“Tym i bardhë” në LDK: Abdixhiku i mbijeton votëbesimit

Aktuale

“Tym i bardhë” në LDK: Abdixhiku i mbijeton votëbesimit

Më: 31 janar 2026 Në ora: 08:22 Përditësuar në ora: 12:18 më 31.01.2026
Lumir Abdixhiku

Abdixhiku: Kuvendi vendos për të ardhmen politike të partisë, anëtarësia merr vendim e lirë pa presion

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se Kuvendi i partisë është një standard i rëndësishëm demokratik jo vetëm për LDK-në, por për të gjitha partitë politike në Kosovë. Ai theksoi se nga ky debat dhe nga kjo ditë, LDK-ja do të dalë më e unifikuar, më e fortë dhe e përgatitur për të ardhmen politike të vendit.

“Le të jetë ky një standard i mirë, i mbarë, jo vetëm për LDK-në, por për çdo parti tjetër politike në Kosovë. I siguroj gjithë anëtarësinë e LDK-së se nga ky debat, nga kjo ditë, do të dalim edhe më të unifikuar, edhe më të fortë, edhe më të gatshëm për të ardhmen e mirë që na pret përpara. Edhe një herë, ka debat, ka diskutime, flasim për LDK-në, flasim për të ardhmen e Kosovës, në qetësi, në maturitet dhe në fund me shumicë votash, me demokraci e përcaktojmë fatin tonë politik”, tha ai.

Abdixhiku shtoi se Kuvendi është organi më i lartë i LDK-së dhe ka çdo të drejtë të vendosë për të ardhmen politike të partisë.

“Ky është Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, organi më i lartë. Kuvendi ka çdo të drejtë, vendos për çdo gjë. Prandaj në këtë rrethanë unë do të kem një fjalim, të cilin ju do ta dëgjoni publikisht dhe më pas i hapim punimet e Kuvendit dhe Kuvendi vendos për të ardhmen politike të LDK-së dhe secilit”.

“Unë e kam bërë gjënë më fisnike që mund ta bëj, t’ia lë këtë fat anëtarësisë sime. Edhe besoj që anëtarësia jonë është e matur, e ka përkushtim për LDK-në, i njeh nevojat e LDK-së dhe do të marrë vendim e lirë pa asnjë presion politik. Pra edhe një herë, mirë se vini në demokraci. Është standard normal politik i një partie politike. Më vjen mirë që ka interesim të madh për LDK-në. Është shenjë e mirë për ne, ta shfrytëzojmë edhe këtë mundësi të mirë mediatike që kemi”, tha ai.

Ai po ashtu bëri thirrje për fokus tek aspektet pozitive të procesit, duke theksuar rëndësinë e ballafaqimit të partisë me anëtarësinë e vet.

“ Shiko, Kuvendi ka fillimisht një rend dite, një fjalë time. Pas fjalës sime merr vendimin për të proceduar tutje. Dëgjoni, ky është niveli më i lartë demokratik. Mund të gjejnë kritika për gjëra jo të rëndësishme, por le të vlerësojmë madhështinë e një partie politike e cila është e gatshme të ballafaqohet me anëtarësinë e vet. Pra le t’i shohim anët e mira, mos të shohim gjithmonë ndonjë lëshim të vogël teknik që s’ka fort peshë. Ju faleminderit të gjithëve”, tha Abdixhiku.

Myrtezaj: Delegatët vendosin rrjedhën e punimeve të Kuvendit të LDK-së

Para fillimit të kuvendit të LDK-se, Valon Myrtezaj tha se ftesa për kuvendin e punës është e paqartë.

Ai theksoi para mediave se i takon delegatë e që të përcaktojnë rrjedhën e punimeve.

Murtezaj tha se kjo është ngjarje shumë e rëndësishme për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Myrtezaj: Kosova ka nevojë për organizata politike që janë demokratike

"Sot jemi këtu ne një ngjarje shume të rëndësishme për LDK-në. Sot përcaktohet liderishipi dhe demokracia në LDK. Si një nga delegatet do të angazhohem në normat e t të zbatohen në mënyrë që normat demokratike fillojnë të zënë vend në Republikën e Kosovës. Kosova ka nevojë për parti, organizata politike që janë demokratike, që janë të lira që deputetët, delegatët, përfaqësuesit e shpallin vullnetin e tyre të lirë", ka thënë ai.

Ai përmendi tri modalitete të takimit të kuvendit, për çka shtoi se i takon delegatëve që të përcaktojnë rrjedhën e punës.

Myrtezaj: Ftesa e Kuvendit të LDK-së nuk është e qartë

"Ftesa nuk është shumë e qartë, janë tre modalitete të takimit të kuvendit të LDK-së, e para mund të jetë takim pune, takim zgjedhor apo mund të ketë votë mos besimi. Siç e keni parë në ftesë nuk është e saktësuar, i takon delegatëve si ranë në këtë kuvend të përcaktojnë rrjedhën e punimeve sot, dhe rrjedhën e LDK-së nesër", tha ai.

Rukiqi: Do të votoj kundër dorëheqjes së Abdixhikut, delegatët vendosin për fatin e kryetarit të LDK-së

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka deklaruar se në Kuvendin e sotëm të partisë pritet të ofrohet dorëheqja e kryetarit Lumir Abdixhiku, ndërsa delegatët do të vendosin përmes votëbesimit për fatin e tij politik, duke paralajmëruar se ai personalisht do të votojë kundër largimit të Abdixhikut.

Rukiqi tha se ftesa dhe agjenda e dërguar për kuvendin tashmë e përcaktojnë rrjedhën e procesit.

“ Sot, agjenda që është dërgu, pra ftesa që është dërgu e përcakton pak a shumë edhe rrjedhën e kuvendit. Pra do të ketë një ofrim të dorëheqjes nga kryetari Abdixhiku dhe pastaj është në dorën e delegatëve që në formë të votëbesimit ndaj këtij qëndrimi të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pastaj të vendosin se cili do të jetë fati i tij. Në këtë kontekst, vota ime do të jetë kundër dorëheqjes së zotit Abdixhiku”, tha ai.

Ai e arsyetoi këtë qëndrim me nevojën për stabilitet në udhëheqje, duke theksuar se ndryshimet e shpeshta në krye të partive dëmtojnë organizimin dhe performancën elektorale.

“Për shkak se unë besoj që partitë politike duhet me rujt një farë lloj stabiliteti në udhëheqje dhe ky stabilitet pastaj me u përkthy në një lloj riorganizimi dhe në një lloj qëndrueshmërie në raport me të gjitha proceset nëpër të cilat mund të kalojë partia. Nëse partitë i ndërrojnë kryetarët çdo katër-pesë vite, atëherë asnjëherë nuk garantohet stabilitet brenda partisë politike dhe asnjëherë nuk mund të garantohet pastaj edhe rezultat i kënaqshëm. Nëse nuk e ke këtë lloj stabiliteti, këtë lloj qëndrueshmërie brenda lidershipit, atëherë është vështirë që të projektohet edhe ndonjë rezultat i kënaqshëm zgjedhor. Dhe ne besojmë që ka ende punë për t’u bërë. Normalisht, rezultati i kaluar ka qenë i pakënaqshëm, por nuk është si pasojë e asaj që mund të lidhet me ndonjë emër të përveçëm apo me ndonjë individ të caktuar në partinë tonë. Kjo është si pasojë e shumë faktorëve të tjerë që kanë ndodh dhe para së gjithash, para së gjithash është partitë, si Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë sfidë një ambient, një ambient polarizues, një ambient i cili nuk garanton garë të barabartë. Gara e pabarabartë e dhjetorit të vitit të kaluar normalisht që ka prodhu edhe rezultat negativ për partinë tonë”, tha ai.

Imri Ahmeti: Sot s’ka garë zgjedhore dhe kandidatura, do të vendoset për dorëheqjen e Abdixhikut

Kreu i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se sot s’do të ketë garë zgjedhore dhe kandidatura për kryetar të partisë.

Ai ka thënë se sot do të shqyrtohet dorëheqja e kryetarit aktual.

Nëse do të aprovohet dorëheqja, Ahmeti ka thënë se do të thirret një Kuvend tjetër për të zgjedhur kryetarin e ri.

Derisa ka thënë se nëse do të vendoset për të vazhduar me Abdixhikun, atëherë do të shkohet tutje me kryetarin aktual.

Gashi: S’jemi në fazën e kandidaturave, presim se çfarë do të kërkojë Abdixhiku nga Kuvendi i LDK-së dhe do t’i përgjigjemi

Anëtari i LDK-së, Arben Gashi, ka folur për media para nisjes së Kuvendit të LDK-së. Gashi ka thënë se s’janë në fazë të kandidaturave, por në një proces që do të vlerësohet puna e Abdixhikut.

Ai ka thënë se varet se çfarë do të kërkojë Abdixhiku nga Kuvendi, nëse do të ofrojë dorëheqje të parevokueshme apo nëse do të kërkojë votëbesim.

Gashi ka thënë se do të përgjigjen varësisht nga ajo çfarë kërkon Abdixhiku.

 “Nuk jemi në fazë të kandidaturave, jemi në fazë të një procesi që ka të bëjë me vlerësimin e punës së kreytarit aktual. Mbetet në vullnetin e tij se cfarë po i ofron Kuvendin. Nëse ofron dorëheqje, ajo është vullnetare dhe e pakthyeshme. Nëse kërkon votëbesim, atëherë është cështje e votimit që duhet të mbahet si votim në bazë të sistemit statutar të LDK-së, votim i fshehtë me kuti dhe ecim tutje”, ka deklaruar ai.

Selmanaj para nisjes së Kuvendit të LDK-së: S’e kemi të qartë agjendën e plotë, kjo s’është shenjë e mirë

Zyrtari i LDK-së, Driton Selmanaj, ka folur për media para nisjes së Kuvendit të LDK-së ku pritet të marrë epilog çështja e drejtimit të partisë pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Selmanaj ka thënë se ende nuk e kanë të qartë agjendën e plotë të Kuvendit, meqë s’dihet se nëse do të procedohet me votëbesim apo nëse do të shqyrtohet dorëheqja e Abdixhikut.

Sipas tij, kjo nuk është shenj e mirë.

“Ende s’e kemi të qartë agjendën dhe kjo nuk është shenj e mirë, sepse ende nuk e dimë nëse do të vendoset për votëbesimin apo shqyrtim të dorëheqjes që është antistatutare nëse hyjmë në atë cikël, meqë statuti nuk parasheh diskutime”, ka thënë ai.

​Kryetari i LDK-së sot në peshore, ambiciet në radhë

355 delegatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhen sot për të diskutuar për ofrimin e dorëheqjes së kryetarit, Lumir Abdixhiku. Se a do të kalojë apo jo votëbesimi ndaj këtij të fundit dhe a do të hapet rruga për lidership të ri ka ende paqartësi.

Kuvendi nis në orën 12:00 në njërën nga hotelet në Prishtinë.

Megjithëse Kuvendi është thirrur vetëm për votëbesimin ndaj Abdixhikut, anëtari i Kryesisë së LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, shpalli kandidaturën e tij për kryetar të kësaj partie më 25 janar.

Hoti është zotuar se nëse merr besimin për ta udhëhequr LDK-në, do të drejtojë një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, në përputhje të plotë me Statutin e partisë, duke garantuar pjesëmarrje aktive të të gjitha strukturave dhe forumeve.

Ai ka theksuar se synimi i tij është ndërtimi i një LDK-je të hapur, të drejtë dhe konkurruese, ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim, me fokus të veçantë në përfshirjen e profesionistëve, grave dhe të rinjve.

Ambicie të tilla janë konsideruar legjitime nga bashkëpartiakë të Hotit, megjithatë theksojnë se ky është një proces tjetër që derivon nga vota pro apo kundër Abdixhikut.

Kurse, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se nuk ka dashur të involvohet në debatet publike lidhur me rezultatin zgjedhor dhe zhvillimet aktuale brenda LDK-së, duke theksuar se përgjegjësia për rezultatet është çështje etike dhe duhet të trajtohet brenda organeve vendimmarrëse të partisë.

Sipas Mustafës, Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë vendimmarrës, duhet të garantojë orientimin e qartë ideologjik të partisë si subjekt konservator i qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik, si dhe të shmangë përdorimin e LDK-së si platformë për interesa të tjera politike.

“Në LDK askush nuk është i tepërt. Përgjegjësia duhet të trajtohet si standard normal i etikës demokratike, ku rezultati ka pasojë,” ka përfunduar Mustafa.

Përndryshe, anëtarët e kryesisë së LDK-së kanë thënë se edhe Ismet Beqiri ka paralajmëruar se sot në Kuvend do ta bëjë publike kandidaturën e tij për kryetar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat