Kosova, Shqipëria dhe Kroacia bisedojnë për avancim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes

Aktuale

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia bisedojnë për avancim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes

Më: 3 shkurt 2026 Në ora: 20:25
Ceremonia e nënshkrimit të nismës për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në Tiranë më 18 mars 2025.

Delegacione të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë janë takuar për të diskutuar lidhur me mundësitë e avancimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në kuadër të deklaratës së përbashkët të nënshkruar më 2025.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës, delegacioni kosovar u udhëhoq nga drejtori i politikave të mbrojtjes, Faruk Geci, dhe gjatë takimit “u shkëmbyen mendime lidhur me mundësitë për avancimin e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejmë për zbatimin e deklaratës”.

Edhe Shqipëria dhe Kroacia u përfaqësuan në këtë takim trepalësh me drejtorët e tyre të politikave të mbrojtjes dhe armatimeve.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës tha se takimi trepalësh është në kuadër të zbatimit të fushave të bashkëpunimit që parasheh deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.

Sipas deklaratës, janë katër fusha kryesore të bashkëpunimit, që përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik, shkruan REL.

Ky pakt i mbrojtjes thotë se të tri shtetet do të bashkëpunojnë për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.

“Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e përpjekjeve të koordinuara për adresimin e sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të cenojnë stabilitetin rajonal dhe atë ndërkombëtar”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës.

Deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar në mars të vitit të kaluar u cilësua si “aleancë ushtarake dhe sulmuese kundër serbëve dhe Serbisë” nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Nënshkruesit e deklaratës thonë se ajo nuk është kundër askujt, as ndaj Serbisë, teksa ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha në fund të janarit të këtij viti se e ka ftuar Serbinë që të bëhet pjesë e këtij pakti, por Beogradi nuk i është përgjigjur kësaj ftese.

Kroacia dhe Shqipëria janë pjesë e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, aty ku Kosova shpreson të anëtarësohet.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, veç tjerash, Prishtina, Tirana dhe Zagrebi parashohin të bëjnë blerje të përbashkëta të armatimit nga Shtetet e Bashkuara.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat