Votohet Qeveria, Albin Kurti zgjidhet Kryeministër i Kosovës për mandatin e tretë qeverisës

Aktuale

Votohet Qeveria, Albin Kurti zgjidhet Kryeministër i Kosovës për mandatin e tretë qeverisës

Më: 11 shkurt 2026 Në ora: 19:04 Përditësuar në ora: 22:51 më 11.02.2026
Betohet Qeveria e re e Kosovës

Betohen para deputetëve, ministrat e rinj të Qeverisë Kurti

Me 66 vota pro, 49 kunder dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për Qeverinë Kurti 3.

E ministrat të cilët u prezantuan nga kryeministri Kurti, u betuan para deputetëve në seancën e  jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

E gjatë ceremonisë së betimit, u intonua dhe Himni i Kosovës

Pas votimit të Qeverisë së re dhe betimit të kryeministrit Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi mbylljen e seancës.

Kuvendi zgjedh Qeverinë e re

Me 66 vota për, Kuvendi i Kosovës votoi më 11 shkurt Qeverinë e re të vendit.

Kundër ishin 49, ndërsa abstenime nuk kishte.

Abdixhiku: Demokracia nuk është vetëm numra, por vetëdijesim politik

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar para deputetëve të legjislaturës së X-të në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka uruar fillimisht Albulena Haxhiun për marrjen e kryesimit të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar më shumë transparencë në kryerjen e detyrave.

“LDK shpreh gatishmërinë e saj për bashkëpunim, në vlerat shtetërore, sepse stabiliteti i shtetit ndërtohet me maturi dhe respekt për opozitën dhe me vetëdije se demokracia nuk është vetëm çështje numrash, por e vetëdijes së lartë politike”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se sot vullneti i qytetarëve merr formë, pasi tashmë është konstituar Kuvendi, por që sipas tij nuk është i duhuri. 

Hamza para deputetëve: PDK do të jetë gardiane e Kushtetutës, drejtësisë në Hagë dhe e interesit shtetëror

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, para se të votohet Qeveria e re, theksoi se legjislatura e dhjetë fillon punën në një moment të rëndësishëm për vendin, kur qytetarët presin stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe institucione me integritet të lartë profesional.

Hamza vlerësoi se kjo përbërje e re parlamentare është rezultat i vullnetit qytetar dhe një dëshmi e rrugës së vështirë të shtetndërtimit, duke theksuar se nderi i drejtimit të institucioneve buron nga sakrifica e shumë gjeneratave dhe nga lufta çlirimtare e popullit të Kosovës.

Ai theksoi se përgjegjësia e kësaj legjislature duhet të përkthehet në veprime konkrete: respektim të plotë të Kushtetutës, forcim të sundimit të ligjit, politika të përgjegjshme ekonomike, mbështetje për sektorin privat, rritje të mirëqenies sociale dhe rikthim të besimit me aleatët ndërkombëtarë.

Kryetari i PDK-së tutje tha se partia që ai drejton do të jetë gardiane e Kushtetutës dhe do t’i rezistojë çdo tendence që cenon germën dhe frymën e saj, duke kujtuar se në vitet e fundit janë miratuar ligje të shumta që më pas janë shpallur jokushtetuese.

Në fjalën e tij, Hamza bëri thirrje për unitet institucional dhe politik lidhur me procesin gjyqësor në Hagë, duke kërkuar qasje dinjitoze, të matur dhe unifikuese ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Kryetari Hamza njoftoi se në seancën e parë të punës së Kuvendit, PDK do të procedojë për votim rezolutën e hartuar nga ekspertët e pavarur, tashmë të dorëzuar në Kuvend, me të cilën kërkohet gjykim i drejtë, i paanshëm dhe profesional, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe në respektim të plotë të të drejtave të njeriut.

Ai theksoi se shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara duhet të sigurojnë që gjykata të operojë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe të marrin përgjegjësi në rast të shkeljes së këtyre standardeve.

Hamza konfirmoi se PDK do të mbështesë çdo iniciativë që është në interes të qytetarëve dhe të shtetit, por do të mbrojë pa kompromis interesin publik, rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Përkrahja për konsensus nuk është shenjë dobësie, por përgjegjësi shtetërore. Ne do të japim kontributin tonë për marrëveshje në të mirë të Kosovës, por pa bërë kompromis me interesin shtetëror”, u shpreh kryetari Hamza.

Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar për unitet institucional, zhvillim ekonomik dhe mbrojtje të dinjitetit të shtetit të Kosovës.

Kurti: Shtesat e fëmijëve do të dyfishohen

Mandatari për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti, në ekspozenë e tij para deputetëve të legjislaturës së 10-të, ka folur për të arriturat që, sipas tij, janë bërë gjatë mandatit të tij të fundit qeverisë në aspektin ekonomik.

“Në gati 5 vitet e fundit, nga të cilat pothuajse 1 vit si qeveri në detyrë, pa kompetenca të plota, kemi ndërtuar dhe zhvilluar një Kosovë më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse. Kemi një rritje mesatare reale prej 6 për qind të bruto produktit vendor. Bruto Produkti Vendor, kur e morëm qeverinë ishte 7 miliardë euro, ndërsa tash ka arritur në 11 miliardë euro. Projektojmë që sivjet të arrijë në 12 miliardë euro”, deklaroi mes tjerash Kurti.

Për inflacionin, ai tha se qeveria ka arritur ta menaxhojë me politika mbështetëse për qytetarin, dhe “jemi vendi me shkallën më të ulët të inflacionit në rajon, pas Shqipërisë”.

Kurti foli edhe për rritje të numrit të të punësuarve, sikurse edhe për ngritjen e të ardhurave.

Rritja tha ai do të vazhdojë edhe në mandatin e ri, “duke e ngritur pagën mesatare në sektorin publik në mbi 1000 euro në muaj”.

Ai foli edhe për shtesat për fëmijë, duke thënë se ato janë aktualisht 30-45 euro për çdo fëmijë, ndërsa tha se në mandatin e ri do të dyfishohen ato.

“Me këtë rritje do të lëmë prapa edhe disa shtete të BE-së sa u përket shtesave për fëmijë”, deklaroi Kurti.

Kurti prezanton kabinetin qeveritar, këta janë emrat

Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti ka prezantuar kabinetin qeveritar para deputetëve të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës.

Në mesin e emrave të ministrave janë disa nga qeverisja e kaluar, ndërkaq disa janë emra të rinj. Poashtu kësaj radhe ka edhe formim të ministrive të reja.

Kabineti qeveritar në përbërje prej:

Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Jashtëm – Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministër i dytë dhe Ministre e Drejtësisë – Donika Gërvalla

Zëvendësministër i tretë për çështje të pakicave – Fikrim Damka

Ministër i Financave – Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe vlerat e luftës çlirimtare – Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes – Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme – Xhelal Sveçla

Ministër i Digjitalizimit  dhe Administratës Publike – Lulzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë  – Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës – Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës dhe Turizmit – Saranda Bogujevci

Ministër i Sportit dhe Rinisë - Blerim Gashani

Ministër Administrimit të Pushtetit Lokal – Elbert Krasniqi

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë – Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës – Dimal Basha

Ministre e Tregtisë – Mimoza Kusari Lila

Ministre e Ekonomisë – Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim – Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal –Rasim Demiri

Kurti për mandatin e kaluar: Arritje në ekonomi, siguri dhe demokraci

Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, bëri një bilanc të mandatit të kaluar gjatë fjalimit të tij përpara deputetëve.

Ai theksoi se gjatë këtyre viteve Kosova ka përparuar në ekonomi, ka forcuar bizneset dhe ka rritur mirëqenien sociale, përfshirë rritjen e pagave dhe shtesave për fëmijë.

"Ne besojmë thellësisht se një ekomomi e fuqishme dhe një shoqëri e barabartë janë të ndërlidhura", tha ai.

Kurti vlerësoi se Kosova sot është më demokratike dhe më e sigurt dhe se institucionet e saj janë më të qëndrueshme se kurrë më parë.

Bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe NATO-n, tha se mbetet i palëkundur.

Kurti flet pë procesin në Hagë

Kurti u ndal fillimisht te procesi në Hagë kundër ish-eprorëve të UÇK-së, duke theksuar se përpjekjet e prokurorisë atje janë "një orvatje që bie ndesh me të vërtetën".

Ai theksoi se në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare dhe se ato janë kryer nga regjimi jugosllav nën udhëheqjen e Millosheviqit.

 

​Nis seanca për formimin e qeverisë së re

Ka filluar seanca e jashtëzakonshme ku pritet të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

Seanca nisi me mbi 1 orë vonesë, përkundër që ishte paralajmëruar të fillonte prej orës 20:00.

Në seancë, mandatari për kryeministër nga LVV-ja, Albin Kurti pritet të paraqesë ekspozenë e tij si dhe të prezantojë kabinetin qeveritar.

Pas fjalës së Kurtit do të hapet debati edhe për deputetë nga partitë e opozitës.

Seanca për votimin e qeverisë vjen pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së trupave të legjislativit.

Kurti u drejtohet deputetëve

Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, Albin Kurti, nisi një fjalim para deputetëve, duke i përgëzuar ata për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat