Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha janë zyrtarizuar si dy kandidatet e propozuara për postin e presidentes së Kosovës nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Grupi Parlamentar i VV-së ka proceduar kërkesën për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Seanca është caktuar të mbahet sonte në orën 20:30.
Feride Rushiti është një nga figurat më të njohura të shoqërisë civile në Kosovë. Ajo është drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës — QKRMT.
Që nga viti 1999, Rushiti ka udhëhequr punën për rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe për njohjen e statusit të tyre ligjor dhe institucional.
Për angazhimin e saj shumëvjeçar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ajo është nderuar në vitin 2018 nga Departamenti Amerikan i Shtetit me çmimin “International Women of Courage”.
Po ashtu, Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ishin nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.
Kandidate tjetër e zyrtarizuar është Hatixhe Hoxha, e cila është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2010.
Ajo ka shërbyer si anëtare e Kryesisë së VV-së dhe si anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës në vitin 2017. Po ashtu, Hoxha ka qenë kandidate për deputete në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Aktualisht, ajo është anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Hoxha ka përfunduar studimet bazë dhe magjistraturën në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa është në përfundim të studimeve të doktoratës.
Ajo ka përvojë si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka punuar si mësimdhënëse, gazetare dhe lektore.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në seancë, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre është obligim kushtetues.