Në Kuvend ndizen qirinj për të mbijetuarit e dhunës seksuale, Kurti me akuza të ashpra ndaj Beogradit

Aktuale

Në Kuvend ndizen qirinj për të mbijetuarit e dhunës seksuale, Kurti me akuza të ashpra ndaj Beogradit

Më: 14 prill 2026 Në ora: 17:32 Përditësuar në ora: 19:22 më 14.04.2026
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi me moton “Ma kthe dritën”: Çdo qiri dëshmon se të mbijetuarat nuk janë vetëm

Kuvendi i Kosovës shënoi Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës, nën moton “Ma kthe dritën”, duke ndezur qirinj si akt kujtese, solidariteti dhe zotimi për drejtësi.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes dhe njëkohësisht kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, vlerësoi se dhuna seksuale gjatë luftërave ka qenë historikisht një instrument i nënshtrimit dhe terrorit, ndërsa në rastin e Kosovës, sipas saj, kjo dhunë u ushtrua në mënyrë të organizuar nga aparati shtetëror i Serbisë si pjesë e një strategjie për shkatërrimin e strukturës shoqërore.

Haxhiu: Kur themi sot “Ma kthe dritën”, flasim për dritën që i detyrohemi së vërtetës, dinjitetit që u mundua të nëpërkëmbet

“Sot sapo ndezëm qirinj në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Një simbolikë e thjeshtë në dukje, por e thellë në domethënie. Siç do të thoshte Martin Luther King, errësira nuk mund ta dëbojë errësirën, këtë mund ta bëjë vetëm drita. Kur themi sot “ma kthe dritën” flasim për dritën që i detyrohemi së vërtetës, dinjitetit që u mundua të nëpërkëmbet dhe për jetën që u nda në dysh. Këtu i kemi Vasfijen, Shyhreten, Danin, të ndjerën Martë Tunaj dhe të mbijetuar të tjerë të dhunës seksuale, të cilët me zërin e tyre nuk ndryshuan vetëm diskursin publik, por vetë ndërgjegjen e këtij shteti. Falë atij guximi, Kosova nisi të ndërtojë një përgjigje institucionale, duke filluar nga njohja ligjore e statusit të të mbijetuarve, mekanizmat e verifikimit dhe mbështetjes si dhe përfshirjen e kësaj çështjeje në kalendarin tonë institucional”, tha ajo.

Haxhiu bëri të ditur se aktualisht janë në proces 12 aktakuza për raste të dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa vetëm një vendim është i formës së prerë e dy të tjerë që po presin të marrin formën e prerë.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti tha se megjithëse ka rritje të gjykimeve dhe dënimeve për krimet e luftës, ato mbeten të pamjaftueshme në raport me përmasat e krimeve të kryera.

Kurti: Kur në Kosovë po flasim për krime lufte, Kuvendi serb, pak ditë më parë u shndërrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës

“Kjo ditë është thirrje për mbarë shoqërinë që të mbështesë edhe gratë dhe burrat e tjerë të mbijetuar që përballen me paragjykime në kërkim të të drejtave që u takojnë.
Në vitet e fundit po rritet numri i gjykimeve dhe i dënimeve për këto krime lufte që nuk falen. Sot Kuvendi ynë nderon viktimat e dhunës seksuale, ndërsa Serbia, pak ditë më parë, u shndërrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës për krimet e luftës në Kosovë. Atje u organizua ekspozitë për njësitë e ushtrisë jugosllave dhe ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë, komandantët më të lartë të së cilave janë dënuar për krime kundër njerëzimit në Kosovë, pa u distancuar nga e kaluara e saj kriminale”,
tha ai

Në emër të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, vuri në pah se për vite të tëra stigma dhe mungesa e mbështetjes kanë mbajtur shumë histori në heshtje, por sot, sipas saj, Kuvendi po shndërrohet në një hapësirë ku kjo heshtje thyhet dhe solidariteti bëhet veprim konkret.

Krasniqi: Çdo qiri është një mesazh se të mbijetuarat nuk janë vetëm

“Sot po dal para jush si e mbijetuar, por mbi të gjitha si një zë që nuk zgjodhi heshtjen kurrë. Qirinjtë që ndezëm sot nuk përfaqësojnë vetëm një moment ceremonial, por jetën tonë, kujtimet tona dhe forcën tonë për të vazhduar përpara. Sot ky Kuvend bëhet vend ku heshtja thyhet dhe zëri ndriçon një hapësirë ku solidariteti nuk është fjalë, por veprim i përbashkët. Çdo qiri është një mesazh se të mbijetuarat nuk janë vetëm”, tha ajo.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti theksoi rëndësinë e simbolikës së qiririt të punuar nga gratë, duke e cilësuar si një shenjë respekti dhe përkushtimi ndaj të mbijetuarve. Ajo vlerësoi guximin e individëve që kanë folur publikisht dhe kanë ndikuar në ndryshimin e diskursit shoqëror, duke përfshirë edhe thyerjen e tabuve për viktimat meshkuj.

Rushiti: Kur ndezim këta qirinj, e shohim si një zotim për të punuar për avancimin e kauzës për të mbijetuarit e dhunës seksuale

“Sot, kur ndezim këta qirinj, i shohim si një zotim prej secilit për të punuar për ligje që avancojnë kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale, për të mbështetur politika që shërojnë dhimbjet e tyre. Një zotim për të qenë zëri i atyre që shpesh nuk janë dëgjuar.
Ky qiri nënkupton zotimin për të luftuar stigmat dhe për të krijuar hapësira të sigurta ku gra e burra të dëgjohen”,
u shpreh ajo.

Sot me 14 prill nderohen të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Bytyqi: Dhuna seksuale ishte strategji e qëllimshme e regjimit serb

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, gjatë fjalimit të mbajtur në Kuvend, ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës.

Ajo kërkoi të hiqen afatet për aplikim, të zgjidhet me ligj çështja e pensionit të dyfishtë për të mbijetuarit e luftës dhe të rritet presioni institucional për ndjekjen e autorëve të këtyre krimeve.

Ajo theksoi se dhuna e ushtruar ndaj grave dhe burrave të mbijetuar ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme të regjimit serb, me qëllim që të thyhej dinjiteti i popullit shqiptar.

“Sot ju drejtohemi ju, grave dhe burrave që iu keni mbijetuar dhunës seksuale, ajo që iu ndodhi ishte strategji e qëllimshme, e përdorur nga regjimi serb për ta thyer dinjitetin tonë”.

“Për shumë vite të dashur vëllezër e motër, jetuat në heshtje, që nuk ishte zgjidhje për detyrim, që u detyrua nga stisma e mungesa e mbështetjes”, tha ajo.

Lushaku-Sadriu: Heshtja nuk është opsion, drejtësi për viktimat e dhunës seksuale

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka dhënë një mesazh të fuqishëm për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, duke theksuar se ato nuk janë të vetme në përpjekjen e tyre për drejtësi.

Gjatë fjalimit të mbajtur në Kuvend, Lushaaku u shpreh se asnjë fjalë nuk mund të mbushë zbrazëtirën që krijon dhimbja, por që viktimat duhet të dinë se nuk janë të vetme në këtë rrugëtim të vështirë.

“E dimë që nuk ka fjalë që ju ngushëllon, por po iu them që ju nuk jeni vetëm, me dhimbjen, në kërkimin tuaj për drejtësi, dhe nuk do të jeni më kurrë të vetme me përballjen tuaj me të kaluarën. Në këtë ditë ne nderojmë forcën dhe dinjitetin tuaj”.

“Kjo histori nuk do të harrohet kurrë, sot qëndrojmë këtu për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për ju. Nga kjo foltore dua të bëj thirrje që nuk është e lehtë dhe heshtja nuk është opsion”, tha ajo.

Hamza: Lufta nuk përfundon me heshtjen e armëve, por me drejtësinë për viktimat

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë një fjalimi të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, theksoi nevojën për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës.

Ai shtoi se shumë prej këtyre viktimave, gra dhe burra, ende presin që autorët e krimeve të përballen me ligjin.

“Gjatë etapave të ndryshme të historisë shpesh është thënë se lufta nuk përfundon me heshtjen e armëve, por vetëm kur drejtësia arrin tek ata që mbetën me plagët e saj. Sot përveç që kujtojmë jemi mbledhur edhe për të kërkuar drejtësi. Në Kosovë ka mijëra gra dhe burra të mbijetuar të dhunës që ende presin drejtësi. Ndërkohë që shumë pak autor janë përballur me ligjin”, tha Hamza.

Ai theksoi se dhuna seksuale që u ushtrohej ndaj civilëve gjatë luftës ishte një krim i rëndë dhe një strategji terrori e përdorur nga regjimi serb.

“Jemi këtu për të nderuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, gra dhe burra që përjetuan një nga krimet më të rënda, që përkundër sfidave zgjodhën të qëndrojnë dhe të denoncojnë krimet kundër tyre. Ishte krim dhe strategji terrori e popullit serb. Por ja ku jemi sot në Kosovën e lkirë të pavarur…”, përfundoi ai.

Nagavci: Të mbijetuarit e dhunës seksuale, zë i së vërtetës përballë kriminelëve serbë

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, në seancën solemne për shënimin e Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës, “Ma kthe dritën”, tha se shoqëria jonë duhet t’iu sigurojë atyre hapësira të sigurta dhe vende ku flasin pa u gjykuar.

Nagavci tha se qëllimi i Serbisë  gjatë luftës ishte i qartë, por nuk ia dolën e as nuk do të ia dalin sepse të mbijetuarit e dhunës seksuale, u bënë zë i shumë të tjerëve.

“Dhunimi seksual gjatë luftës përbën një krim të rëndë dhe një strategji të përdorur nga Serbia, me qëllim nënshtrimin, frikësimin dhe dëmtimin e strukturës shoqërore.

Qëllimi ishte i qartë. Por nuk ia dolën, e nuk do të ia dalin asnjëherë. Sepse ju mbijetuat, ishit zëri i shumë të tjerëve që nuk janë shprehur hapur.

Ju jemi përjetësisht mirënjohës për guximin, që keni thyer heshtjen dhe jeni bërë zë dhe inspirim për shumë të tjerë, që ta sjellni të vërtetën përballë kriminelëve serbë e të kërkoni drejtësi pareshtur.”

Qirinjtë u punuan nga duart e grave, Rushiti: Ndezja e tyre do të thotë shumë për të mbijetuarit

Feride Rushitin, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës së Rehabilitimit të Viktimave të Torturës në Kosovë sonte në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës tha se qirinjtë e ndezur janë punuar nga duart e grave.

Ajo u shpreh se ndezja e këtyre qirinjve do të thotë shumë të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës.

“Ndezja e këtyre qirinjve, të cilët janë punuar nga duar e grave do të thotë shumë për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës.

“Nuk është vetëm një dritë që ndriçon, por krijon një hapësirë të sigurt ku në parlament po flitet për to”, tha Rushiti.

Vasfije Krasniqi e emocionuar: Drita ka munguar, shumë histori mbetën të heshtura – por sot zëri ndriçon!

Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, ka ndarë një mesazh të fuqishëm në Kuvendin e Kosovës gjatë Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës.

Ajo tha se për shumë vite, drita ka munguar në jetën e të mbijetuarve, por sot zëri ndriçon.

“Në këtë sallë drita ka një kuptim tjetër, nuk është dritë qiriri është prani, është respekt, është kujtim që nuk dihet.

Për shumë vite drita ka munguar në jetën e shumë të mbijetuarve, heshtja, stisma dhe mungesa e mbështetjes familjare e shoqërisë ka bërë që shumë histori të mbetën të heshtura, sot ky kuvend bëhet një hapësirë, ku heshtja thyet dhe zëri ndriçon”, tha Krasniqi.

Vasfije Krasniqi përlotet gjatë fjalimit në Kuvend, deputetët ngriten në këmbë

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, ka dhënë një fjalim emocional në Kuvendin e Kosovës, gjatë Ditës Memoriale të Viktimave të Dhunës Seksuale.

Ajo e kujtoi momentin e tmerrshëm të 14 prillit, që ndryshoi jetën e saj për gjithmonë.

Ajo theksoi se qirinjtë që ndezën në këtë ditë nuk janë vetëm një simbol ceremonial, por përfaqësojnë jetët, kujtimet dhe forcën e të mbijetuarve për të ecur përpara.

“Sot qëndroj para jush si një e mbijetuar por si një zë që nuk zgjodhi heshtjen. 14 prilli është një datë që ndryshoi jetën time përgjithmonë, dhe pikërisht me këtë datë ky kuvend bëhet një vend ku dhimbja nuk fshehet por ndriçon…"

“Këta qirinj nuk përfaqëson  vetëm një moment ceremonial por përfaqësojnë jetën tonë, kujtimet tona dhe forcën për të vazhduar për para". 

Kurti: Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, Serbia shërben si strehë për fshehjen e kriminelëve

Në fjalimin e tij në seancën solemne në shënim të Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës, kryeministri Albin Kurti tha se kjo ditë është një thirrje për mbarë shoqërinë.

Ai tha se heshtja dhe stigma që rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar, siç u shpreh, që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje

“Kjo ditë është edhe thirrje për mbarë shoqërinë, që të mbështesë edhe gratë e burrat e tjerë të mbijetuar që vazhdojnë të përballen me paragjykime, në kërkim të të drejtave që atyre u takojnë. Heshtja dhe stigma që ende rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje”.

“Kjo heshtje nuk duhet të jetë më barrë e juaja, ajo është përgjegjësi e jona si shoqëri për ta thyer atë. Është detyra jonë si shtet e shoqëri që të ofrojmë përkrahjen tonë maksimale me empati dhe respekt të thellë njerëzor”, tha ai.

Kurti u shpreh se derisa Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, siç tha, Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve.

“Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, e Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimeve. Sot Kuvendi ynë i Republikës së Kosovës nderon viktimat e dhunës seksuale të përdorur si armë lufte, e Kuvendi i Serbisë, pak ditë më parë u shëndrrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës dhe glorifikim të njësive përgjegjëse për krime lufte në Kosovë” , tha ai

Haxhiu: Drejtësia mbetet e cunguar për aq kohë sa autorët e dhunës seksuale jetojnë të lirë në Serbi

Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, nderoi viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar rëndësinë e kujtimit dhe drejtësisë për ato gra dhe burra që përjetuan këtë krim të tmerrshëm.

Ajo theksoi se dhuna seksuale gjatë luftës është një nga krimet më të rënda dhe më egëra që mund të godasë qenien njerëzore, sepse prek dhe shkatërron jo vetëm trupin, por edhe dinjitetin.

“Qirinjtë sapo i ndezëm, një simbolikë e thjeshtë në dukje, por e thellë në domethënie. Sot kur themi “ma kthe Dritën”, flasim për dritën që i detyrohemi të vërtetës, dinjitetin që tentua të nëpërkëmbët dhe për jetën që u nda në dysh. Pak krime e godasin qenien njerëzore me aq egërsi sa dhuna seksuale në luftë, pasi përmes saj sulmohet rrënjësisht vet dinjiteti njerëzor”, tha Haxhiu.

Haxhiu, theksoi se drejtësia për viktimat e dhunës seksuale mbetet e pa plotë derisa autorët e këtyre krimeve jetojnë të lirë në Serbi.

“Drejtësia mbetet e cunguar për aq kohë sa autorët e këtyre krimeve jetojnë të lirë në Serbi, të strehuar dhe të mbrojtur nga një shtet që ende nuk është përballur me përgjegjësinë e vet për krimet e kryera në Kosovë”, tha Haxhiu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat