Çështja e presidentit, komuniteti egjiptian ofron kandidat konsensual
Deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka deklaruar se në emër të komunitetit egjiptian shpreh gatishmërinë për të ofruar një kandidat konsensual për president të Kosovës.
Ai tha se situata aktuale politike nuk po krijon hapësirë për zgjidhje konkrete dhe se mungon vullneti politik për tejkalimin e saj.
“Si parti politike dhe si grup parlamentar, nuk po ndihemi komod në një situatë që nuk ka vullnet politik për të dalë nga kjo situatë dhe në pamundësi për të ndërmarrë veprime konkrete. Si ka mundësi në një vend kaq të vogël nuk arrijmë të bëjmë një zgjidhje elementare.
Nga këtu bëj thirrje, mund të mendoni se po e them me ironi, edhe ne si komunitet egjiptian jemi të gatshëm të ofrojmë një kandidat konsensual, nga një akademik e te poshtë”, ka deklaruar Berisha
Kuvendi të themelojë çmimin Eliot Engel dhe të vendosë një memorial përkujtimor
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të themelojë çmimin Eliot Engel, si dhe të vendosë një memorial përkujtimor në ambientet e legjislativit në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan.
Në seancën përkujtimore të Kuvendit për kongresmenin amerikan, Eliot Engel, shefi i deputetëve të AAK-së tha se Engel ishte një përkrahës i palëkundur i Kosovës në procesin e lirisë, shtetndërtimit dhe pavarësisë.
“Ky është më shumë se një moment kujtese, është një shprehje e qartë e mirënjohjes sonë si shtet, Kuvend, për një njeri që qëndroi me popullin e Kosovës në kohën më të vështira dhe kohët më vendimtare të historisë sonë... Që nga vitet e represionit, ai ishte ndër zërat më të fuqishëm në Kongresin e SHBA-së, duke ngritur vazhdimisht çështjen e të drejtave të shqiptarëve. Ai mbështeti fuqishëm lirinë. Ai mbështeti fuqishëm ndërhyrjen e NATO-s, duke kontribuar në ndaljen e tragjedisë dhe hapjen e rrugës sonë drejt lirisë. Pas luftës, ai ishte përkrahës i palëkundur i Kosovës në procesin e pavarësisë, shtetndërtimit si dhe afirmimit të saj ndërkombëtar dhe marrjen e shumë njohjeve. Ai nuk ishte vetëm një aleat politik, por edhe një mik i madh i shqiptarëve”, tha ai.
Tahiri partia e të cilit ishte iniciuese e kësaj seance, kërkoi që Kuvendi të themelojë çmimin Eliot Engel që t’u ndahet miqve dhe personaliteteve që kanë dhënë kontribut në forcimin e partneritetit Kosovë–SHBA.
“Prej sot presim që Kuvendi të themelojë çmimin Eliot Engel, i cili do t’u ndahet miqve amerikanë dhe personaliteteve apo institucioneve që kanë dhënë kontribut të veçantë në mbështetje të Kosovës, në forcimin e partneritetit me SHBA-në... Presim nga Kuvendi i Kosovës që të vendoset një memorial përkujtimor në ambientet e Kuvendit dhe të jetë aty gjithmonë si shenjë e përhershme e kujtesës dhe mirënjohjes sonë institucionale për miqtë e Kosovës”, theksoi ai.
Engel ndërroi jetë ditë më parë. Ai ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës. Mbështetja e tij e palëkundur për Kosovën gjatë dekadave e ka bërë atë një personazh të famshëm në Kosovë.
Kosova ka emëruar një rrugë dhe një autostradë në nder të Engelit dhe madje ka lëshuar një pullë me imazhin e tij.
Nagavci: Opozita po e përdor zgjedhjen e presidentit si mjet bllokimi
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kritikuar partitë opozitare se zgjedhjen e presidentit po e përdorin si mjet bllokimi.
Ajo duke përmendur veprimtarinë e akademik Rexhep Qosjes, i cili u nda nga jeta të enjten, tha se opozitarët po shmangin zgjedhjen e presidentit për arsye partiake.
“Rexhep Qosja do të mbetet përjetësisht aktual, pasi ai nuk kritikoi vetëm kohën e vet, por një mënyrë të të bërit politikë që për fat të keq vazhdon të shfaqet edhe sot. Pra shmangia e vendimit, relativizmi i përgjegjësisë, zëvendësimi i qëndrimit me kalkulim. Ja pra ku jemi edhe ne mu përballë pasqyrës që na la profesor Qosja. Zgjedhja e presidentit është një proces i qartësisë sonë politike. Ai nuk është vetëm funksion, por simbol i mënyrës sesi ne e kuptojmë shtetin dhe unitetin. Në këtë proces dallimet janë të dukshme. Ka nga ata që e trajtojnë si detyrim institucional dhe ka nga ata që e përdorin si mjet bllokimi. Nëse do të ndiqnim logjikën e Rexhep Qosjes, nuk do të kishim shumë mjegull. Kur vendimi shtyhet për arsye partiake, përgjegjësia është shmangur. Ne si shumicë e kemi të qartë qëndrimin tonë. Ky proces duhet të përmbyllet, se shteti nuk mund dhe nuk duhet të mbahet pezull. Presidenti duhet të dalë nga një proces i rregullt dhe të përfaqësojë unitetin e Republikës. Por uniteti nuk ndërtohet duke mos marrë pjesë dhe bllokuar, por ndërtohet duke vendosur. Shteti nuk pret, ai kërkon vendime”, tha ajo.
Kuvendi ka afat kushtetues deri më 28 prill për ta zgjedhur presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.
Kurti për Eliot Engel: Njihte të drejtën historike të Kosovës për të pasur shtet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar ish-kongresmenin amerikan Eliot Engel, duke thënë se ai e njihte të drejtën historike të Kosovës për të pasur një shtet.
“Besoj që zgjidhja e vetme për Kosovën është pavarësia. Më lejoni të them Kosovë, sepse 90 për qind e njerëzve që jetojnë aty i thonë Kosovë. Shqiptarët e Kosovës kurrë nuk do të trajtohen mirë nën Serbi”, citoi Engelin në deklaratën që e kishte dhënë gjatë një paraqitjeje në Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në vitin 1999.
Kurti theksoi se Engel kishte mbetur i qëndrueshëm në këtë qëndrim ndër vite.
“Miku dhe mbështetësi i shqiptarëve nuk hezitoi të ngrinte zërin për të drejtat e njeriut dhe të pozicionohej në anën e duhur të historisë. Miku dhe mbështetësi i shqiptarëve nuk hezitoi të ngriste zërin për të drejtat e njeriut dhe të pozicionohej në anën e duhur të historisë. Interesi i sinqertë për të ardhmen e Kosovës ishte në qendër të takimeve tona që kemi pasur duke filluar nga takimi i parë me të nga takimi i parë në 1997 në New York”, tha Kurti.
Haxhiu: Eliot Engel ngriti zërin për Kosovën kur bota heshtte
Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe njëherësh kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, e cila ka nisur në orën 10:00 dhe i kushtohet ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, i cili ndërroi jetë më 10 prill.
Ajo tha se Engel nuk reshti së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës dhe se ngriti zërin në kohën kur bota heshtte.
“Sot, në këtë seancë kujtojmë dhe nderojmë një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës, i cili në ditët më të vështira të historisë sonë të re ngriti zërin fuqishëm për shkeljen e të drejtave tona, represionin dhe persekutimin nga regjimi serbo-jugosllav”, tha Haxhiu.
Haxhiu shtoi se “Engel nuk e donte Kosovën nga larg, por e mbrojti me argumente e votë”.
Deputetët nderojnë Eliot Engel me një minutë heshtje
Ka nisur seanca përkujtimore e Kuvendit të Kosovës në nder të kongresmenit amerikan, Eliot Engel.
Seanca nisi me një minutë heshtje në nder të Engelit, i cili vdiq më 10 prill.
Ai ka dhënë një kontribut të madh për Kosovën.
Kuvendi mban dy seanca, njëra i kushtohet Eliot Engel
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë sot dy seanca.
Seanca e parë, e veçantë, do të nisë në orën 10:00 në sallën e Kuvendit. Në kuadër të saj do të mbahet një ceremoni përkujtimore në nderim të ish-kongresmenit amerikan, Eliot Engel.
Ndërkaq, nga ora 11:00 do të vazhdojë seanca plenare.
Deputetët pritet të shqyrtojnë dhe miratojnë procesverbalin e seancës së kaluar, si dhe të zhvillojnë deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
Në mesin e pikave kryesore janë edhe shqyrtimi i dy projektligjeve për ratifikimin e amendamenteve të marrëveshjeve financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kuadër të programeve IPA 2019 dhe IPA 2020.
Po ashtu, në rend dite janë edhe disa emërime të rëndësishme institucionale, përfshirë zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur të Mediave.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe një propozim-rezolutë që ka të bëjë me avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj komunitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në fund, pritet të trajtohet edhe propozimi i Grupit parlamentar “Multietnik” për zëvendësimin e deputetëve në komisione parlamentare.