“Tym i bardhë” në LDK: Abdixhiku i mbijeton votëbesimit

Aktuale

“Tym i bardhë” në LDK: Abdixhiku i mbijeton votëbesimit

Më: 31 janar 2026 Në ora: 08:22 Përditësuar në ora: 16:14 më 31.01.2026
Lumir Abdixhiku

Kuvendi i LDK-së vendos: Votimi do të jetë i fshehtë

Pas përfundimit të fjalimeve në Kuvendin e Punës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, delegatët kanë kaluar në fazën e diskutimit lidhur me mënyrën e votimit për zgjedhjen e liderit të partisë, nëse votimi do të jetë i fshehtë apo i hapur.

Media mëson se mënyra e zgjedhjes së liderit do të jetë me votim të fshehtë.

Kuvendi i LDK-së me dyer të mbyllura vazhdon debatin para votimit për dorëheqjen e Abdixhikut

Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës po zhvillon punimet me dyer të mbyllura, ku pritet të merret vendimi nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë ose jo në krye të partisë, pas kërkesës së tij për votëbesim.

Fillimisht, Kuvendi kishte në rend dite pesë pika për shqyrtim, ndërsa pas fjalimit gati njëorësh të Abdixhikut u hap debati, i cili u mbyll për media. Në vijim, delegatët do të shqyrtojnë dhe votojnë sipas nenit 27, pika 1 e Statutit të LDK-së, përpara përmbylljes së punimeve.

Sipas këtij neni, kryetari i LDK-së i përgjigjet Kuvendit, ndërsa çështja e votëbesimit mund të ngrihet nga një e treta e delegatëve ose nga vetë kryetari.

Gjatë fjalimit, Abdixhiku u ofroi delegatëve dorëheqjen e tij për shqyrtim, duke theksuar se ky veprim buron nga përgjegjësia morale dhe politike, e jo nga shmangia e përgjegjësisë. Ai tha se çdo vendim i Kuvendit do të respektohet me qetësi dhe dinjitet.

Abdixhiku foli edhe për kritikat dhe “sulmet” që, sipas tij, i janë bërë edhe nga brenda partisë, duke theksuar se në një LDK demokratike kryetari është gjithmonë i ekspozuar. Ai bëri thirrje për unitet dhe shmangie të përçarjeve brenda partisë.

Fjalimi i tij u përcoll me duartrokitje në këmbë nga një pjesë e delegatëve, por jo nga të gjithë. Në rreshtin e parë u panë të ulur Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti dhe Arben Gashi, të cilët kohëve të fundit kanë shprehur kritika ndaj Abdixhikut, pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Para nisjes së Kuvendit, Abdixhiku kishte deklaruar se do të ketë debat dhe diskutime, përpara se delegatët të votojnë për fatin e tij politik.

Kuvendi i LDK-së mbyll dyert: 355 delegatë do të vendosin për të ardhmen e Abdixhikut si lider

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij hapës në Kuvendin e partisë, tha se këtë Kuvend e ka mbledhur vet, pa pritur të bëhen zhurma.

Ai deklaroi se nata e zgjedhjeve nuk ishte vetëm një rezultat politik, por një pasqyrë e përpjekjeve, mundit e sakrificës të shumë njerëzve që pesë vitet e fundit panë teksa shembeshim para syve.

“Jemi mbledhur këtu në këtë Kuvend sepse kështu e kërkon përgjegjësia, kështu e kërkon LDK. Ky Kuvend nuk më është mbledhur, e kam thirrur dhe mbledhur vet, nuk kam pritur të bëhet zhurma dhe as të jepen ultimatume që u bën gjithsesi.

“Akti i parë i këtij obligimi moral është ballafaqimi, me rezultatet, me pritjet, me anëtarësinë, me vetveten, mbi të gjitha mbi të ardhmen tonë”.

“Më lejoni t’i heq të gjitha dyshimet, dhe të them po, se përgjegjësia është e imja. Dhe se po, vendimmarrja do t’u kthehet juve. Nuk lejoj askush tjetër të vendos për fatin e LDK-së, përveç Kuvendit”.

Kujtim Shala zgjidhet udhëheqës i punimeve të Kuvendit të LDK-së

Në Kuvendin e Punës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot është zgjedhur Kujtim Shala si udhëheqës i punimeve.

Media mëson se me propozim të sekretarit të partisë, Imri Ahmeti, dhe me votë unanime të delegatëve të pranishëm, Shala u zgjedh udhëheqës i këtyre punimeve.

“Ik, lësho vendin”, Abdixhiku në Kuvend rikujton kërkesat që i shkuan nga Hoti e Hykmete Bajrami

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në Kuvendin e LDk-së ka folur edhe për kritikat që i janë drejtuar pas 28 dhjetorit dhe kërkesat nga anëtarët të LDK-së për dorëheqje.

Abdixhiku në adresimin e tij duket se i është përgjigjur Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit, të cilët kërkuan dorëheqjen e tij.

“Dorëheqja më është kërkuar kur i kemi rritur 70 mijë vota e lëre më tash.Por kishte një evoluim të çuditshëm dhe jokonsistent në këtë kërkesë. Fillimisht, nuk u mjaftonte paralajmërimi për dorëheqje të ofruar në Kuvend, u artikulua kërkesa për dorëheqje të parevokueshme. Ik, lësho vend, mu tha.Më pas, ajo kërkesë u shndërrua në ultimatum. Po nuk u dha dorëheqja juaj, do të japim ne. Disa dhe dhanë, ndonëse e tëra çfarë kërkonim, unë dhe bashkëpunëtorët tanë, ishte trajtimi i brendshëm i secilës çështje që kishim. Këtu pra. Në këtë Kuvend.

Dhe në fund, pas ultimatumit dhe natyrisht mospranimit të tij, u shpall ideja se akti i dorëheqjes qenka tashmë i kryer dhe Kuvendi i LDK-së s’ka çfarë të vendosë.Merreni me mend.
Kuvendi i LDK-së nuk mund të vendosë më! E kush pra
?”, ka deklaruar Abdixhiku.

Abdixhiku ia dorëzon fatin politik Kuvendit të LDK’së

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ofruar dorëheqjen e tij para Kuvendit të partisë dhe pyeti delegatët se çfarë dëshirojnë të bëjnë me të si kryetar dhe me të ardhmen e LDK-së.

 “Me përgjegjësi të plotë morale e politike, ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time nga detyra e kryetarit për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit. Nuk e bëj këtë për të shmangur përgjegjësinë, por për ta përmbushur si detyrim moral. S’e bëj këtë për të krijuar krizë. Prandaj, ju pyes çfarë dëshironi të bëni me mua si kryetar dhe me të ardhmen e kësaj partie? Çfarëdo vendimi që merrni unë do ta respektoj me qetësi, me dinjitet dhe me plot besim”, tha ai gjatë fjalës para Kuvendit.

Abdixhiku tha se përgjegjësia i takon atij.

“Përgjegjësia ka emër, ka funksion, ka adresë dhe sot kjo adresë jam unë si prijës i kësaj partie. Unë i marr mbi vete të gjitha përgjegjësitë. Plotësisht. Prijësi nuk është ai që del përpara veç kur gjërat nuk shkojnë mirë”.

Ai bëri thirrje për unitet brenda partisë dhe tha se LDK mund të ringritet

“Nuk mundemi pa njëri-tjetrin. Asnjë lider nuk e ngrit një parti vetëm. Asnjë strukturë nuk funksionon pa njerëz, asnjë e ardhme nuk ndërtohet mbi përçarje të brendshme. Unë besoj që kjo shtëpi e ka këtë kapacitet. Ringritja është fati ynë. Këtë rrugë e kemi bërë njëherë, nuk arritëm ta mbajmë gjatë, mund ta bëjmë sërish.

Abdixhiku tha se edhe në të kaluarën LDK është ngritur me “punë të heshtur, me organizim, me durim dhe me njerëz që nuk u larguan kur ishte vështirë”.

“U ngrit jo me zhurmë, jo me përçarje, jo me hakmarrje, por me qartësi. Nëse e kemi bërë njëherë, mund ta bëjmë sërish. Sot e kemi përvojën e ringritjes. Kemi nevojë ta forcojmë veten aty ku kemi ngecur”.

“LDK ka qenë gjithmonë më e fortë kur ka ditur të bashkojë mendimin me përgjegjësinë. Dhe këtu qëndron e ardhmja jonë politike. Jo në ikje, jo në ndarje, jo në falje e hakmarrje, por në ringritje të përbashkët”.

Abdixhiku: LDK-së i ka munguar solidariteti i brendshëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur në kuvendin hapës të partisë, duke adresuar hapur sfidat e brendshme me të cilat përballet LDK-ja.

Abdixhiku tha se partia nuk ka arsye të fshihet dhe se duhet të flitet troç për problemet ekzistuese, duke e përmendur mungesën e solidaritetit të brendshëm si një nga dobësitë kryesore.

“Ne nuk kemi arsye të fshihemi, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur. Le ta themi troç, LDK-së i ka munguar solidariteti i brendshëm dhe pa këtë solidaritet do të ngrihemi vetëm për të rënë, ashtu siç na ndodhi në vitin 2025. I shtuam 70 mijë vota, por i humbëm 45 mijë prej tyre dhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi, përgjegjësi për votat që vetë i kemi shtuar e që i kemi humbur për mungesë solidariteti, kur përgjegjësia nuk merret nga pozitat drejtuese. Pa një betejë të sinqertë për ta ngritur partinë, nuk do të na shohin as të gatshëm e as idealistë”, tha ai.

Sipas tij, pa marrjen e përgjegjësisë nga pozitat drejtuese dhe pa një betejë të sinqertë për ngritjen e partisë, LDK-ja nuk do të perceptohet as si e gatshme dhe as si idealiste në sytë e qytetarëve.

“Demokracia e ka fjalën e lirë dhe pa të ajo nuk ekziston, por demokracia ka edhe shtylla thelbësore, pa to, fjala mbetet zhurmë dhe liria kthehet në paralizë. Vendimi i shumicës nuk e shuan mendimin e mirë, por e përmbyll procesin. Pas mbylljes, demokracia kërkon diçka tjetër, rreshtim, jo nënshtrim, por angazhim, jo heshtje, por kontribut. Kjo është prova e vërtetë e demokracisë”, tha mes tjerash Abdixhiku.

Abdixhiku: Vendimmarrja mbi fatin e LDK-së i takon vetëm anëtarësisë, jo interesave të tjera politike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha në Kuvendin e partisë se përgjegjësia për vendimet politike i takon vetëm anëtarësisë dhe asnjë organ apo interes i jashtëm nuk mund të ndikojë në fatin e LDK-së.

Ai theksoi se drejtimi i LDK-së është një sfidë unike demokratike, e cila kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe lidership demokratik:

“Të nderuar delegatë, të mbledhur në këtë kuvend, më lejoni të dashur delegatë, sepse para se të shtroj fjalët e tjera, në këtë fjalimin tim sot, më të gjatë se zakonisht, t’i heq të gjitha dyshimet, të gjitha mëdyshjet, t’ju shikoj drejt e në sy e t’ju them se po, përgjegjësia është e imja, se në fund të këtij fjalimi do t’ju shtroj këtë përgjegjësi, se po, vendimmarrja mbi këtë përgjegjësi dhe jo vetëm, do t’ju kthehet vetëm juve dhe askujt tjetër. Sepse për aq sa jam kryetar, nuk lejoj, nuk shoh dhe nuk pranoj asnjë trup, asnjë interes, asnjë platformë, asnjë organizim tjetër politik-partiak të vendosë për fatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, përveç këtij kuvendi dhe anëtarësisë së kësaj familje. Unë kam zgjedhur të dal përpara jush, jo sepse e kam të lehtë, por sepse e ndjej të domosdoshme. Sepse kam besuar gjithmonë se njeriu nuk matet kur çdo gjë shkon mirë, por kur duhet të flasë edhe atëherë kur fjala i dridhet pak. Sepse që ta kuptoni, LDK nuk është për mua thjesht një strukturë e zakonshme politike, është shtëpia ime, është familja ime, është vendi ku shumë prej jush edhe unë, veçanërisht unë, kemi mësuar çfarë do të thotë durimi, respekti, përulësia dhe besimi te njëri-tjetri”, tha ai.

Abdixhiku shtoi se rezultati i partisë nuk vjen nga një gabim i vetëm, por është një proces i gjatë që kërkon reflektim të hapur.

“Të dashur delegatë, rezultati që na solli këtu nuk erdhi nga një gabim i vetëm, as nga një natë e vetme, as nga një vendim i vetëm. Ai erdhi ngadalë, si grumbullim, si peshë që rëndonte çdo ditë, derisa një ditë e kuptoni se nuk mban më. Dhe për të kuptuar pse jemi këtu sot, duhet të kemi guxim t’i themi disa të vërteta ballë për ballë, drejt e në sy. Pa zbukurime, pa iluzione. Prandaj më lejoni t’i jap shpjegimin dhe tregimin tim për rezultatin e LDK-së, për gjendjen tonë partiake dhe për rrugën përpara. Jo si një analist i ftohtë politik, por si një rrëfim përmbajtësor, si dikush që e ka përjetuar këtë rrugëtim nga afër, me të gjithë peshën e tij, me të gjithë përgjegjësinë e tij, me të gjithë heshtjen dhe dilemat që nuk ndahen nga ai”, tha ai.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e demokracisë brenda partisë dhe sfidën e ndërtimit të lidershipit demokratik.

“Dhe do ta bëj këtë nëpërmjet tri realiteteve që duhet t’i ballafaqojmë hapur këtu dhe jo vetëm këtu. Realiteti i parë dhe më i rëndësishmi që duhet ta pranojmë sot, është ky: Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e vetmja parti politike në vend, themeluesi i së cilës nuk jeton. Ky fakt, përveç simbolikës historike, ka nisur një proces të domosdoshëm pjekurie tek ne. I thonë demokraci. Në demokraci lind sfida e madhe politike: ndërtimi i lidershipit demokratik, jo autoritar, por demokratik. Dhe rrjedhimisht lind sfida e ndërtimit të solidaritetit. Le ta kuptojmë, në këtë rrugëtim jemi ndryshe nga çdo parti tjetër në Kosovë. Çdo parti tjetër që udhëhiqet nga themeluesit e saj, janë aty gjithmonë. Nuk sfidohen, nuk lëkunden, nuk vihen asnjëherë në provë. Ata janë vetë partia, autoritet suprem. Demokracia atje është mjet i konsolidimit të autoritetit, lidershipi është produkt i parapërcaktuar që nga fati i themelimit. Solidariteti atje është i nënkuptuar më shumë si nënshtrim”, tha ai.

Ai deklaroi se nata e zgjedhjeve nuk ishte vetëm një rezultat politik, por një pasqyrë e përpjekjeve, mundit e sakrificës të shumë njerëzve që pesë vitet e fundit panë teksa shembeshim para syve.

“Jemi mbledhur këtu në këtë Kuvend sepse kështu e kërkon përgjegjësia, kështu e kërkon LDK. Ky Kuvend nuk më është mbledhur, e kam thirrur dhe mbledhur vet, nuk kam pritur të bëhet zhurma dhe as të jepen ultimatume që u bën gjithsesi. Akti i parë i këtij obligimi moral është ballafaqimi, me rezultatet, me pritjet, me anëtarësinë, me vetveten, mbi të gjitha mbi të ardhmen tonë. Më lejoni t’i heq të gjitha dyshimet, dhe të them po, se përgjegjësia është e imja. Dhe se po, vendimmarrja do t’u kthehet juve. Nuk lejoj askush tjetër të vendos për fatin e LDK-së, përveç Kuvendit”, tha ai.

“Natën e 28 dhjetorit pamë mundin të na shembej”, Abdixhiku nis fjalimin, Hoti e dëgjon nga rreshti i parë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka nisur fjalimin para Kuvendit të partisë së tij, i cili do të ketë votëbesim për punën e tij pas rezultatit të dobët që pati kjo parti më 28 dhjetor.

“Për mua dhe për ju ajo natë nuk ishte vetëm një rezultat politik, ishte një pasqyrë ku pashë mundin, sakrificën e shumë njerëzve të mirë të pesë vjetëve të fundit teksa shembeshin para syve tonë dhe njëkohësisht pashë se sa vështirë është të mbash mbi supe pritjet e një partie që ka histori, plagë e mbi të gjitha që ka shpresë”, tha Abdixhiku, duke shtuar se përgjegjësia nuk ndahet me askënd.

Fjalimin e Abdixhikut po e dëgjon edhe Avdullah Hoti, i cili u pa i ulur në rreshtin e parë.

Para pak ditësh, Hoti shpalli kandidaturën e tij për të marrë postin e kryetarit.

Quni: Dorëheqja e kryetarit i hap rrugë kandidaturave të reja, vendimi i Kuvendit përcakton procedurat

Anëtari i LDK-së, Anton Quni, tha se vendimet e partisë do të merren në përputhje me bindjet e anëtarëve dhe me vendimet e Kuvendit.

Ai theksoi se nëse dorëheqja e kryetarit miratohet, atëherë do të krijohen kushtet për kandidaturat e reja.

“Natyrisht që do i ndjekim edhe kryetarin, edhe kandidatët potencialë dhe në bazë të bindjeve do të veprojmë. Pasi që është Kuvend pune, ju e dini që tani kryetari ka paralajmëruar dorëheqje; nëse miratohet dorëheqja e tij, atëherë plotësohen kushtet edhe për kandidaturat e reja.”

“Nëse kryetari e merr besimin që të përfundojë mandatin e tij, pastaj kjo çështje nuk do të vendoset në rend të ditës,” tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat