​Prokuroria përfundoi kundërpërgjigjet, Thaçi dhe të tjerët deklarohen të mërkurën

Aktuale

​Prokuroria përfundoi kundërpërgjigjet, Thaçi dhe të tjerët deklarohen të mërkurën

Më: 16 shkurt 2026 Në ora: 07:52 Përditësuar në ora: 11:29 më 16.02.2026
Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë.

Pika e radhës: Roli i Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së

Sipas avokatit Ellis, Prokuroria në mënyrë të gabuar ka bërë përpjekje që të lidhë praninë e Krasniqit në disa vende krimesh të pretenduara, me kryerjen e krimeve, pa dhënë ndonjë dëshmi apo provë të vetme nëse prania e tij ka kontribuuar në kryerjen e krimeve.

“Ata nënkuptojnë që mund të ketë një lidhje, por pa na e dhënë bazën dhe pa konfirmuar që prania e tij ka kontribuuar në kryerjen e krimeve. Duke thënë thjesht që ka qenë i pranishëm, nuk mund të pretendohet se ekziston një provë”, ka deklaruar avokati.

“Krasniqi ka qenë pjesë e një delegacioni që e ka zhvilluar një vizitë në zonën e Llapit në gusht të vitit 1998, por Prokuroria nuk e vërteton që delegacioni të ketë shkuar në qendrat e ndalimit apo që Krasniqi të jetë informuar për ndalime personash. Prokuroria pretendon se Krasniqi ka kaluar edhe në Bajgorë gjatë asaj vizite. Kjo nuk mjafton që të dilet në përfundimin se ai ka pasur dijeni për ndalimet e personave atje”.

Sipas avokatit, “Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë që Krasniqi ka kontribuuar për krimet që janë kryer në cilësinë e tij si zëdhënës”.

“Prokuroria nuk gjeti lidhje mes rregulloreve të UÇK-së dhe krimeve në aktakuzë”

Avokati Ellis thotë se:

“Shumica e dëshmitarëve folën për një rregullore të përgjithshme ku caktoheshin detyrat e policisë ushtarake dhe më pas Prokuroria e përktheu siç deshi. Shumica e provave nuk kanë vërtetuar për ndonjë praktikë të pamëshirshme në terren. Prokuroria nuk e vërteton argumentin e saj, sepse në fakt ajo nuk e ka trajtuar thelbin e argumentit”.

Ai, gjithashtu, i ka bërë thirrje trupit gjyqësor që t’i marrë me shumë rezerva dëshmitë e disa dëshmitarëve që i ka ftuar Prokuroria, pasi, sipas avokatit “99 për qind e dëshmitarëve nuk e kanë parë asnjë rregullore”. / REL

Çështja e komunikatave të UÇK-së

Avokati Ellis tani po i trajton pretendimet e Prokurorisë se komunikatat e UÇK-së kanë kontribuuar në ndalimet e personave në zonën e Llapit.

“Dëshmia e vetme e rëndësishme, sipas saj, është vetëm ajo që ka thënë komandanti i zonës, Rrustem Mustafa... përgjigja e tij përfundimtare ka qenë shumë e qartë, ai ka thënë se arsyeja kryesore që janë trajtuar personat që kanë penguar punën e UÇK-së ka qenë arsyeja ushtarake. Atij nuk i kujtohet asnjë komunikatë konkrete që t’i ketë dhënë atij autorizim që t’i trajtonte këta persona. Më pas, ai tha se nuk i nevojitej leje prej askujt që të ndalonte persona në zonën e tij. Ishte mbret i mbretërisë së tij. Ky ishte thelbi i dëshmisë së tij dhe, sipas nesh, kjo krijon dyshim të arsyeshëm sa i përket lidhjes së pretenduar shkakësore me zonën e Llapit".

Sipas avokatit, Prokuroria është përpjekur që ta mbulojë këtë “problem të dukshëm” duke thënë në dosjen e saj se “dëshmia e Rrustem Mustafës është qarkore dhe kontradiktore”.

"Nëse dëshmitari i Prokurorisë është kontradiktor, atëherë Prokuroria nuk ka arritur t'i vërtetojë argumentet e veta".

Nis shpalosja e argumenteve

Avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis e ka nisur fjalën e vet duke thënë se Prokuroria nuk e ka vërtetuar nëse ka një lidhje shkakësore që i atribuohen Krasniqit dhe akuzave në aktakuzë.

Ai e ka kritikuar Prokurorinë që ka shpalosur argumente të reja gjatë deklaratave përmbyllëse, kur procesi veç po shkon drejt fundit.

“Duke mos u treguar deklaratat dëshmitarëve që lidhen me këto dëshmi, Prokuroria nuk ka të drejtë të dalë me përfundimin se deklaratat janë shpërndarë në mënyrë të gjerë, janë lexuar, se janë marrë masa në bazë të tyre apo që kanë kontribuuar në mënyrë të konsiderueshme në kryerjen e krimeve”.

Vonesë në nisje të seancës

Gjykata ka bërë të ditur se punimet sot i nis me vonesë, përkatësisht në orën 09:40, ose në orën 10:25 në transmetimin me vonesë.

​Mbrojtja e Jakup Krasniqit vazhdon deklaratën përmbyllëse në Hagë

Ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit do të vazhdojë sot me deklaratën përmbyllëse.

Mbrojtja e tij, e udhëhequr nga avokatja Venkateswari Alagendra ka nisur parashtrimet përfundimtare pasditen e së premtes.

Ajo ka thënë para trupit gjykues se klienti i saj po privohet padrejtësisht nga liria tash e pesë vjet.

Avokatja e Krasniqit tha se ekziston vetëm një opsion - që Krasniqi të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës dhe të kthehet pranë familjes së tij.

Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka një orë e gjysmë kohë për të përfunduar parashtrimet përfundimtare.

Pas kësaj, trupi gjykues për dy orë do të parashtrojë pyetje për palët. E më pas radhën e ka Zyra e Prokurorit të Specializuar për kundërpërgjigje.

Katërshja e UÇK-së do t'i drejtohet trupit gjykues të mërkurën me deklaratat përmbyllëse, secili nga 20 minuta.

Kjo shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.

Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ata kanë deklaruar para trupit gjykues se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së për krime lufte.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat