Në Shkup të Maqedonisë së Veriut do të protestohet para datës 22 dhjetor, në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kështu u bë e ditur nga kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.
Protesta do të mbahet para përmbylljes së procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka thënë kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
Gucati flet për protestën në Shkup, e cila do të mbahet para datës 22 dhjetor
“Ne jemi koordinuar që bashkërisht ta bëjmë një protestë në Shkup në muajin dhjetor. Kjo ka qenë sot takimi jonë me kryetarin e partisë, apo me ish-komandantin që e patëm ën takim, ne u dakorduam që në muajin dhjetor, para datës 22 dhjetor të mbahet protesta në Shkup, me vëllezërit tanë atje dhe kjo është protesta e gjashtë e radhës që mbahet. Ne e kemi marrë si obligim dhe detyrim i joni nga këshilli drejtues dhe kryesia e ngushtë që të mbajmë këto protesta në Prishtinë, Tiranë, Hagë, Strasburg dhe protesta përmbyllëse është në Maqedoni, pikërisht në Shkupin e shqiptarëve”, deklaroi Gucati.
Pas takimit me krerët e OVL-UÇK-së, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se edhe shqiptarët nga Maqedonia e Veriut e kanë obligim moral që të protestojnë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Obligim moral e kanë edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që të demonstrojnë, thotë Ahmeti
"Ne në vazhdimësi kemi shprehur shqetësimet tona për padrejtësitë qe i bëhen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për vepra të pabëra të UÇK-së. Siç tha kryetari Gucati, këto demonstrata janë mbajtur në të gjitha hapësirat, si në vend ashtu edhe jashtë vendit. Një obligim moral e kanë edhe shqiptarët, pjesëtarët e UÇK-së në Maqedoni, të cilët kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës, e kanë një obligim moral pjesëtarët e ushtrisë kombëtare për të shprehur pakënaqësitë dhe për të demonstruar pafajësinë e bashkëluftëtareve tanë për detajet do të njoftohet opinioni, do të bashkëbisedohet me këshillin organizativ këtu si dhe me këshillin organizativ që do të funksionojë për organizimin e protestës në Shkup ", ka thënë Ahmeti.
Delikate e ka konsideruar Ahmeti çështjen e veteranëve të cilët do të marrin pjesë në këtë protestë, teksa u pyet se si do të sigurohen të njëjtit që nuk do të arrestohen sapo të kalojnë kufirin në Maqedoninë e Veriut.
Nuk kemi të dhëna prej institucioneve se kush mund të jetë i ndjekur, thekson Ahmeti
“Kjo është një çështje paksa delikate dhe do të jemi të kujdesshëm në këto lëvizje, sepse ne nuk kemi të dhëna prej institucioneve se kush mund të jenë të ndjekur nga denoncimet që i bën Beogradi. Kjo do të jetë një çështje që do të diskutohet mes këshillit organizativ këtu dhe në Shkup”, tha Ahmeti.
Ndërkaq, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati tha se ata që nuk e ndjejnë vetën të sigurt të mos marrin pjesë në protestë.
Ata njerëz që nuk e ndjejnë vetën të sigurt mos të vijnë në protestë, thotë Gucati
“Unë besoj që protesta në Shkupin e shqiptarëve do të jetë shumë e madhe, do të jetë shumë masive. Do të vijnë nga Kosova, Shqipëria, nga viset tjera shqiptare. Mirë tha edhe zotëri Ahmeti, ne do të shohim të gjitha rastet ato ku mund të jenë, nuk besoj se do të ketë arrestime, unë besoj se shteti i Maqedonisë në këtë radhë nuk do e dëgjojë Serbinë, edhe pse Serbia dominon shumë aty, edhe pse Serbia ka lëshuar fletëarrest. Isha në Francë, isha në Zvicër, isha në Holandë dhe në shumë shtete të Evropës, dhe nuk kisha problem, kështu që nuk besoj që do të kenë problem. Aty ku mendojmë ne, ne do të bëjmë apel, ata njerëz që nuk e ndjejnë vetën jo të sigurt, mos të vijnë. Por, qytetarë do të ketë shumë nga Kosova, me siguri do të ketë shumë qytetarë, është protestë përmbyllëse, Shkupi i shqiptarëve do të mirëpret shumë shqiptarë”, u shpreh Gucati.
Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Ëesley Clark ka dëshmuar gjatë kësaj jave në mbrojtje të ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Gucati tha se dëshmia e Clark është “bombë për Gjykatën Speciale”.
Gucati: Wesley Clark do të jetë bombë për Gjykatën Speciale
“Unë kam thënë edhe më herët Ëesley Clark do të jetë bombë për Gjykatën Speciale, i vetmi njeri që ka thënë Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kriminale është krimineli i ballkanit, Millosheviqi. Dhe nuk besoj që dikush tjetër mund të thotë atë që ka thënë Millosheviqi, në përjashtim prokurorëve të Gjykatës Speciale të cilët pretendojnë se UÇK ka bërë krime, që është e pavërtetë është një gënjeshtër e madhe nga një njeri i çmendur, këtë e kam thënë edhe në Strasburg në Francë”, tha ai.
Edhe bashkëluftëtari Ali Ahmeti ka folur për rëndësinë e dëshmisë së Clark, duke e cituar se çka i kishte thënë para dy vitesh.
Ahmeti: Me gjeneralin Clark unë kam patur takim para dy vitesh
“Me gjeneralin Clark unë kam patur takim para dy vitesh, na ka rrëfyer takimin me Millosheviqin se ‘lëreni ne i rregullojmë shqiptarët’, si do të rregullojë? ‘Do i vrasim të gjithë’. Por dje në Tribunal më rrëqeth trupi kur e dëgjova që ja thotë edhe Tribunalit gjenerali Clark. A ka dëshmi më të madhe se kur vet presidentit i shtetit pohon përpara gjeneralit të NATO-s që ne do i vrasim të gjithë shqiptarët... Gjenerali Clark bëri deklarata jo vetëm në mbrojtje të çlirimtarëve tanë, por gjithë çlirimtarët që luftuan për liri dhe pavarësi”, përfundoi Ahmeti.
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dielën kanë protestuar para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë.
Një tjetër protestë e madhe është mbajtur më 17 tetor në Tiranë me kërkesën për drejtësi për ish-eprorët e UÇK-së.
Një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, është mbajtur edhe protesta në Hagë, në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota.