Avokati paralajmëron ankesë në Apel  pas refuzimit të kërkesës së Kelmendit

Aktuale

Avokati paralajmëron ankesë në Apel  pas refuzimit të kërkesës së Kelmendit

Më: 5 dhjetor 2025 Në ora: 13:43
Besim Kelmendi

Avokati Flakron Sylejmani, përfaqësues ligjor i Besim Kelmendit, ka paralajmëruar për “Betimi për Drejtësi” se do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit pas refuzimit të kërkesës së klientit të tij për masën e përkohshme të sigurisë dhe rikthimin në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Avokati ka theksuar se aktvendimi i gjykatës ka të bëjë vetëm me masën e përkohshme të sigurisë dhe se çështja meritor ende nuk është shqyrtuar, pra ligjshmëria e vendimit për shkarkim nuk është vlerësuar. Procedura meritore mbetet e hapur dhe në shqyrtim.

Sipas Sylejmanit, arsyetimi i dhënë nga gjykata nuk pasqyron në mënyrë të plotë standardet e nenit 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative, veçanërisht lidhur me rrezikun e dëmit të pakthyeshëm dhe rëndësinë institucionale të funksionit të ushtruar nga Kelmendi.

Ai ka theksuar se këta elementë janë vendimtarë në këtë fazë dhe kërkojnë trajtim të posaçëm dhe substancial.

Avokati ka nënvizuar rëndësinë institucionale të pozitës së U.D. Kryeprokurorit të Shtetit dhe ka argumentuar se ndërprerja e ushtrimit të saj para një vendimi meritor mund të krijojë pasoja që nuk mund të rikuperohen më vonë, madje edhe në rast të aprovimit të padisë. Ligji parasheh masën e sigurisë si mjet mbrojtës për të garantuar stabilitet dhe integritet institucional deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Sylejmani ka siguruar opinionin publik se ankesa do të përmbajë të gjitha argumentet juridike të mbështetura në ligj dhe në parimet e së drejtës administrative. Ai shprehu bindjen se Gjykata e Apelit do ta vlerësojë drejt dhe me paanshmëri këtë çështje, duke garantuar zbatim korrekt të ligjit dhe mbrojtje nga dëmi i pakthyeshëm.

Avokati gjithashtu ka theksuar se të gjitha veprimet juridike janë transparente, të ligjshme dhe të orientuara drejt mbrojtjes së së drejtës dhe integritetit institucional.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat