​Prokuroria përfundoi kundërpërgjigjet, Thaçi dhe të tjerët deklarohen të mërkurën

Aktuale

​Prokuroria përfundoi kundërpërgjigjet, Thaçi dhe të tjerët deklarohen të mërkurën

Më: 16 shkurt 2026 Në ora: 07:52 Përditësuar në ora: 17:22 më 16.02.2026
Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë.

​Prokuroria përfundoi kundërpërgjigjet, ish- krerët e UÇK-së deklarohen të mërkurën

Prokuroria Speciale përfundoi kundërpërgjigjet, me pretendimet se përtej dyshimit të arsyeshëm, katërshja e UÇK-së është fajtore.

Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit gjatë parashtrimeve te tyre kane kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm, meqë nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së.

Mbrojtësi i viktimave kërkoi 20 minuta dhe do do të paraqes pjesën e saj të mërkurën.

Pas tij, katërshja e UÇK-së do të deklarohet secili veç e veç me nga 20 minuta.

Kjo është faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

​Prokurori special: Mbrojtja i paraqiti klientët e tyre si me qëllime të mira

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, seanca e sotme ka nis me kundërpërgjigjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Sipas ZPS mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së i paraqiti ata me qëllime të mira duke shmangur rolet që ata kishin.

Prokurori i Specializuar, Alan Tieger deklaroi se veprimet e ish-krerëve të UÇK-së pasqyrojnë qëllimin kriminal të përbashkët të pretenduar, raporton KosovaPress.

Tieger: Mbrojtja i ka paraqitur klientët e tyre si me qëllime të mira

“Mbrojtja i ka paraqitur klientët e tyre si me qëllime të mira, por që kryesisht nuk kishin pushtet, figura të papushtetshme me motivime që nuk kishin ndryshe arsye për mijëra e mijëra njerëzve që iu bashkuan UÇK .Mbrojtja e Veselit e përshkruajti klientin i tyre si anëtarë i përkushtuar i UÇK-së në një kohë të një vuajtje të madhe si një i diplomuar i ri pa ndonjë stërvitje apo përgatitje ushtarake i cili iu bashkua mijëra të tjerëve që iu bashkua nga prejardhje të ndryshme dhe me bindjen për të luftuar për lirin e Kosovës dhe të ardhmen pa autoritarizëm, pa aparteit, pa brutalitet për ta dhe fëmijët e tyre. Kjo, në vetvete nuk është krim, natyralisht nuk është krim t’i bashkohet një lufte për liri dhe ZPS nuk e ka thënë kurrë këtë gjë. Por, të paraqesësh të akuzuarit si disa prej mijërave të tjerëve që iu bashkuan UÇK për të luftuar për liri është përpjekje për të larguar për të shmangur rolet e tyre të vërteta si pionierë e themelues si anëtarë kyç të shtabit të përgjithshëm. Rolet që ata i kanë pranuar në mënyrë të përsëritur apo role që pasqyrohen në shumë takime që kanë diskutuar historinë e UÇK-së. Ata iu shmangën këtyre roleve, sepse veprimet e tyre në këto role duke përdorur autoritetin e tyre të kombinuar dhe përpjekjet e tyre individuale pasqyrojnë qëllimin kriminal të përbashkët dhe angazhimin e tyre ndaj tij”, tha ai.

Prokurori tha se po ashtu se ekipet mbrojtëse bënë përpjekje të mëdha që Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin t’i distancojnë nga autorësia apo përfshirja në komunikata.

Tieger: Ekipet e mbrojtjes bën përpjekje t’i distancojnë klientët e tyre nga autorësia e komunikatave

“Ekipet e mbrojtjes bënë përpjekje të mëdha të tu distancuar klientët e tyre nga autorësia e tyre apo ndonjë formë përfshirje në komunikata, këto argumente dështojnë. Së pari kemi pranimet e tyre për këtë përfshirje dhe trupi gjykues nuk mund t’i përdorë këto pranime vetëm kundër të akuzuarve apo të akuzuarit që i ka bërë por edhe si konfirmim në shumë shembuj kundër të bashkëakuzuarëve për shembull për kujdesin pra që është kusht që kërkohet. Kemi edhe provat e pavarura që lidhen me prejardhjen e komunikatave përfshirë nga dëshmitarët e disponueshëm për kundërpyetje”, tha ai.

Ndërkaq, prokurori James Pace foli për dëshmitë e ndërkombëtarëve, ku tha se të njëjtit nuk i kanë parë ose i kanë anashkaluar dokumentet e kësaj çështje gjyqësore.

Pace: Dëshmitarët ndërkombëtarë nuk i parë dokumentet apo i anashkaluan

“Në përpjekjet për të hedhur poshtë pretendimet që kishin të bëjnë me kufizimin në lidhje me njohurit që kanë pasur këta dëshmitarë të mbrojtjes javën e shkuar avokatin i Thaçit tha se të gjithë kanë pasur dijeni dhe komunikim dhe në fakt kjo nuk reflekton dokumentacionin e çështjes. Si ilustrim Çesley Clark nuk i kujtohet se kishte parë asnjë dokument të UÇK. John Dunck pretendoi se kishte parë shumë komunikata të UÇK ai tha se nuk kishte parë asnjë që kishte të bënte me ekzekutimin e bashkëpunëtorëve dhe tradhtarëve të kombit...dëshmitarë tjerë të mbrojtjes si James Rubin i anashkaluan komunikatat dhe deklaratat publike të UÇK si manipulime dhe propagandë... ajo që del se provat shkresore të kësaj çështje janë të mbushura dokumente të cilat dëshmitarët e mbrojtjes nuk kanë pasur qasje, ose që mund të kenë pas qasje por nuk i kanë parë, por që i kanë anashkaluar thjesht.

Gjatë seancës së sotme fjalën përmbyllëse e përfundoi ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit, ndërsa edhe trupi gjykues parashtroi pyetjet karshi palëve në procedurë.

Fjala përmbyllëse në Hagë në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së ka nis më 9 shkurt të këtij muaji.

Prokuroria nisi kundërpërgjigjet: Mbrojtja i paraqiti ish-krerët e UÇK-së si të papushtetshëm

Prokuroria Speciale nisi kundërpërgjigjet në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara, raporton nga Haga KosovaPress.

Prokurori i Specializuar, Alan Tieger ka pretenduar se ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së "i kanë paraqitur klientët e tyre si figura të papushtetshme".

Ndërkaq, prokurori James Pace foli për dëshmitë e nderkombëtarëve, ku tha se të njejtit nuk i kanë parë ose i kanë anashkaluar dokumentet e lëshuara nga UÇK-ja.

Ai pretendoi se ish-presidenti Hashim Thaçi kishte kontroll mbi shtypin. Kundërpërgjigjet e ZPS-se do të vijojnë pas 10 minutave pauzë.

Prokuroria: Veseli ishte më aktiv në muajt e parë, jepte udhëzime nga larg

Prokuroria iu përgjigj menjëherë mbrojtjes së Veselit, duke argumentuar se dëshmitarët kanë provuar se ai jepte udhëzime nga largësia.

“Ajo çfarë nuk kupton mbrojtja është se në muajt e parë Veseli ishte më aktiv, sepse nga dëshmitë që kemi marrë e kemi parë të gjithë se ai ka udhëzime gjatë kohës sa nuk ishte në Kosovë”, tha prokurori Metthew Holing.

Dixon: Prokuroria s’ka prova se Veseli kishte kontroll efektiv ndaj kujtdo në Kosovë

Mbrojtja e Kadri Veselit tha se mbështetet në boshllëkun e lënë nga Prokuroria për të vërtetuar se klienti i saj kishte çfarëdo lloj kontrolli apo ndikimi ndaj ndokujt në Kosovë për krimet për të cilat akuzohet.

I pyetur nga gjykatësi ta vërtetojë argumentimin e tij se mosprania e Veselit në Kosovë për shumicën e asaj kohe nënkupton se ai nuk kishte kontroll, avokati Dixon tha: “Distanca në vetvete nuk ndryshon detyrimet”.

“Detyrimet ligjore nuk zbehen në vetvete për shkak të distancës, por duhet të pasur parasysh dhe të përqendrohemi nëse kjo ka pasur ndikim praktik. Ne thamë se Prokuroria duhet ta vërtetojë se klienti im, në fakt, ka pasur rol komandues dhe kontroll mbi një individ ndaj ndonjë personi në Kosovë”.

“Veseli nuk ka pasur kontroll efektiv kundrejt askujt në Kosovë. Në praktikë, është e pamundur të vërtetohet se ka pasur komunikime.

“Ju po më pyesni mua nëse kam provë për ta dëshmuar këtë. Jo, nuk ka provë për të treguar se ka pasur komunikime dhe lidhje. Pra, është një rast, një incident që nuk është vërtetuar që ka qenë klienti im në telefon. Vetëm kaq ka arritur Prokuroria”.

Mishetiq thotë se Prokuroria s’e ka vërtetuar se deklarata publike e UÇK-së ka pasur ndikim

Avokati Mishetiq argumentoi se Prokuroria nuk ka mundur ta vërtetojë se deklarata e UÇK-së i ka nxitur njerëzit apo individët të kryejnë krime në Kosovë.

I pyetur nga gjykatësi për deklaratën e tij se Prokuroria nuk ka provuar asnjë lidhje me deklaratave publike të UÇK-së dhe krimeve të pretenduar në aktakuzë, Mishetiq tha:

“Po themi që duhet të vërtetojnë diçka, që deklaratat janë përkthyer në efekt, kanë pasur ndikim, të paktën për ndonjë nga krimet e përmendura në aktakuzë. Përndryshe po flasim teorikisht”.

Avokati Dixon: UÇK-ja kishte të drejtë t’i arrestonte ushtarët serbë

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, këmbënguli në pyetjen e gjykatësit nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte baza ligjore për të paraburgosur ushtarë të ushtrisë së atëhershme serbe gjatë luftës në Kosovë.

“E drejta ndërkombëtare humanitare për konflikte ushtarake parashikon se mund të arrestohen persona që cilëson si rrezik për sigurinë. Kemi cituar edhe shtete të mëparshme që e kanë bërë këtë”, tha Dixon.

Gjykatësi e ndërpreu Dixonit, duke e pyetur nëse UÇK-ja si aktore joshtetërore e gëzonte një të drejtë të tillë.

Dixon iu përgjigj duke thënë se: “Po. Jurisprudenca e ka dëshmuar një gjë të tillë, mund të zbarohet për të dyja, edhe për shtetin edhe për entitetin i cili është pjesë e një konflikti të brendshëm të armatosur”.

Gjykatësit nisin pyetjet

Gjykatësi Christoph Barthe ka nisur marrjen në pyetje dhe fillimisht i është drejtuar mbrojtjes së Thaçit.

Ai i është drejtuar avokatit Lluka Mishetiq:

Në dosjen tuaj përfundimtare thoni që individët janë paraburgosur për shkak se janë perceptuar, nga ana legjitime, si luftëtarë dhe jo si kundërshtarë, dhe në vijim të obligimit për këtë për të fituar kontrollin në tërë Kosovën. Çfarë statusi kanë pasur këta individë sipas së drejtës ndërkombëtare në momentin e arrestimit të tyre?

Avokati Mishetiq:

“Nuk jam në gjendje që t’ju përgjigjem të gjitha incidenteve që keni ju ndërmend në pyetjen tuaj, por do të përgjigjem rast pas rasti. Shembull, tetë ushtarë të armatës jugosllave përbëjnë rastin më të qartë të personave të armatosur aktivë me uniformë, të cilët u arrestuan. Kaq mund të them për këtë incident, pra ata ishin luftëtarë. Sa i përket të drejtës humanitare ndërkombëtare, konfliktit të armatosur jondërkombëtarisht, kjo është çështje që e kemi ngritur në fazën paragjyqësore. Prokuroria ka rënë dakord që UÇK ka pasur të drejtë për të parandaluar me kusht që të mos kishte abuzim apo forma tjera të paligjshme. Kjo është arsye e qartë për të paraburgosurit, luftëtarët e palës tjetër”.

Më tej, Mishetiq ka thënë sa i përket të drejtës ndërkombëtare, "ekzistonte dyshim i bazuar që ata kishin marrë pjesë në veprime luftarake, ishin luftëtarë".

"Nëse nuk ka ndodhur një gjë e tillë dhe ata janë arrestuar, ka pasur ndonjë gabim e kështu me radhë, kjo nuk do të thotë se është bërë fjalë për shënjestrim të kundërshtarëve".

Përfundon fjalën mbrojtja e Jakup Krasniqit: Të shpallet i pafajshëm!

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra ka deklaruar edhe një herë se ish-kreu i UÇK-së duhet të shpallet i pafajshëm.

Ajo tha se Krasniqi nuk është përgjegjës për vuajtjen e popullsisë civile.

“Kur fillon një gjykim në të njëjtën çështje dhe përfundon në të njëjtin vend, ligji lejon vetëm një rezultat, shpalljen e pafajësisë për të gjitha akuzat. Mbrojtja drejtohet në mënyrë të drejtpërdrejt dhe pa rezervë, nuk kërkohet zvogëlimi i vuajtjes së civilëve, por vuajtja sado e rëndë që të jetë, duhet të iu atribuohet atyre që janë përgjegjës në mënyrë penale dhe kriminale. Qëndrimi i mbrojtjes është i qartë, Jakup Krasniqi nuk është përgjegjës për vuajtjen e përshkruar në këtë proces, provat nuk vërtetojnë se urdhëroi, inkurajoi apo mbështeti, apo kishte synim në kryerjen e krimeve ndaj civilëve. Në të kundërtën, Krasniqi artikuloi nevojën për të mbrojtur civilët, shqiptarë apo serbë”, tha avokatja.

Ndryshe, mbrojtja e Krasniqi me këtë deklaratë, përmbylli fjalët përfundimtare në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Krasniqi ishte "figurë konstruktive"

Avokatja e përshkruan Krasniqin si njërin prej aktivistëve më të mëdhenj për lirinë e Kosovës.

“Për aktivizmin e tij, Krasniqi ka paguar shtrenjtë. Ai i ka kaluar 10 vjet si i burgosur politik, nga viti 1981-1991, ku ka pësuar torturë dhe keqtrajtim të rëndë, në kushte të tmerrshme në duart e autoriteteve jugosllave. Ai është kundërshtar i regjimit serb dhe është krenar për këtë, jo për urrejtje ndaj serbëve, por sepse kundërshtonte politikat e aparteidit kundër shqiptarëve të Kosovës, të imponuara nga regjimi serb i [Sllobodan] Millosheviqit".

Ajo citon zyrtarë të huaj ta kenë përshkruar Krasniqin si figurë konstruktive që tentonte të gjente zgjidhje paqësore, dhe që nuk kërkonte përballje apo konfrontim.

“Asnjë dëshmitar nuk ka dëshmuar se Krasniqi perceptohej si i përfshirë në krime apo në ndonjë plan kriminal. Në të kundërtën, pretendimet nuk janë besuar”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat