Ambasada e Kosovës në Kroaci del me njoftim për situatën në kufijtë ku kalojnë mërgimtarët

Aktuale

Ambasada e Kosovës në Kroaci del me njoftim për situatën në kufijtë ku kalojnë mërgimtarët

Më: 22 dhjetor 2025 Në ora: 11:34
Foto nga vendi i ngjarjes

Ambasada e Kosovës në Kroaci, ka dalë me një njoftim për situatën në pikat kufitare të Kroacisë me Serbinë, si dhe të Kroacisë me Malin e Zi.

Në njoftimin e fundit të saj, kjo ambasadë thotë se situata aktualisht është stabile.

“Megjithatë, për shkak të zbatimit të Sistemit Evropian të Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES), procedurat e kalimit kufitar mund të jenë të ngadalësuara. EES është një sistem i ri digjital i Bashkimit Evropian për regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve të vendeve të treta në zonën Shengen dhe ka hyrë në funksion më 12 tetor 2025”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Ambasada e Republikës së Kosovës është duke e përcjellë me vëmendje situatën në pikat kufitare të Kroacisë me Serbinë, si dhe të Kroacisë me Malin e Zi.

Situata aktualisht është stabile. Në veçanti, pas bisedës telefonike ndërmjet ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kroacisë, z. Davor Božinović, ka rezultuar me hapjen e të gjitha sporteleve në kalimet kufitare kroate, duke kontribuar në lehtësimin e qarkullimit.

Megjithatë, për shkak të zbatimit të Sistemit Evropian të Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES), procedurat e kalimit kufitar mund të jenë të ngadalësuara. EES është një sistem i ri digjital i Bashkimit Evropian për regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve të vendeve të treta në zonën Shengen dhe ka hyrë në funksion më 12 tetor 2025.

Të gjithë bashkatdhetarëve tanë që janë duke udhëtuar drejt Kosovës për t’i kaluar festat e fundvitit pranë familjeve të tyre, ju urojmë rrugë të mbarë, shëndet dhe festa të mbara.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat