Përfundon seanca e Kuvendit – këto janë të gjitha vendimet që u morën

Aktuale

Përfundon seanca e Kuvendit – këto janë të gjitha vendimet që u morën

Më: 24 prill 2026 Në ora: 07:24 Përditësuar në ora: 19:58 më 24.04.2026
Kuvendi i Kosovës

​Kuvendi zgjodhi anëtarët e KPM-së

Kuvendi i Kosovës zgjodhi anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media.

Drita Morina, Besnik Berisha, Luljeta Krasniqi-Aliu dhe Hysni Mustafa janë anëtarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

Ndërsa, nga komunitetet jo shumicë, janë zgjedhur Suada Gjokoviq dhe Serpin Emrushi.

Kuvendi i Kosovës drejt përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së

Kuvendi i Kosovës është duke votuar për përzgjedhjen e gjashtë anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media.

Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së ka njoftuar se kandidatët më të poentuar nga procesi para votimit në Kuvend janë Drita Morina, Besnik Berisha, Majlinda Aliu, Petrit Hasanaj, Vijona Sylejmani – Shabani, Luljeta Aliu – Krasniqi, Vlora Berisha dhe Hysni Mustafa.

Ndërkaq nga komunitetet kandidatët më të poentuar janë Fatih Basha dhe Suada Dzogovic, Serpin Emrusi dhe Ajtene Kodrazi.

Kuvendi zgjedh dy anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur dy anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Bashkim Hyseni dhe Ivana Milenkovic, janë zgjedhur anëtarë me mandat 5-vjeçar.

Në bazë të raportit të Komisionit Votues, Hyseni ka marrë 95 vota, ndërsa Milenkoviq 87 vota.

Ndërsa për anëtarin e tretë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, tha se do të hapet sërish konkurs.

Deputetët serbë lëshojnë sallën pas vendimit për sulmin terrorist në Banjskë

Deputetët serbë kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës gjatë seancës, pasi kryeparlamentarja Albulena Haxhiu mirëpriti dënimet për sulmin terrorist në Banjskë, dhe vendimi u duartrokit nga të gjithë deputetët.

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë.

Pas 2 vjet e 7 muajsh nga sulmi, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq janë dënuar me burgim të përjetshëm, kurse Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet.

Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri policor 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.

Haxhiu pas vendimit për Banjskën: Drejtësia përmbyllet kur Radoiçiq dorëzohet në Kosovë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ngritur në këmbë gjatë seancës plenare për vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për rastin “Banjska”.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, përshëndeti vendimin dhe kjo u mirëprit nga deputetët.

“Me lejoni që të përshëndes vendimin e Gjykatës Themelore për dënim me burgim të përjetshëm për sulmin terrorist në Banjskë”.

“Përgëzoj institucionet e Republikës së Kosovës që shqiptuan dënimin me burgim të përjetshëm. Megjithatë, drejtësia për sulmin terrorist nuk përfundon këtu; ajo përmbyllet kur kryeterroristi Milan Radoiçiç dorëzohet në Republikën e Kosovës bashkë me terroristët e tjerë. Lavdi rreshterit Afrim Bunjaku”, tha tutje Haxhiu.

Hyseni-Kryeziu: Do të zgjerohet rrjeti i organizatave ku Kosova është anëtare

Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Anëtarësimi në këtë mekanizëm ndërkombëtar u tha se fuqizon pozitën e Kosovës dhe hap mundësi për sigurimin e njohjeve të reja. Megjithatë, partitë opozitare akuzuan mazhorancën se i ka zvarritur procedurat për t’i dhënë dritën e gjelbër kësaj marrëveshjeje.

Bordi i Paqes është një mekanizëm ndërkombëtar, i parashikuar në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në nëntor 2025, që synon të mbikëqyrë administrimin e përkohshëm të Gazës dhe rindërtimin e institucioneve civile.

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte njëra nga 19 udhëheqësit botërorë që nënshkruan themelimin e këtij bordi më 22 janar në Davos të Zvicrës, i cili synon rindërtimin e Gazës pas luftës dyvjeçare shkatërruese. Në këtë iniciativë multilaterale janë përfshirë shtete nga rajone të ndryshme të botës, mes tyre edhe shtatë vende mosnjohëse të Kosovës, si Argjentina, Azerbajxhani, Indonezia, Pakistani, Mongolia dhe Uzbekistani.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e përshëndeti këtë marrëveshje, duke theksuar nevojën e miratimit të saj.

Hyseni-Kryeziu: Do të zgjerohet rrjeti i organizatave ku Kosova është anëtare

“Anëtarësimi në këtë organizëm do të zgjeronte rrjetin e organizatave ndërkombëtare ku Kosova është anëtare. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projektligji, ne si GP i LVV-së e mbështesim me votë”, tha ajo.

Rëndësinë e miratimit të marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes e theksoi edhe deputeti i PDK-së, Ilmi Reçica, i cili kritikoi qeverinë për zvarritje të procedurave.

Reçica: Anëtarësimi në Bordin e Paqes është zvarritur

“Kryeministri dhe qeveria s’janë bërë të gjallë për këtë projektligj fare... Anëtarësimi është interes i lartë shtetëror, forcon sigurinë kombëtare, orientimin euro-atlantik të Kosovës dhe konsolidon aleancën me SHBA-në... Ky projektligj nuk mund të ndryshohet siç kanë kërkuar disa deputetë të LVV-së. Duhet të votohet si i tillë dhe të ecet tutje. Krejt kjo zvarritje është bërë pa arsye dhe kot”, tha ai.

Përkrahje në emër të LDK-së dha edhe deputeti Anton Quni, i cili tha se Kosova po riafirmon imazhin e saj në sytë e botës.

Quni: Kosova po riafirmon imazhin e saj në sytë e botës

“Duke u bërë pjesë e këtij organizimi, Kosova pushon së qeni vetëm konsumator i paqes së importuar nga jashtë, por po shndërrohemi në eksportues të stabilitetit... Anëtarësimi në këtë bord i jep Kosovës një mundësi të artë për të rinovuar imazhin e saj në sytë e botës”, tha ai.

Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, theksoi nevojën për miratimin e kësaj marrëveshjeje, duke e quajtur akt me rëndësi të veçantë.

Kadrijaj: Anëtarësimi në Bordin e Paqes do të duhej të ishte një akt ceremonial

“Megjithatë, vonesave mendoj se duhet me qenë akt ceremonial sot dhe me votu. Kjo është dëshmia më e mirë se Kosova po garanton siguri, diplomaci, përkushtim dhe miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ajo.

Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Haxhi Avdyli, ia adresoi meritat për anëtarësim ish-presidentes Vjosa Osmani.

Avdyli: Vjosa Osmani është meritore për anëtarësimin në Bordin e Paqes

“Në këtë proces dua të theksoj rolin e jashtëzakonshëm dhe vizionin strategjik të presidentes Vjosa Osmani, e cila me angazhimin e saj ka kontribuar në avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës... Presidentja Osmani ka arritur ta vendosë Kosovën në zemrën e tavolinave ndërkombëtare”, tha ai.

Krahas kësaj, Kuvendi miratoi edhe marrëveshjen për ratifikimin e amendamentit nr. 2 të marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2020, si dhe amendamentin nr. 1 për programin IPA 2019, pjesa e dytë, objektivi 1. 

Kurti: Mbi 37 milionë për mbrojtjen e të akuzuarve padrejtësisht në Hagë

Kryeministri Albin Kurti tha se nuk kanë hezituar që të ngrenë zërin kundër vendimeve të padrejta në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Këto deklarime i bëri ai pas pyetjes së deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, lidhur me këto shqetësime për shkelje të të drejtave të njeriut nga Specialja.

Kurti: Nuk kemi hezituar të ngremë zërin kundër vendimeve të padrejta ndaj krerëve të UÇK-së

“Qeveria e Republikës së Kosovës e trajton me seriozitet të plotë çdo shqetësim që lidhet me respektimin e drejtave të njeriut, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në këtë drejtim komunikimi institucional me partnerët ndërkombëtarë është i vazhdueshëm dhe i strukturuar duke u zhvilluar mënyrë të përgjegjshme dhe në përputhje me natyrën e ndjeshme të proceseve gjyqësore. Po ashtu nuk kemi hezituar të ngremë zërin kundër vendimeve të padrejta ndaj krerëve të UÇK-së, siç ishin për shembull, mos lejimi i ish-presidentit Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, si dhe pranimi i dokumenteve zyrtare të shtetit gjenocidal si prova në procesin gjyqësor atje”, ka thënë ai.

Po ashtu, Kurti tha se qeveria nuk mund të ndërhyjë në procedura gjyqësore.

Kurti: Qeveria nuk ndërhyn në procedura gjyqësore

“Qeveria nuk ndërhyn në procedura gjyqësore dhe as nuk ka qasje të drejtpërdrejt në informacionet operative të proceseve në zhvillim. Megjithatë, kjo nuk përjashton përgjegjësinë tonë për të ngritur çështje të karakterit parimor dhe për të kërkuar standarde të larta të transparencës dhe të respektimit të të drejtave themelore. Në këtë kuadër, në komunikimin zyrtar drejtuar zonjës Ekaterina Trendafilova, unë kam theksuar se nga perspektiva institucionale e sigurisë së Republikës së Kosovës nuk ekzistojnë rrethana që do të pengonin qëndrimin e të akuzuarve në territorin e vendit tonë gjatë zhvillimit të procedurave, duke garantuar kapacitetin e plotë të institucioneve për të siguruar mbarëvajtjen dhe integritetin e kapaciteteve”, shtoi Kurti.

Më pas, deputetja Musliu Shoshi i tha kryeministrit Kurti se “nuk mjaftojnë reagimet në rrjete sociale për çështje kaq të rëndësishme për historinë tonë”.

Kurti tha se nuk janë kursyer për t’i mbrojtur krerët e UÇK-së.

Kurti: Mbi 37 milionë për mbrojtjen e të akuzuarve padrejtësisht në Hagë

“Gjatë këtyre pesë viteve e gjysmë gjithsejtë janë ndarë nga Republika e Kosovës mbi 37 milionë për mbrojtjen e të akuzuarve padrejtësisht në Hagë. Pra, nuk jemi kursyer për t’i mbrojtur me avokatët që janë përzgjedhur prej vetë atyre...Kontributi më i madh që unë si kryeministër e kam dhënë për këtë çështje është kur si deputet i Republikës nuk e kam votuar ndryshimin kushtetues dhe as Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Më pastaj ka replikuar sërish deputetja Musliu-Shoshi, duke i thënë që “e ka fuqinë për ta zhbërë Specialen”.

Musliu-Shoshi: Pse nuk e merr iniciativën me zhbë atë gjykatë?

“Fillimisht i përmende fondet. Janë jashtëzakonisht të rëndësishme, mirëpo e ke pasur mundësinë me e rrit fondin mbrojtës, sepse e din dhe je njoftu në detaje që nuk është i mjaftueshëm. Krejt fuqinë e ke me zhbë atë gjykatë, pasi që je aq shumë kundër saj dhe e thatë që nuk e ke votuar. Pse nuk e merr iniciativën me zhbë atë gjykatë? E dimë të gjithë standardet të cilat janë duke i aplikuar. Kryeministër mbi të gjitha duke i mbrojtur çlirimtarët tanë, e ki parasysh që e mbron historinë dhe mbron të drejtën tonë për të qenë shtet, e mbron luftën tonë çlirimtare, e mbi të gjitha kryeministër mbron të ardhmen e këtij vendi”, tha ajo.

Deputetët ratifikojnë marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për zgjidhjen e konflikteve në botë.

Për marrëveshjen votuan 103 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Çfarë është Bordi i Paqes?

Më 22 janar, është themeluar Bordi i Paqes gjatë një ceremonie të mbajtur në Davos të Zvicrës.

Bordi u lansua nga presidenti amerikan, Donald Trump, si një trup i ri për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.

Lexo lajmin e plotë këtu!

Paga e 13-të për punëtorët e RTK-së, Kurti del me sqarime në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur pyetjes së deputetes Ariana Musliu Shoshi rreth mosekzekutimit të pagës së 13-të për punëtorët e RTK-së.

“E kisha një hamendësim fillimisht, sepse nuk ishte pyetje meqenëse në fillim të pyetjes ju konstatuat. Cili është kuptimi të bëni pyetje nëse RTK-në e quani Radio Televizioni i Vetëvendosjes, nuk ka pyetje më aty. Me këso konstatimi kapital, s’ka mundësi më për pyetje. Sidoqoftë, kam mirësinë t’iu përgjigjjem meqenëse e kam lexuar pyetjen tuaj paraprakisht".

Kurti, megjithatë iu përgjigj deputetes, Musliu Shoshi duke thënë se RTK është institucion i pavarur dhe se pagat e punëtorëve të saj nuk i ekzekuton Qeveria, por vet institucioni.

"Vendimi i Qeverisë së Kosovës, mbështetet në nenin 32 të ligjit 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 që i jep Qeverisë kompetencë që në përputhje me planifikimet buxhetore të ndaj mjete për zyrtarët që kanë qenë të angazhuar së paku për 12 muaj. RTK është institucion publik i pavarur, edhe pse financimi i RTK-së sigurohet përmes Kuvendit i cili mbron autonominë institucionale, kjo nuk nënkupton përfshirje në listën e pagave të administratës shtetërore. Çështjet që lidhen me kompensimet me shpërblimet e punonjësve rregullohen me rregullore të brendshme që Qeveria nuk ndërhyn. Duke qenë se RTK është institucion i pavarur dhe pagat e punonjësve të tij nuk ekzekutohen përmes listës së pagave të organizatave buxhetore, punonjësit e këtij institucioni nuk përfshihen në listën e përfituesve me vendimin e pagës së 13-të i cili i referohet vetëm atyre që janë pjesë e kësaj liste”, tha Kurti.

Kurti: I kemi dhënë garanci Speciales se ish-krerët e UÇK-së mund t’i presin procedurat në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar sot në Kuvend qasjen institucionale ndaj proceseve gjyqësore në Hagë, duke bërë të ditur se i ka ofruar garanci zyrtare Gjykatës Speciale se Kosova ka kapacitete të plota për të mbajtur të akuzuarit në territorin e saj gjatë procedurave.

Gjatë fjalës së tij, Kurti tha se në komunikimin zyrtar me kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka shprehur qëndrimin se nuk ka asnjë rrezik që do ta pengonte qëndrimin e ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë.

Kryeministri bëri të ditur se ekzekutivi ka dhënë vlerësimin e tij zyrtar se kushtet e sigurisë në vend janë të mjaftueshme për lirimin me kusht të të akuzuarve.

“Kam theksuar se nga perspektiva institucionale e Kosovës nuk shohim rreziqe që do të pengonin qëndrimin e të akuzuarve në territorin e vendit tonë gjatë zhvillimit të procedurave, duke garantuar kapacitetin e plotë të institucioneve për të siguruar mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit”, deklaroi Kurti.

Ndonëse potencoi se Qeveria nuk ndërhyn në drejtësi, Kurti nuk hezitoi të kritikojë disa nga vendimet e fundit të Gjykatës, të cilat i quajti të padrejta.

“Nuk kemi hezituar të ngremë zërin kundër vendimeve të padrejta, siç ishin moslejimi i ish-presidentit Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, si dhe pranimi i dokumenteve të Serbisë si prova në procesin gjyqësor”, u shpreh ai para deputetëve.

Kreu i qeverisë sqaroi se arkitektura juridike e Speciales garanton pavarësinë nga ekzekutivi, gjë që kufizon qasjen e qeverisë në informacione operative. Megjithatë, ai premtoi se do të vazhdojnë të insistojnë për transparencë dhe respektim të të drejtave të njeriut në çdo hap të procesit, duke kërkuar standarde të larta gjykimi.

“Për sa i përket veprimeve konkrete, qeveria mbetet e përkushtuar që në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore: së pari të ngrejë në mënyrë të vazhdueshme çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut në komunikimet me partnerët ndërkombëtarë; së dyti të mbështesë çdo iniciativë që rrit transparencën dhe standardet procedurale në këto procese; dhe së treti të sigurojë që çdo shqetësim i ngritur të trajtohet në kuadër të mekanizmave institucionalë përkatës. Ne kemi ngritur zërin dhe do të vazhdojmë të insistojmë që çdo proces të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm”, u shpreh Kurt.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat