Pas gjetjes dhe identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, në respektim të kërkesës së familjes, sot janë rivarrosur mbetjet mortore të viktimës së luftës, Xhemali Kabashi.
Ceremonia e rivarrimit u mbajt në varrezat e fshatit Sopijë, ku familja, të afërmit, qytetarë të shumtë si dhe përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur nderuan kujtimin dhe sakrificën e tij. Me këtë rast, Komisioni shprehi ngushëllimet më të sinqerta për familjen Kabashi, duke ndarë me ta dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë.
Xhemali Kabashi, viktimë e luftës së fundit, ishte në Listën e Personave të Zhdukur që nga prilli i vitit 1999.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur riafirmon përkushtimin e palëkundur për zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur me forcë, si dhe për mbrojtjen e të drejtës së familjeve për të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.