Ka përfunduar procesi i votimit në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Iliria” në Prishtinë, e cila është një ndër qendrat më të mëdha të votimit, me mbi 10 mijë qytetarë me të drejtë vote.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Drita Nishevci, ka deklaruar për KosovaPress se procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente, duke theksuar se çdo paqartësi e qytetarëve është tejkaluar me shpjegimet e duhura nga komisionarët, kryesuesit dhe në bashkëpunim me KQZ-në dhe KKZ-në.
Nishevci: Çdo gjë ka shkuar në rregull
“Çdo gjë ka shkuar në rregull, ka pasur ndonjë pyetje çka qytetarët kanë pasur të paqartë, mirëpo me shpjegimet e duhura, në ndihmesë të KQZ-së dhe KKZ-së, dhe vet komisionarëve dhe kryesuesve çdo gjë është tejkaluar. Nuk kemi pas incidente. Ka qenë një qytetari e nivelit më të lartë që përherë qytetarët e Kosovës kanë qytetari në votime”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka vlerësuar edhe nivelin e qytetarisë gjatë procesit të votimit, duke e cilësuar atë si të lartë.
Nishevci: Deri në ora 18:00 kanë qenë 684, pra, 5.5 për qind
“Deri në ora 18:00 kanë qenë 684, pra, 5.5 për qind. Është një fluks i mirë i qytetarëve, ka mujt me qenë edhe më mirë pasi jemi qendër e madhe e vendvotimit. Në komunën e Prishtinës fluksi i Prishtinës ka qenë bukur i madh sipas sondazheve të cilat janë nxjerr... Në krahasim me vendvotim sa janë qytetarët të parashikuar në këtë vendvotim nuk është bash, por nuk do të dorëzohemi, është një për qindj e mirë... Është përafërsisht një numër i njëjtë i qytetarëve të cilët kanë votuar, aty sillet”, ka shtuar ajo.
Kosova sot ka përmbyllur me sukses procesin zgjedhor të votimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
RTV Dukagjini ka publikuar rezultatet e Exit-Poll të Ubo Consulting i cili thotë se Lëvizja Vetëvendosje del partia e parë e pasuar nga PDK si e dyta dhe LDK si e treta.
Sipas këtij Exit Polli LVV ka marrë 45.7 %, PDK ka marrë 22.00 %, LDK 15.6 %, AAK 5.3 % dhe NISMA 1.7%.
Sipas të dhënave të procesuara deri tani nga KQZ në Kosovë kanë votuar 771 mijë e 912 qytetarë nga 1 milionë e 999 mijë e 204, apo 38.61% e qytetarëve me të drejtë vote.