Tahiri: Kurti goditi opozitën dhe tentoi t’ua hedhë fajin për krizën
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar pas shpërndarjes së Kuvendit se kryeministri i Kosovës ka përdorur foltoren e Kuvendit për të sulmuar opozitën dhe për t’ia atribuar asaj përgjegjësinë për situatën politike në vend.
Sipas Tahirit, në seancën e fundit, kryeministri ka “keqpërdorur foltoren” duke e goditur opozitën në mënyrë të ashpër dhe duke tentuar, siç tha ai, të largojë përgjegjësinë nga vetja.
“Sonte edhe në seancën e fundit, kryeministri i Kosovës e përdori, respektivisht e keqpërdori foltoren duke e goditur skajshmërisht opozitën, duke u munduar t’ua hedhë fajin subjekteve politike opozitare në një gjendje bukur dëshpëruese dhe tronditëse të cilën e solli vetë në Kosovë. Pra edhe sonte u shpreh mllefi i cili buron nga nevoja e tij me marrë dhe me pas pushtet”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën e menaxhimit të situatës politike, duke e cilësuar atë si të rënduar dhe të krijuar nga qeveria aktuale, ndërsa ka theksuar se opozita nuk mban përgjegjësi për krizën institucionale.
Kurti akuzon opozitën për bllokim të procesit të zgjedhjes së Presidentit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas kalimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit dhe pas shpërndarjes së Kuvendit, në një konferencë për media së bashku me kandidaten për presidente të propozuar nga Vetëvendosje, Feride Rushiti ka akuzuar opozitën për bllokim të procesit dhe sjellje jo institucionale, duke thënë se ajo ka pamundësuar vazhdimin e raundeve të votimit për zgjedhjen e presidentes.
“Jemi këtu bashkë në Kuvendin e Republikës me kandidaten për presidente të Republikës, doktoreshën Feride Rushiti e cila mbrëmë gjatë përpjekjes për të konsumuar raundin e parë të zgjedhjes së presidentes së re mori 63 vota që ishte dëshmi se Kosova si shtet i pavarur , si republikë demokratike, mund të ketë presidente të re, mirëpo ajo çfarë mungon është opozita aty e cila me sjelljen e saj jo shtetërore, anti institucionale, me bojkotin dhe bllokimin pamundësoi konsumimin e raundit të parë për të vazhduar me raundin e dytë e të tretë”, ka deklaruar mes tjerash Kurti.
Kurse, e kandiduara nga Lëvizja Vetëvendosje për presidente të Kosovës, Feride Rushiti ka deklaruar në një konferencë për media se ka pranuar kandidaturën me bindjen se është një figurë unifikuese dhe mund të ndihmojë në tejkalimin e ngërçit aktual politik.
Ajo tha se propozimi për kandidim ka ardhur nga qytetarë, shoqëria civile, të mbijetuar të dhunës seksuale, partnerë ndërkombëtarë dhe së fundi edhe nga kryeministri Albin Kurti.
Rushiti: Kandidova për të ndihmuar Kosovën që të tejkalojë ngërçin politik
Feride Rushiti, që u kandidua nga LVV-ja për presidente, gjatë një konference për media tha se ajo vendosi të kandidohej e bindur se do të ishte një figurë unifikuese dhe që do të mund të ndihmonte në tejkalimin e ngërçit politik.
Ajo tha se kërkesa për kandidim erdhi nga qytetarët, shoqëria civile, viktimat e dhunës seksuale, “nga partnerët ndërkombëtarë dhe së fundi nga kryeministri Kurti”.
E pyetur se kush janë parnerët ndërkombëtarë që kërkuan kandidimin e saj, Rushiti tha se bëhet fjalë për Ambasadën britanike, ndërkaq sot ka qenë në kontakt me të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane që e kanë uruar "për guximin që kam marr".
Gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, Rushiti tha se ishte e bindur se ajo ishte një nga kandidatet që është kërkuar nga Qeveria Kurti, por edhe nga partitë opozitare, si figurë jopartiake.
Ajo tha se nuk ka ambicie personale, po qëllimi i saj me këtë kandidim ishte “stabilizimi i institucioneve dhe ecje përpara për Kosovën”.
Rushiti tha se për kandidimin për presidente vendosi pasditen e së hënës.
"Asnjë moment nuk e kam ndjerë veten që jam pjesë e kalkulimeve të kryeministrit Kurti. Thjesht unë kam zgjedhë momentin e fundit, pasi e kam parë që janë konsumuar të gjitha mundësitë e mundshme dhe propozimet që janë bërë nga qeverisja Kurti", tha Rushiti.
E pyetur nëse do të jetë pjesë e listës zgjedhore të LVV-së, ajo tha se do të vazhdojë punën në organizatën e saj.
‘Lajmërohet’ PDK, ja çfarë thotë pasi u shpërnda Kuvendi
Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është shmangur një ndër shkeljet më të rënda të Kushtetutës dhe një tentativë e rrezikshme për demokracinë tonë.
"Përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese dështuan. Institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues u mbrojtën.
Pushteti aktual mban përgjegjësinë kryesore për krizën e krijuar, si shkaktar i krizave të njëpasnjëshme politike, i keqqeverisjes, i krizave ekonomike, i shpërdorimit të besimit të qytetarëve dhe i abstenimit nga përgjegjësitë ndaj shtetit dhe qytetarëve.
Në përputhje me Kushtetutën, vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor. PDK kërkon nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke garantuar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik.
Partia Demokratike e Kosovës fton qytetarët e Republikës së Kosovës që të jenë të gatshëm për këtë proces të rëndësishëm demokratik dhe përmes votës së tyre të refuzojnë logjikën e përçarjes, bllokadës dhe aventurave institucionale.
Kosova ka nevojë për një drejtim të ri, për stabilitet, përgjegjësi dhe zhvillim. Ka nevojë për institucione që funksionojnë dhe për një qeverisje që respekton Kushtetutën, jo që përpiqet ta mbizotërojë atë.
Republika u mbrojt sot. Tani është radha e qytetarëve", thuhet në reagimin e PDK-së.
Deputetët dështojnë të zgjedhin presidentin e ri, Kuvendi shpërndahet
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të zgjedhin presidentin e ri brenda afatit kushtetues, duke bërë që Kuvendi të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
“Sipas aktgjykimit, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë”, tha kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, në fund të seancës, fiks në orën 00:00.
Në seancën e 28 prillit nuk morën pjesë deputetët e opozitës, duke pamundësuar kuorumin për dy kandidatet e LVV-së për presidente: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 25 marsit, pas dështimit të zgjedhjes së presidentit, Kuvendi shpërndahet dhe vendi duhet të organizojë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Kurti kritikon opozitën: Po kërkojnë zgjedhje pa marrë përgjegjësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Kuvendi i Kosovës ka deklaruar se opozita nuk mund ta zhbëjë vullnetin e qytetarëve, duke kritikuar bojkotin e saj në seancë.
Ai tha se kanë kaluar katër muaj nga zgjedhjet e fundit dhe, sipas tij, opozita po kërkon sërish zgjedhje pa marrë përgjegjësi institucionale.
“Sot janë mbushur 4 muaj nga zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe ja ku jemi në një seancë që bojkotohet nga opozita. Vetëm 4 muaj pas zgjedhjeve duan prapë zgjedhje; ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet,” ka thënë Kurti.
Ai shtoi se pas një qeverisjeje pesëvjeçare është rritur mbështetja për partinë e tij dhe se, sipas tij, do të vazhdojnë të qeverisin me përkushtim.
Kurti përmendi edhe ofertat për bashkëqeverisje, duke thënë se LDK-së i është ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ndërsa ka folur edhe për ofertë ndaj PDK-së për bashkëpunim institucional.
Sipas tij, bllokadat politike po përsëriten dhe po vijnë nga “subjekte të zanatit të vjetër”, të cilat po përpiqen të pengojnë funksionimin normal të institucioneve.
Murati, qytetarëve: Nëse deputetët e opozitës bojkotojnë Kuvendin dhe sabotojnë Republikën, pse duhet t’i votoni?
Ministri i Financave, Hekuran Murati, në seancën e fundit para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, u është adresuar qytetarëve të Kosovës.
Në fjalën e tij, Murati ka kritikuar mungesën e deputetëve opozitarë në Kuvend, duke e cilësuar atë si mungesë përfaqësimi dhe përgjegjësie ndaj votuesve.
Murati i ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast se vendi shkon në zgjedhje të reja, të kërkojnë llogaridhënie nga deputetët që, sipas tij, nuk po e ushtrojnë mandatin e tyre në Kuvend.
“Në ditën më të rëndësishme, kur deputetët që kanë marrë besimin e qytetarëve, pra deputetët e opozitës do të duhej të ishin këtu dhe ta përçonin atë besim, ne nuk i kemi. Ulëset e tyre janë të zbrazëta dhe ata nuk e përfaqësojnë qytetarin që i ka votuar.Pra, të gjithë ju qytetarë që keni dhënë votën për ata deputetë, të cilët sot nuk po ju përfaqësojnë me mungesën këtu, duke sabotuar Republikën e Kosovës dhe duke e çuar vendin në zgjedhje të evitueshme dhe të panevojshme, duhet t’i pyesni ata, sidomos nëse po shkojmë në zgjedhje dhe ata vijnë përsëri t’ua kërkojnë votën-pse t’ju votojmë ju? Nëse këta deputetë nuk po ju përfaqësojnë, cila është arsyeja pse duhet të vijnë e të kërkojnë votë dhe ju t’i votoni? Nëse ata po e bojkotojnë Kuvendin dhe po e sabotojnë Republikën, duke e detyruar vendin të shkojë në zgjedhje edhe njëherë, sepse kanë vendosur të mos respektohet vullneti i popullit nga zgjedhjet e sapombajtura, atëherë do të duhej ta kishin edhe përgjigjen tuaj”, ka thënë ai.
Presidenti drejt dështimit nga mungesa e opozitës, Murati ka këto fjalë ndaj opozitës
Ministri i Financave, Hekuran Murati në fjalën e tij në Kuvend ka vazhduar me disa fjalë ndaj deputetëve opozitarë, duke thënë se nuk po përfaqësojnë qytetarët, duke sabotuar Kosovën.
Ai kërkoi nga partitë opozitare të vijnë nga deputetët e partive opozitare që të marrin pjesë në seancë.
“Po e dërgojnë vendin në zgjedhje të evitueshme dhe të panevojshme.
Deputeti është i deleguar, përfaqësues i popullit”, tha Murati.
Haxhiu: Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë në sallë
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në nisjen e seancës së orës 23:00 për zgjedhjen e presidentit, ka deklaruar se po presin edhe në minutat e fundit nëse deputetët e opozitës do të hyjnë në sallë.
Ajo u ka bërë sërish thirrje deputetëve opozitarë që të marrin pjesë në seancë dhe të zhbllokohet situata.
“Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë, t’i lënë anash barrikadimet. Kjo është arsyeja pse në vazhdimësi kam bërë thirrje që deputetët e opozitës të vijnë këtu”, ka thënë Haxhiu.
Ndërkohë, kanë mbetur vetëm pak minuta para se vendi të shkojë sërish në zgjedhje, në rast se nuk arrihet zgjedhja e presidentit.
LVV e pranishme në Kuvend, opozita nuk i përgjigjet pozitive ftesës për pjesëmarrje
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po marrin pjesë në seancën e Kuvendit, duke vazhduar punën institucionale dhe përpjekjet për zhbllokimin e situatës politike në vend.
Ata janë të pranishëm në sallë dhe po angazhohen në proceset që lidhen me funksionimin normal të institucioneve, përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Në anën tjetër, deputetët e partive opozitare mungojnë në seancë, duke thelluar më tej ngërçin politik dhe duke penguar arritjen e një zgjidhjeje të përbashkët.
Kjo mungesë po shihet si një formë presioni politik, por njëkohësisht po kritikohet për ndikimin negativ në funksionimin e Kuvendit dhe në proceset vendimmarrëse që kërkojnë pjesëmarrje të plotë. Situata e krijuar po vazhdon të mbajë të bllokuar institucionet, ndërsa palët mbeten larg një kompromisi.