Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës.
Kurti ka theksuar se partneriteti mes dy vendeve është i bazuar në vlera të përbashkëta demokratike dhe siguri, duke rikujtuar se mbështetja gjermane ka qenë e pranishme edhe para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Postimi i plotë:
Gjermania ka qenë partnere e palëkundur e jona edhe para pavarësisë. Si dy shtete mike dhe aleate, bashkëpunimin e kemi të rrënjosur në vlerat e përbashkëta që kemi si shoqëri dhe popuj, dhe në vizionin që ndajmë për një Evropë demokratike, të zhvilluar dhe të sigurt.
I urova mirëseardhje ministrit gjerman të Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, dhe e sigurova se Republika e Kosovës është e vendosur dhe e përkushtuar të punojë bashkë me Gjermaninë për të thelluar raportet bilaterale dhe për të avancuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.