të cilin e kam paguar dhe bartur me dinjitet, ndërsa politikën nuk e shoh si bukë të mykur as si bukë që marr nga maxhja e huaj.

Nga fillimi, sqarimet për veprimet e mia para qytetarëve të komunës nga zemra e Kosovës janë të panevojshme, sepse më njohin, ashtu edhe për miqtë e dashamirët gjithandej trojeve shqiptare. Jam i përkushtuar për interesin e përgjithshëm, ashtu sikur për kombin tim, për të cilin nga rinia e hershme dhashë dëshmi.

Çdo angazhim e kam të lidhur me vlerat që ia sjelli qytetarëve të mi dhe kombit tim. Këtë e kam dëshmuar para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare. Sot, ndjehem mirë por jo i vetëkënaqur. Për më shumë energji ka nevojë vendi dhe PDK, ashtu si të gjitha forcat politike për një Kosovë më të mirë.

Vendi ka nevojë për më shumë mirëkuptim, unitet, tolerancë e nderim për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, më shumë nderim për veten dhe mundimet e mëdha për të arritur deri këtu, bashkë me aleatët.

Sot, para matjes finale në zgjedhjet lokale, mendoj se analistët e paguar për të më nxjerr jashtë PDK-së, e kanë të kotë. Tendenca për të më njollosur nga disa anë, është e padobishme dhe boja e zezë që ata persona bartin kundër meje, do të mbetet pronë e tyre.

Kandidatëve të PDK-së, miqve të mi, me zemër e shpirt ju dëshiroj e uroj fitore, Shaqës, Arianit, Sokolit, Feritit, Sabedinit dhe Shabanit. E di se ky deklarim disave nuk ju mjafton, as nuk ju pëlqen, por, ky jam unë. Tjerat janë manipulim për llogari të keqbërësve.

Prandaj, fitorja e kandidatëve të PDK-së, do të jetë fitore për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, do të jetë fitore për themeluesit dhe ndërtuesit e shtetit, të subjektit politik i cili nuk guxon të ndalet. Po u ndal PDK, ndalet Kosova.

Gatishmëria ime është e madhe për betejat pas të dielës, për të vërtetën, fuqizimin para sfidave që na presin, mundësive të rigjetjes së energjive për t’i pri me dinjitet ideve për shtetin e Kosovës me vlera euro-atlantike.

Në rrethanat të cilat krijohen jashtë mundësive të mia, Kosova është e para, andaj, veprimet e kushtëzuara të lidhura me shkaqet aktuale të organizimit dhe hierarkisë politike, ngrehin çështje më të mëdha se fati im politik.

Misioni i disa keqbërësve për të më anatemuar dhe për të më nxjerrë nga subjekti politik të cilit ia dhashë më të mirën nga vetja, bashkë me qytetarët e Drenasit dhe bashkëpunëtorët, do të dështojë, ashtu siç dështuan manovrimet e pa kurrizorëve më 12 tetor.

Kontributin tim jetësor në rrugën e përbashkët me bijat e bijtë më të mirë të kombit, nuk mund ta zbeh askush, as mercenarët, as profiterët e rastit. Këtë rrugë e kam detyrim, për të shkuarën dhe të tashmen, për një të ardhme më të mirë për shtetin dhe kombin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat