Abdixhiku: Demokracia e brendshme është themeli i LDK-së

Aktuale

Abdixhiku: Demokracia e brendshme është themeli i LDK-së

Nga: A.SH Më: 31 janar 2026 Në ora: 21:10
Lumir Abdixhiku

Pasi i mbijetoi votëbesimit, Lumir Abdixhiku, tha se vota e lirë dhe e fshehtë mbetet baza e besimit dhe funksionimit demokratik të partisë. Ai theksoi se nuk ka vend për triumfalizëm, por për vetëdije, maturi dhe bashkim nga bindja

Abdixhiku u shpreh krenar për standardin e ruajtur dhe bëri thirrje për dëgjim të ndërsjellë dhe punë të përbashkët, duke nënvizuar se LDK-ja tani ka përpara misionin e ringritjes.

“Faleminderit secilit për besimin. Kjo përgjegjësi na obligon të ecim si të vërtetë,” tha ai.

Reagimi i Abdixhikut:

Demokraci maksimale!

Jo si fjalë e madhe, por si akt përgjegjësie. Si provë se vota e lirë është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi. Votë e fshehtë, vendim i lirë, respekt për secilin delegat; kjo është mënyra jonë e të qenit politikë, pa frikë dhe pa imponim, me bindjen se liria e mendimit është pasuria më e madhe e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sot nuk kemi arsye për triumf, por për vetëdije. Krenarë për standardin që ruajtëm dhe për vlerën që përfaqësojmë.

Tani na duhet maturi. Bashkim jo nga nevoja, por nga bindja. Dëgjim jo për formë, por për kuptim. Punë e madhe, e përbashkët, me përulësinë që e ka mbajtur gjithmonë LDK-në në këmbë në momentet më të vështira të saj.

Tani kemi misionin e ringritjes përpara.

Faleminderit secilit për besimin.

Kjo përgjegjësi na obligon të ecim si të vërtetë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat