Familja Imeri ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit brenda Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke akuzuar kryetarin Lumir Abdixhiku për mungesë legjitimiteti dhe drejtim të gabuar të partisë.
Në reagimin e tyre, ata theksojnë se Abdixhiku “pa qenë kryetar legjitim” ka krijuar një kryesi që, sipas tyre, po e shtyn partinë “edhe më thellë në humnerë”. Sipas familjes Imeri, mënyra e udhëheqjes së tij tregon “prirje të qarta diktatoriale”, ndërsa pretendojnë se strukturat drejtuese janë zgjedhur në kundërshtim me normat statutare të LDK-së.
Ata e cilësojnë këtë situatë si “goditje të rëndë për partinë”, duke shtuar se LDK po shndërrohet në një subjekt “pa të ardhme politike”. Në reagim thuhet se Abdixhiku nuk ka strategji dhe as aftësi bashkuese, duke theksuar se “një parti nuk mund të bashkohet kur udhëhiqet nga një kryetar pa legjitimitet”.
Sipas tyre, zhvillimet rreth çështjes së presidentit vetëm sa po e thellojnë krizën brenda partisë, ndërsa çdo veprim i Abdixhikut, siç pretendojnë, “i jep krah forcimit të Partia Demokratike e Kosovës (PDK)”.
Në reagim përmendet edhe Vjosa Osmani, për të cilën thuhet se, së bashku me Abdixhikun, “nuk po e rrisin LDK-në, por përkundrazi po e zvogëlojnë atë”.
Familja Imeri vlerëson se elektorati tradicional i LDK-së është larguar, ndërsa edhe ata që kishin shpresë për ringjallje janë tashmë të zhgënjyer. Ata shtojnë se votuesit nuk mund të qëndrojnë në një parti që, sipas tyre, udhëhiqet nga një kryetar jolegjitim dhe që largon figura me kontribut të gjatë.
Në fund, ata theksojnë se LDK është në shpërbërje, por votuesit e saj tashmë kanë alternativa, duke përmendur Partia Guxo dhe Lëvizja Vetëvendosje si subjektet ku, sipas tyre, një pjesë e elektoratit tashmë është zhvendosur.
Gjithashtu, në reagim përmendet edhe Donika Gërvalla, për të cilën thuhet se “me të ndërtohet shteti”.
Shkrimi i plotë:
-Lumir Abdixhiku, pa qenë kryetar legjitim I LDK, paska krijuar një kryesi që e shtyn partinë edhe më thellë në humnerë..
-Ai po tregon prirje të qarta diktatoriale.
-Kryesia është zgjedhur në kundërshtim me normat statutare të LDK-së, po thone zyrtaret e saj.
-Kjo është një goditje e rëndë për partinë.
-LDK po shndërrohet në një subjekt pa të ardhme politike.
-Abdixhiku nuk ka strategji.
-Nuk ka as aftësi bashkuese.
- Një parti nuk bashkohet kur udhëhiqet nga një kryetar pa legjitimitet.
-Lojërat rreth presidentit po e thellojnë edhe më shumë krizën.
-Gjithçka ben Lumir Abdixhiku vetëm sa i jepë krahe forcimit te PDK..
-Bashkë me Vjosa Osmani, ata nuk e rrisin LDK-në.
- Përkundrazi, po e zvogëlojnë, ate .
-Elektorati real i LDK-së tashmë është larguar.
-Edhe ata që kishin shpresë për një ringjallje, tanime janë zhgënjyer..
-Një votues nuk mund të qëndrojë në një parti me një kryetar jolegjitim, i cili largon figura që i kanë shërbyer partisë për dekada.
-LDK është në shpërbërje.
-Por votuesit e saj kanë alternativa. Partia Guxo dhe Lëvizja Vetëvendosje aty ku shumica vetem kane migruar.
-Me Donika Gervallen ndertohet shteti.