Nuk ka president të ri, Kosova shkon në zgjedhje

Aktuale

Nuk ka president të ri, Kosova shkon në zgjedhje

Më: 27 prill 2026 Në ora: 20:32 Përditësuar në ora: 23:14 më 28.04.2026
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e shumicës parlamentare hyjnë në sallë

Teksa pritet të rinisë seanca plenare për zgjedhjen e presidentit, deputetët e shumicës parlamentare kanë nisur të hyjnë në sallën plenare.

Megjithatë, në sallë nuk shihen deputetë të partive opozitare.

Video:

Deputetja e LVV-së: Nëse opozita ka dilema për puç institucional, le të adresohen

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni ka deklaruar se nëse opozita ka dilema për kushtetutshmërinë gjatë procesit të votimit për president, siç tha, le t’i adresojë në institucione.

Kështu u shpreh ajo para fillimit të seancës të thirrur për në orën 19:00.

Deputetja e LVV-së: Nëse opozita ka dilema për puç institucional, le të adresohen

“Bojkoti i opozitës në seancën për zgjedhjen e presidentit tregon që ata janë të interesuar ta shkaktojnë një tjetër dëm të madh për qytetarët e vendit tonë dhe për vendin tonë, duke e rinisur një proces të ri zgjedhor dhe nuk janë të gatshëm që të hyjnë aty edhe fundja ta bëjnë punën e vet si deputet, të ngrisin dorën për presidentin e ri të Republikës së Kosovës... Opozita është mirë, nuk është diçka e re kjo, nuk është diçka që nuk e kemi dëgjuar, e kemi dëgjuar vazhdueshëm në vitin 2025. Prapë do të vazhdojmë ta dëgjojmë tani. Nëse ata kanë dilema të tilla le të adresohen aty ku është adresa për t’i dërguar këto ankesa e le t’i kthehen përgjigjes se cili është kontributi i tyre për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ajo.

Tutje, tha se janë të gatshëm për tërheqjen e njërës kandidate për presidente, por që shtoi se nuk beson që janë të përcaktuar për president.

Kryeziu-Hyseni: S’besoj që do të mund jenë përcaktuar brenda këtyre dy orëve të fundit për një emër

“Kemi thënë që jemi të gatshëm që ta tërheqim njërën kandidaturë nëse opozita vlerëson që ka një kandidat. Por, nëse më pyesni mua, nëse ata nuk kanë pasur një kandidat deri më tani s’besoj që do të mund jenë përcaktuar brenda këtyre dy orëve të fundit për një emër. Se jo se nuk e kanë, ose jo se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, por sepse nuk do të duan t’i ofrojnë vendit zgjidhje nëpërmjet votimit për të zgjedhur presidentin e ri të Republikës së Kosovës por po duan që ta qojnë vendin në një proces të ri zgjedhor, sepse kështu nëpërmjet kësaj ata do ta pamundësojnë Qeverinë Kurti. Dhe po besoj që po shpërfaqet mjaftueshëm mirë qartë që ky është i vetmi qëllim i opozitës”, deklaroi ajo. 

Sërish shtyhet seanca për presidentin, deputetët mblidhen në orën 23

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka shtyrë për në orën 23:00 mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit.

Seanca ishte paraparë fillimisht të mbahej në orën 10:00, më pas u shty për në orën 14:00 dhe më vonë sërish për në orën 19:00, por edhe këtë herë filloi me vonesë, për t’u shtyrë më pas.

Haxhiu iu bëri thirrje deputetëve që të rrijnë në sallë në seancën plenare të orës 23:00.

Ndërkohë, ora po numëron për institucionet, pasi në mesnatë skadon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Abdixhiku refuzon bashkëpunimin: Nuk i dorëzojmë nënshkrimet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar para mediave se Albin Kurit dëshiron një president karate, por se partitë tjera nuk beson se do të jenë pjesë e një skenari të tillë.

“Nënshkrimet nuk dorëzohet tek LVV dhe as tek Nagavci që nuk është autoritet.

Por këto janë çështje politike.

Kemi mundur të ulemi dhe të flasin e të bëjmë marrëveshje politike për një kandidat. Kurti donë një kundër kandidat për ta zgjedhur kandidaten e vet.

Pra donë kuorum për të zgjedhur një president karate, dhe ne nuk mund të kemi president karate dhe vet fakti që një president dëshiron të jetë president karate, tregon se nuk duhet të jetë president, prandaj në rrethana të tilla kjo tregon se është një lojë politike”, tha ai.

Kryetarja Haxhiu sërish u bën thirrje deputetëve të opozitës të paraqiten në sallë

Ka nisur tashmë seanca e Kuvendit, e thirrur për në orën 19:00, për zgjedhjen e Presidentit të vendit.

Në këtë seancë nuk po marrin pjesë deputetët e partive opozitare.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje sërish atyre që të paraqiten në sallë, për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.

Dugolli: Askush nuk po shkel Kushtetutën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli i konsideroi të pabaza deklarimet e partive opozitare që po shkelet Kushtetuta në mungesë kuorumi.

Ai i ka ftuar deputetët e partive opozitare që të marrin pjesë në seancën e ftuar për në orën 19:00.

Dugolli: Askush nuk po shkel Kushtetutën

“Askush nuk po shkel Kushtetutë, nuk po shkel procedura, as rregulla. Është krejtësisht e pabazë kjo akuzë. Prandaj unë i ftoj edhe një herë edhe përmes mediave tuaja partitë opozitare që të vijnë deputetët, që të mos fshihen prapa skutave këtu në Kuvendin e Kosovës, por le të vijnë le të debatojnë dhe të marrin vendime të dobishme”, tha ai.

Para fillimit të seancës, ai u pyet edhe për situatën kur u votua Atifete Jahjaga për presidente, për të cilën tha se është kontekst tjetër.

Dugolli: Po ktheheni shumë kohë prapa, tjetër kohë

“Ju po ktheheni shumë kohë prapa, tjetër kontekst, tjetër kohë, tjera rrethana dhe mendoj 51.1 për qind i rezultatit të zgjedhjeve së 28 dhjetorit, ky është problemi, por ne nuk mund ta ndryshojmë”, shtoi ai.

Ai akuzoi partitë opozitare për bllokadë, teksa shtoi se kandidatja për presidente, Feride Rushiti është përfaqësim i denjë.

Dugolli: Feride Rushiti është përfaqësim i denjë

“Do të ishte e mirë që edhe partitë opozitare ta kenë këtë interesim që të zgjedhim çështjen e presidentit. Tani kemi dy kandidatura e një për të cilën jemi përcaktuar, zonja Feride Rushiti, një zonjë e nderuar e cila besoj që është një përfaqësim i denjë edhe për Republikën tonë edhe për gjithë shoqërinë, nuk është e Vetëvendosjes, nuk ka qenë asnjëherë në Vetëvendosje, është e gjithë neve prandaj do të duhej të ishim të gjithë bashkë dhe ta zgjidhim këtë çështje. Mirëpo, kjo po tregon që partitë opozitare asnjëherë nuk e kanë pasur problemin e zgjidhjes së çështjes së presidentit, për ta është e vetmja mundësi për ta bllokuar shtetin, për ta bllokuar qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës”, tha ai. 

Haradinaj: Nuk jemi pjesë e seancës, lëvizje pa konsultë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se deputetët e partisë së tij nuk do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme për çështjen e presidentit e cila pritet të nis në orën 19:00.

Haradinaj para gazetarëve deklaroi se si parti janë përjashtuar prej bashkëpunimit për të gjetur zgjidhje në këtë drejtim.

Haradinaj: Nuk jemi pjesë e seancës, lëvizje pa marrëveshje

“Ne realisht na kanë përjashtuar prej bashkëpunimit për të gjetur një zgjidhje. Ndoshta sikur të kishim qenë pjesë e procesit nga fillimi ndoshta kishim mundur me i ndihmuar, ajo që është me rëndësi është të mos vazhdohet me shkelje të Kushtetutës e votimit pa kuorum, sepse e çon vendin në drejtim të rrezikshëm.... Nuk jemi pjesë e seancës. Kjo është lëvizje pa konsultë, pa dakordim, pa marrëveshje”, tha ai.

I pyetur se a i dëgjoi kritikat e kryeministrit, Albin Kurti që i drejtoi opozitës gjatë një konference për medie që ai mbajti sot, kreu i AAK-së tha se ka kohë që nuk i sheh fjalimet e shefit të ekzekutivit kosovar.

Edhe 5 orë kalon afati kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të vendit. Nëse nuk ka zgjidhje të kësaj çështjeje vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kandidate për presidente janë Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Shtyhet seanca për presidentin në orën 19:00

Seanca e jashtëzakonshme për përzgjedhjen e presidentit të vendit është shtyrë për në orën 19:00.

“Për shkak të mungesës së opozitës, dhe gjithnjë duke u përpjekur që t’i kemi ata në seancën për zgjedhjen e presidentit dhe për shkak të obligimeve...

Ju njoftoj që kjo seancë vazhdon sot në orën 19:00”, ka thënë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. 

Haxhiu thërret emrat e deputetëve të opozitës

Duke vazhduar thirrjen për opozitën që të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka nisur t’i thërrasë një nga një deputetët e opozitës.

“I bëj thirrje që të vijë në seancë”, përsërit Haxhiu pas secilit emër.

Rinis seanca, Haxhiu i bën thirrje opozitës të marrë pjesë në votim

Në nisje të seancës për zgjedhjen e presidentit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë sërish thirrje deputetëve të opozitës që të jenë të pranishëm në sallë dhe të marrin pjesë në votim, duke u bazuar në detyrimet për pjesëmarrje në punimet e Kuvendit nga aktgjykime të ndryshme dhe sipas Ligjit për Deputetët.

Sipas këtij ligji, deputetët kanë obligim të marrin pjesë në seanca dhe të njoftojnë Kryetarin e Kuvendit për mungesat e tyre.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese kishte sqaruar më 2016, në rastin e zgjedhjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, se nuk është kriter kushtetues që të gjithë 120 deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për zgjedhjen e presidentit, por mjafton përmbushja e shumicës së përcaktuar në Kushtetutë prej 80 deputetësh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat