Gërvalla: Shpresoj që Kushtetuesja ta ketë parasysh rolin e saj

Aktuale

Gërvalla: Shpresoj që Kushtetuesja ta ketë parasysh rolin e saj

Më: 16 mars 2026 Në ora: 23:54
Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla tha se është detyrim i të gjithëve të diskutojnë e të shtjerrin debatin, para se, siç u shpreh, me një lehtësi të habitshme ta dërgojmë vendin përsëri në zgjedhje, e që sipas saj, nuk do të prodhojnë asgjë të re.

“Pra, përsëri qoftë edhe me 60 për qind t’i fitojmë ne zgjedhjet do të vijmë te pika ku përsëri do të na nevojitet konsensus rreth presidentit. Lutem shumë që Gjykata Kushtetuese ta ketë parasysh detyrën tepër të rëndësishme që ka në këtë proces”, tha ajo në RTK.

Ajo nuk ka dashur të komentojë se si do të jetë vendimi i mundshëm i Kushtetueses lidhur me dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit.

“Nuk dua të komentoj Gjykatën Kushtetuese, sepse nuk dua të jem pjesë e presioneve. Mjaftueshëm po i bëjnë disa akterë të tjerë presion Gjykatës Kushtetuese, jo unë. Si ministre e Drejtësisë jam shumë e kujdesshme në këtë pjesë, gjë që nuk do të thotë se veprimet e gabuara të gjykatës nuk i komentojmë. Ne kemi dëshmuar se i zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe në rastet kur nuk na pëlqejnë. Mirëpo, ky është shteti ligjor. Kur e thotë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese nuk ke më mjete juridike për ta hedhur poshtë dhe si qeveri e pranon dhe duhesh të vazhdosh punën. Shumë shpresoj që të dilet nga kjo rrugë, e cila përndryshe do të krijojë një rreth vicioz, me të cilin do të sillemi me muaj e vite të tëra pa gjetur zgjidhje”, shtoi Gërvalla.

Ajo tutje tha se fakti që PDK nuk pranoi as të diskutojë rastin e Andin Hotit për president tregon se ata herët janë nisur për të bllokuar dhe për ta çuar vendin në zgjedhje.

“Nuk e di pse, nuk e di çfarë mendojnë me zgjedhje të reja, përveç bllokadës, përveç evitimit të disa proceseve si Byroja, Vetingu etj, mirëpo politika gjithmonë është një maratonë, në të cilin ndodhin shumë shpesh befasi rrugës. Do të ishte mirë ta marrim seriozisht dhe të mos luajmë me tema të rëndësishme, të cilat e destabilizojnë vendin tonë, në një kohë kur e gjithë bota është e trazuar. Evropa është duke ndryshuar çdo ditë, gjëra që kanë qenë të pamundura të diskutohen pesë vjet më parë, sot janë temat më të rëndësishme të ditës”, tha Gërvalla.

E pyetur nëse në ditët e ardhshme mund të ketë një kandidat tjetër për president nëse krijohet kjo mundësi nga Gjykata Kushtetuese, Gërvalla tha se vet fakti që kryeministri Kurti i ka thirrur përfaqësuesit e opozitës përsëri tregon se ai është i hapur të diskutojë me ta.

“Deri tani reagimet janë fëmijërore. Jo nuk flasim me ty, jo presim Gjykatën Kushtetuese. E pse duhet ta presim gjykatën nëse kemi shansin të diskutojmë dhe t’i përgatisim gjërat, me qëllim që çfarëdo të vendos gjykata, të paktën që marrëveshjet që mund t’i bëjmë të mos mbeten pa u bërë”, shtoi Gërvalla.

Sipas saj qytetarët do t’ia japin mesazhin opozitës që me këtë qasje nuk kanë për të fituar asgjë.

“Përkundrazi kanë për të humbur edhe më shumë sepse çdo ditë e cenojnë kredibilitetin e tyre edhe ashtu shumë të dëmtuar, me sjelljet sidomos të vitit të fundit, por edhe me sjelljet që i kanë pasur në vazhdimësi gjatë mandatit të kaluar qeveritar”, nënvizoi Gërvalla.

Ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë që nëse shkohet në zgjedhje, si koalicion qeveritar, mund të rikthehen me një fitore edhe më bindëse se sa ajo që kanë pasur, sepse, sipas saj është shumë e qartë kush është duke bllokuar. ”Qytetari edhe tani e sheh kush është bllokuesi”, tha Gërvalla

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat